Meditim për prangosjet e diktaturës, pas kufomës së prangosur që u gjet në Durrës
U gjet një kufomë e lidhur me pranga. Derëziu njeri. Me gazep ka ikur nga kjo jetë. Prangalidhur. Eh moj mënxyrë, diktaturë. Jetën që dha Zoti, diktatura e përdori në këtë vend të Ballkanit për llogari të saj. 700 fotografi kam parë në një tip ekspozite që hapën vuajtësit e diktaturës në Vlorë. Të ikur me dëshpërim nën krisma armësh të larë nga gjaku. Në tokën e tyre. Dhe dheu i ëmbël i mbështolli. Kreshnik Harshova një regjisor filmi më tregonte në Orik se kishte bërë ca muaj më parë një ekspozitë për të vrarët nga diktatura . Po a mjafton vetëm kaq. A e morën ata dëmshpërblimin moral. Sepse njëri ndër krerët e diktaturës sot mbahet si njeriu më i nderuar nga njëfarë medieje e majtë. Ky është Ramiz Alia. Shkruan libra, jep intervista, mburr diktatorin, shëtit i qetë rrugëve. Është edhe vejusha e diktatorit. Lexoni librin e Fahri Balliut se si e ka zbërthyer gjithë mekanizmin me të cilin vejusha ka vepruar në këtë vend. Edhe ajo jep intervista e shkruan libra. Rrojnë në këtë tokë edhe përse Zoti i ka harruar ata që janë përgjegjës për krimet e asaj diktature. Një kufomë e lidhur me pranga u gjet duke treguar se gjurmët krimit nuk shuhen sado të kalojë kohë, vite, shekuj. Edhe nëse i mbulon mjegullnaja e kohës, dëshmia rrënqethëse do t’i ndjekë si hije vrasësit. Krimin s’ka kohë që ta shuajë nga kujtesa.
Ja disa nga krimet: Në Korçë u zbuluan të masakruar trupat e vëllezërve Bulgareci. Në Lushnjë kryetari i shtatmadhorisë Mehmet Shehu pushkatoi 63 ushtarë rob të B.K,të cilët disa i vrau e disa i varrosi për së gjalli. Vritet njeriu si pulë, ndërsa drithërohemi kur bie një gjethe pemësh. Në janar 1944 u zbulua në Shispkë afër Korçës një gropë e madhe me 184 shqiptarë të masakruar. Disa prej tyre të identifikuar si Bame Gjonomadhi u gjet i rrjepur gjer në gjysmë. Cila ushtri chingizkane kishte udhëtuar në këto ane? Cila hordhi kishte përdorur mënyrën me mizore për të mbytur njerëzit dhe më tepër kundërshtarët politik duke i kaluar ne plumb? Por ajo që rrëfehet si terror i madh është hyrja në Tiranë e ushtrisë Çlirimtare. Në nëntor 1944 në rrëmujën e parë u futën nëpër shtëpia dhe u rrëmbyen rreth 400 vetë që përfunduan në plumb, duke ia vënë fajin gjermanit që ishte në ikje e nxitim. Në Shkodër u vranë 50 vetë. Torturat si në kohën e invazioneve. Djegie, ngulje gozhdësh, copëtim mishi. Ashtu provoi prifti Dom Ndre Zadeja. Si vdiq në Shkodër Simon Dragjati, në Fushë Krujë babai i teqesë Myrteza Kruja, në Tiranë, Kol Kuqali të cilët mbasi u torturuan u lëshuan nga dritaret e burgut. Kur burgjet shqiptare u inspektuan nga të dërguarit e posaçëm sovjetikë gjendja fillon e rëndohet më tepër. Me rastin e arrestimeve të vitit 1946 flitet se vetëm në Tiranë u morën 270 vetë nga burgjet,u torturuan dhe u pushkatuan. Vetëm duke lexuar kronikat e saj mund të kuptosh se çfarë kohe e atyre viteve kishte nxjerrë në shtrojën e një lufte kundër të mundurve nga lufta. Kështu vdes në Burrel nga torturat Novruz Mahil Hitaj nga Smokthina e Vlorës. Nga torturat çnjerëzore ndërroi jetë djali 17-vjeçar Ejup Lepenica. Në burgun më famëkeq të Burrelit thotë një kronikë ndërruan jetë nga torturat Muço Sherif Gjoni, Sulo Sheu. Vritet Haxhi Ibrahim Tresteniku. Mbas viteve mërgimi në Australi kthehet nga dëshira për mëmëdheun. Nga plumbat mizore të komunistëve vriten në Tiranë,vëllezërit Myftar e Gafur Jegeni,u arrestuan dhe u vranë pas plasjes së bombës në legën ruse në Tiranë. Nën një njoftim tjetër shkruhet se: “na lajmërojnë se në burgun e Shkodrës ka vdekë i mbytur nga torturat çnjerëzore Jakup Dervishi. Nga torturat e tmerrshme vdiq në burgun e Shkodrës Sadik Gruda.Një njoftim tjetër sjell këtë rast Përmendim vetëm se rreshter Hito Hitoja ka varrosur në një kanal të Korcës këta të internuam:ish-nënkolonel Tefik Hoxha, Baba Qazimi kryetar i sektit bektashi, At Josif Papamihali,kryetar i kishës katolike të Korçës. Me pushtimin e Shqipërisë nga ana e gjakësorëve të kuq, shkruan Dom Zef Shestani, Imzot Thaçi u ndry ne selinë e vet, porsi në një kala tue prit qetësisht e i gatshëm menin bolshevikë. E pa priftin e tij të vramë e të burgosën, kishat të mbyllura kuvendet e profanume djelmin e nëpërkëmbur, por ai s’u shtrua deri kur ra si bien heronjtë. Mbas tij ra Emzot Volaj Ikpeshkvi i ri e i fortë, i cili aq shumë i shërbeu rezistencës kombëtare. Dhe nuk kaloi shumë kohë thotë Dom Shestani, që Imzot Gjini, Abati i Mirditës, u martirizua prej zhullivje të kuq e mbylli varg e të persekutuarve imzot Vicenc Prenushi, shqiptari, poeti, mbrojtësi i vlerave shpirtërore, që i gjallë i vuri Shqipërisë së tij kunore “Gjethesh e lulesh” dhe u shpërblye me një kurorë ferrash ashtu si mjeshtëri i madh në malin e kalvarit....
Diktatura nuk ishte figurinë. Diktatura ishte realisht. Gjurmët e saj shfaqen sot edhe pas 20 vjetësh kur Shqipëria u nda prej saj.