E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi, PD manipuloi sondazhin

TIRANË- Vetëm tri javë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, plas skandali shifrave që servirin sondazhet e ndryshme në vend, mbi rezultatet e mundshme të 28 qershorit.


Nuk bëhet fjalë për një sondazh të fundit, por për një anketë të përfunduar në datën 20 maj, e ndërmarrë nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH) dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore (ISPL), dhe paratë për të janë paguar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasada Britanike në Tiranë.


Si asnjëherë tjetër, dje, asnjëra prej tyre nuk ka shpallur publikisht një sondazh të tillë. Gjithçka është servirur nga PD-ja, duke raportuar për mediat sitin në internet në të cilin është publikuar, jo sondazhi, por vetëm një deklaratë për shtyp, që i referohet këtij raporti.


Sondazhi enigmë, i cilësuar "PULS" dhe bërë publik më të njëjtin emër në sit, përveç disa të dhënave, që përfshijnë qendrat që e kanë publikuar, kush është i pari, apo kufiri i gabimit, asgjë tjetër më konkrete nuk përmban faqja ëeb.


Sondazhi nuk jep të dhëna bazë, si për shembull, kush dhe përse është paguar për zhvillimin e sondazhit, sa njerëz janë anketuar për këtë sondazh, si u përzgjodhën njerëzit, prej çfarë zone apo grupi demografik janë përzgjedhur të anketuarit, a janë të bazuara rezultatet e sondazhit në përgjigjet e të gjithë njerëzve që janë intervistuar, në cilën periudhë u krye sondazhi, si u zhvilluan intervistat, çfarë pyetjesh janë kërkuar nga intervistuesit, sipas cilës renditje janë parashtruar pyetjet, çfarë sondazhesh të tjera janë kryer për këtë çështje, a thonë sondazhet e tjera të njëjtën gjë, dhe nëse janë të ndryshëm, përse ndodh diçka e tillë?


Asnjë përgjigje për pyetjet sa më sipër nuk serviret në "sondazhin" e publikuar, ndërkohe që ata që mbajnë firmën e një raporti të tillë, heshtin. Heshtin dy qendrat që janë marrë me anketën, po ashtu edhe USAID-i dhe Ambasada Britanike.


Ndryshe nga herët e tjera, ku gjithçka bëhet publike përmes një konference për shtyp dhe sqarohet deri në detaj, kësaj here sondazhi katandiset vetëm në një deklaratë për shtyp, e mbi të gjitha, serviret nga këshilltarët e Partisë Demokratike, ç'ka bën të dyshosh mjaft mbi të dhënat e publikuara.


Në deklaratën për shtyp, që i referohet këtij sondazhi, PD-ja rezulton fituese nga të intervistuarit me 43%, PS me 34%, ndërsa kufiri i gabimit është +/-3%, një diferencë e madhe kjo që nuk është bërë publike deri më tash as nga sondazhet e mbështetura publikisht nga qeveria aktuale.


Burime jo zyrtare shprehen për "Shekulli"-n se e vetmja e dhënë e saktë në gjithë këtë sondazh janë vetëm datat se kur është zhvilluar, ndërsa gjithçka tjetër është e manipuluar.


Të njëjtat burime nuk pohojnë, por as edhe mohojnë faktin nëse këto të dhëna janë manipuluar pikërisht nga ndërhyrjet e qeverisës aktuale. Në të gjitha rastet e tjera ambasadat kanë publikuar vetë përfundimet e sondazheve apo vëzhgimeve të kryera me paratë e tyre.


Në këta rast ato janë mjaftuar me vendosjen e një fjalie në me të raportit për sondazhin: "Përmbajtja e anketës është përgjegjësi e vetme e QKZH-së dhe ISPL-së, të mbështetura teknikisht nga D3Systems, dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Ambasadës Britanike apo Qeverisë Britanike".


Dyshimit për një fakt të tillë, krahas heshtjes së ambasadave që e kanë sponsorizuar mospublikimin e raportit në detaje, mbajtjen gjatë pa u publikuar, i është shtuar edhe reagimi zyrtar i Partisë Socialiste.


Elisa Spiropali deklaroi dje se sondazhi i servirur është kryekëput i manipuluar nga qeveria aktuale. Sipas saj, sondazhi është realizuar nga dy OJQ, njëra e gruas së zv/ministrit të Integrimit, Albert Gajo, dhe tjetra nga Arben Imami, në cilësinë e kryetarit të bordit, i cili aktualisht është shef i kabinetit të kryeministrit Sali Berisha.


Në sondazhin që askush nuk e merr përsipër ta argumentojë me shifra, thuhet gjithashtu se 33% e shqiptarëve në nivel kombëtar, të cilët dëshirojnë të votojnë në datën 28 qershor, pohojnë se ende nuk zotërojnë dokument identifikimi të vlefshëm për votim.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›