E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, dhuratë TV me 600 gramë tritol për tu hakmarrë për vrasjen e 97-s



Artan CENA
TIRANË - Zbardhet vrasja për hakmarrje e ndodhur në Sauk të Vjetër dy ditë më parë, ku një shpërthim i fuqishëm u mori jetën dy personave dhe plagosi disa të tjerë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, deklaroi gjatë ditës së djeshme se është kapur autori i ngjarjes së rëndë. Sipas tij, autori është 25-vjeçari Luan Dervishi nga Tirana, i cili ka dashur të hakmerrej ndaj të zotit të shtëpisë Xhevdet Xhebrahimi, që në vitin 1997 i kishte vrarë xhaxhanë, Naim Dervishi. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur paraditen e djeshme, Vocaj shpjegoi skemën e përdorur nga autori i ngjarjes. Sipas tij, Luan Dervishi i kishte “bërë dhuratë” familjes Xhebrahimi një televizor plazma së bashku me një aparat satelitor. Por brenda tij kishte vendosur sasinë prej 600 gramësh tritol, që është aktivizuar menjëherë sapo pajisja është vënë në kontakt me energjinë elektrike.
Skema e hakmarrjes
Shpërthimi i fuqishëm ka bërë që menjëherë të ngrihet një grup i madh hetimor në lidhje me tragjedinë. Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, lënda shpërthyese prej 600 gramësh tritol ka qenë e vendosur në një televizor, i cili ishte bërë dhuratë viktimës Xhevdet Xhebrahimi nga i arrestuari Luan Dervishi. Autori, pasi ka shkuar në një pikë nënkontraktore të kompanisë “DigitAlb”, ka blerë një abonim (3-mujor) dhe një dekoder satelitor. Ai është paraqitur me identitet të rremë, duke mashtruar punonjësit e kësaj kompanie. Ai u ka thënë se këto pajisje do t’i blinte dhuratë për një mikun e tij. Punonjësve u ka kërkuar që të komunikojnë me Xhebrahimin sikur ai i kishte fituar me lotari këto pajisje. Pas kësaj, 25-vjeçari, i cili e kishte përgatitur skemën e hakmarrjes, ka blerë një televizor plazma dhe pasi ka montuar në të një një sasi lënde eksplozive (rreth 600 gramë tritol), ka shtuar dhe aparatin satelitor të kompanisë “DigitAlb”. Pakon dhuratë ai e ka dërguar me një taksist në banesën e viktimës, i cili ishte autori i vrasjes së Naim Dervishit në vitin 1997. Xhebrahimi, pasi ka marrë dhuratën, ka thirrur mikun e tij Luan Braja për të montuar televizorin dhe aparatin DigitAlb, ku gjatë montimit është realizuar shpërthimi i lëndës eksplozive.
Hetimet
Nga hetimet e kryera për gati 24 orë është zbardhur e gjithë ngjarja e rëndë. Policia tha se krimi dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi viktima Xhevdet Xhebrahimi, në vitin 1997, ka vrarë më armë zjarri për motive të dobëta Naim Dervishin (i cili është xhaxhai i autorit). Drejtori i Policisë së Tiranës tha se oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, pas një pune disaorëshe me mjete të specializuara hetimi, kanë siguruar prova të mjaftueshme që implikojnë drejtpërdrejt Luan Dervishin si autor të kësaj ngjarjeje, i cili është 25 vjeç, lindur e banues në fshatin Picallë të Tiranës. Pasi janë siguruar provat, policia ka marrë menjëherë masën e “arrestit në flagrancë” ndaj 25-vjeçarit. Drejtori i Policisë tha se dosja me materialet hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”.

Ngjarja sipas policisë
Rreth orës 09:40 të ditës së diel, në Sauk të Vjetër, Tiranë, ka ndodhur një shpërthim në banesën e shtetasit Xhevdet Xhebrahimi, ku si pasojë kanë gjendur vdekjen dy shtetas dhe janë plagosur tre të tjerë. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, specialistë antieksploziv, ekspertë xhenierë, ekspertë kriminalistë, të cilët kanë bërë evakuimin e personave të tjerë që ndodheshin në banesë. Atyre u është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe u bë evakuimi i zonës përreth vendit të ngjarjes. Si pasojë e këtij shpërthimi kanë gjendur vdekjen Xhevdet Xhebrahimi, 71 vjeç dhe shtetasi Luan Brahja, 36 vjeç, me banim në Sauk, Tiranë, si dhe janë plagosur lehtë Fatbardha Xhebrahimi, 58 vjeç, Altin Xhebrahimi, 33 vjeç, si dhe Shpresa Xhebrahimi, 28 vjeç.

Ngjarja për probleme personale
Plumba ndaj mjekut në spital, autori në kërkim
TIRANË - Një mjek është qëlluar me armë, por fatmirësisht ka shpëtuar pa plagë. Ngjarja e rëndë është shënuar paraditen e djeshme në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ka qenë ora 11:00 kur shtetasi Besnik Nikoçi, që ndodhej në Pavijonin e Specialiteteve në Spitalin Ushtarak, ka nxjerrë një armë pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të mjekut Besim Lame. Për fat të mirë asnjë nga të shtënat nuk e ka kapur mjekun, ndërsa në atë moment pavijoni me dhjetëra persona në të (pacientë ose bluza të bardha) është përfshirë nga paniku. Pasi e ka parë që nuk ka qëlluar në shenjë, autori ka qëlluar disa herë në ajër dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Siç është mësuar nga burime policore, ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e mjekut, por ka ndodhur për motive të dobëta mes Nikoçit dhe Lames. Shkak për këtë ngjarje të rëndë dyshohet të jetë një konflikt tërësisht personal mes autorit dhe viktimës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur hetimet. Brenda disa minutash është bërë i mundur identifikimi i autorit. Menjëherë ai është shpallur në kërkim, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ishte bërë i mundur arrestimi i tij. Hetimet janë duke u bërë nga efektivët e Komisariatit Nr. 3. Një ekspertizë me detaje të plota që pritet të bëhet gjatë ditës së sotme nga policia do të jetë ajo që nxjerrë përfundime për ngjarjen që tronditi Spitalin më të rëndësishëm në vend. Ngjarja në Spitalin Ushtarak, përveçse mund të kishte shkaktuar viktima, pasi ndodhi në një ambient publik, ngre pikëpyetje rreth sigurisë në Spitalin Ushtarak, që aktualisht është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe pse ushtarakë ruajnë ambientet rreth spitalit, autori i djeshëm, Besnik Nikoçi, mundi të hyjë i armatosur në ambientet e këtij spitali dhe kanosi me armë dhe të shtëna pistolete një mjek. Policia, për arrestimin e të dyshuarit, ka ngritur postblloqe rreth e rrotull zonës ku ndodhi ngjarja.

Grabitësi përleshet me pronarin e banesës

TIRANË - Një grabitës ka mbetur i plagosur pas tentativës për të grabitur një banesë në fshatin Mëzez të Tiranës. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të djeshëm në një banesë në fshatin Mëzez, pak kilometra larg nga Tirana. Të njëjtat burime konfirmuan se një person, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, tentoi të grabisë një banesë, por zhurma e krijuar është ndjerë nga i zoti i shtëpisë, emri i të cilit gjithashtu ende nuk është bërë i ditur nga policia. Paraprakisht mësohet se ka pasur një përleshje mes grabitësit dhe të zotit të shtëpisë dhe më pas shkrehje arme. I plagosur ka mbetur autori i grabitjes, që është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Policia ka shoqëruar pronarin e banesës për sqarime në komisariat. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›