Kompleksi maqedono-serb ndaj Kosovës
Nëse në shkencën e psikologjisë mbyllja në vetvete ndaj rrethit definohet si një ndër komplekset shoqërore, këtë më së miri në praktikë e vërteton kryeministri Nikolla Gruevski në relacion me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.
Pas kaq muajve të njohjes së pavarësisë së shtetit fqinj, Gruevski me taktikën e tij prej cubi të një mëhalle të izoluar, vazhdon të injorojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Injorimi është veti e të dobëtit karshi ballafaqimit me tjetrin. Gruevski i ka harxhuar të gjitha argumentet për të mbrojtur mosvendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Kurse arsyetimi rreth përshkrimit të vijës kufitare nuk mban më, pasi ekspertët e komisionit të përbashkët që moti kanë thënë se puna e shënimit ka përfunduar. Por, në fakt cila është frika e Gruevskit dhe çka synon ai dhe çka fshihet pas mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën?
Duke qenë i vetëdijshëm se Maqedonia po e humb garën politike dhe ekonomike me vendet rajonale, respektivisht Shqipërinë dhe Kosovën, Gruevski dëshiron të minojë avancimin politik dhe ekonomik ndërkombëtar të Kosovës, duke u munduar të godasë tërthorazi edhe Shqipërinë si avokate të saj. Gruevski i ka hyrë një beteje shumë të vështirë, thuajse të pamundur, ndërsa është hedhur në përqafim të Begradit zyrtarë kundra Kosovës. Pikëtakim tjetër në rifreskimin e lidhjeve Shkup-Beograd në fund të korrikut, përveç aleancës së përbashkët kundër shqiptarëve nuk mund të ekzistojë. Riaktivizimi i aleancës Shkup-Beograd shkon edhe përtej. Gruevski po bëhet argat në synimin e serbëve jo vetëm kundër pranimit ndërkombëtare të Kosovës, por edhe për të rikthyer dominim ekonomik të Serbisë në rajon. Pasi serbët, së fundmi, përmes një fushate për investime, po orvaten që të sigurojnë dalje edhe në det përmes portit të Malit të Zi si dhe të investojnë në Maqedoni. Investimet e jashtme aq të proklamuara nga Gruevski nuk janë askund. Ndërsa investimet serbe në Maqedoni kanë mbetur si përralla e vetme ekonomike e Gruevskit që do të na i rrëfejë në të ardhme. Ky duhet të jetë kompensimi për investimet serbe në Maqedoni.
Vizita e kryeministrit maqedonas, në Beograd, në fund të korrikut, la shumë pikëpyetje se cila ka qenë axhenda e kësaj vizite dhe çfarë ka biseduar me krerët e Beogradit. Aq më shumë kur nuk pati asnjë përfaqësues shqiptar, ashtu siç praktikohet herë pas here në vizitat qeveritare. Kryeministri Gruevski takimet me lidershipin serb i shfaqi si ekonomike, por në prapaskenë është pjesë e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, pas acarimit të tyre vitin e kaluar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gruevski u tregua skandaloz dhe injorues ndaj Kosovës lidhur edhe me shkëmbimin tregtar në rajon. Ai tha se Serbia është partner kryesor i biznesit, edhe pse shifrat e shkëmbimit tregtar me Kosovën janë tejet të larta dhe se Maqedonia është importuesi kryesor në shtetin e Kosovës. Gruevski gjithashtu ka theksuar se prioritet i Qeverisë së tij është kryerja e ndërtimeve të Korridorit 10, që e lidh Maqedoninë me Serbinë përmes Nishit, e që u shfaq si kundër-lidhje ndaj Korridorit të Tetë që e lidh Maqedoninë me Shqipërinë.
Shtrohet pyetja, nëse këtë betejë ekonomike dhe politike serbët nuk arritën ta realizojnë përmes luftërave të viteve nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi, a mund ta arrijnë në paqe? Kjo betejë është gjithnjë e më e vështirë, duke patur parasysh pozitat gjeografike dhe rolin gjeopolitik të shteteve respektive dhe raportet e tyre me fuqitë e mëdha.
Mirëpo, synimi i lidershipit serb me aleatët edhe në Maqedoni, përveç luftës diplomatike për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, së fundmi i ka dhënë për detyrë vetes që të krijojë edhe një baraspeshë të re kundër ngritjes ekonomike dhe politike në Shqipëri, ashtu sikundër edhe në Kosovë, si dhe ndërlidhjes shpirtërore mes këtyre dy vendeve. A është ky fillimi i një faze të re të rikthimit të peshës reale të shqiptarëve në rajon dhe a kanë drojë nga kjo peshë Serbia dhe Maqedonia? Gjithsesi se po...