E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimi, vrasësi i deputetit Xhindi, nga zona e Roskovecit

Autori apo autorët e vrasjes së deputetit dyshohet të jenë shumë afër Roskovecit. Ky është një nga dyshimet e ngritura te grupi i hetimit, për shkak të dinamikës së ngjarjes dhe faktit që vrasësi e ka njohur mirë si rrugicën dhe hyrje-daljet për në Roskovec. Autori ka ditur mënyrën si të futet në rrugicë pa u dalluar apo njohur nga banorët e zonës, por edhe si të dalë pas krimit të rëndë, pa u parë nga njeri dhe duke fshehur gjurmët edhe sot katër ditë pas ngjarjes së rëndë. Vrasësi dyshohet të jetë shumë afër, midis Roskovecit dhe fshatit të origjinës së viktimës, Kurjanit. Këto janë vetëm hipotezat e pas ngjarjes, nisur nga dinamika e kryerjes së krimit, ndërkohë që grupi hetimor vazhdon në mënyrë intensive hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Megjithatë, grupi hetimor vazhdon t’i përmbahet urdhrit të dhënë se çdo gjë duhet të mbahet sekrete deri në kanalizimin e hetimeve në pistën e duhur dhe identifikimin e autorëve. Për momentin, ashtu sikundër deklarohet nga burime zyrtare në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë katër pistat e hetimit, por pa theksuar ndonjë gjë më konkrete lidhur me to. Ndërkohë, pjesëtarë të grupit të hetimit thanë lidhur me ngjarjen se pas ngritjes së pistave po bëhet përjashtimi i tyre mbi bazën e provave. Jo zyrtarisht, këto burime shprehen se janë verifikuar dyshimet për një konflikt të mundshëm pronësie në fshatin Kurjan, ashtu sikurse edhe një mosmarrëveshje ndodhur kohë më parë. Por, sipas burimeve, ende nuk ka diçka konkrete për të kanalizuar hetimet vetëm në atë apo këtë pistë. Burime të tjera nga Laboratori i Kriminalistikës konfirmojnë faktin që në vendngjarje është gjetur një pako aspirinë, por mohojnë se në të ka një gjurmë të autorit. Burimet shprehen se aspirina dyshohet të jetë përdorur nga autori i vendosur në pritë për ekzekutimin e deputetit, por në pako nuk gjendet asnjë gjurmë.

Skena e krimit

Ekspertët kriminalistë kanë arritur të llogarisin distancën e plumbave të gjetur në vendngjarje dhe atyre në trupin e viktimës, si dhe nga është kryer qitja, duke ndërtuar dinamikën e ngjarjes së asaj nate, por pa arritur në një gjurmë të autorit. Sipas burimeve, autori, pasi e ka pritur viktimën rreth 30-40 minuta në këtë vend, dyshohet të mos ketë përdorur armë për herë të parë, pasi nga shpërndarja e plumbave tregohet se arma i ka dalë nga kontrolli teksa qëllonte mbi deputetin. Nga mënyra se si është qëlluar, sipas ekspertëve, tregohet se pas të shtënave në distancë, janë realizuar edhe qitje nga afër. Pasi e ka qëlluar në distancë prej 3 metrash, ekzekutori i është afruar dhe e ka qëlluar sërish me breshëri në kokë dhe në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, si dhe duke u siguruar për një gjë të tillë. Një gjë është e sigurt, sipas burimeve, që vrasësi e njihte mirë zonën dhe ka ditur çdo lëvizje të deputetit dhe hyrje-daljet për në Roskovec dhe Kurjan. Nga zbardhja e tabulateve telefonike të telefonit të deputetit të vrarë, sipas burimeve, nuk është gjetur asgjë që mund t'i ndihmojë ata më tej për hetimet. Ndërkohë, për dy ditë me radhë, grupi hetimor është duke marrë dhe ballafaquar dëshmitë e të gjithë fshatarëve dhe personave që e kanë parë gjatë ditës viktimën, madje dhe ata me të cilët ka ndenjur para se të vritej. Gjithashtu, dje dhe sot pritet të merren në pyetje familjarët e viktimës, të cilët do pyeten mbi të gjitha dyshimet që ka grupi hetimor, të ngritura gjatë hetimet apo dëshmive të mbledhura.

Ngjarja

Krimi i rëndë ka ndodhur rreth orës 21:15 të së shtunës, para portës së banesës së deputetit Fatmir Xhindi. Sapo është kthyer nga fshati i tij i lindjes, Kurjan, ku ka kaluar gati gjithë ditën, i ndjeri ka qenë duke parkuar makinën kur është qëlluar me breshëri automatiku, fillimisht në distancë dhe më pas nga afër. Ndonëse familjarët e tij kanë mbërritur me shpejtësi, 49-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa vrasësi ka mundur të largohet me shpejtësi duke shfrytëzuar edhe errësirën e madhe në rrugicën e shtëpisë së deputetit Xhindi. Menjëherë është lajmëruar policia dhe janë ngritur postblloqe në gjithë zonën, akset rrugore që lidhin Roskovecin me disa qytete të vendit. Megjithatë, edhe katër ditë pas ngjarjes, ende nuk ka një pistë konkrete apo të dyshuar për këtë krim të rëndë.

Urdhri

Vrasja e Xhindit, shtohen kontrollet në Kakavijë dhe Kapshticë

Pas vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, janë shtuar kontrollet në dy pikat kufitare me shtetin fqinj grek, ato të Kapshticës dhe Kakavijës. Policia i trembet faktit që autori i krimit të mund të largohet për në kufirin grek dhe është pikërisht kjo arsyeja e shtimit të efektivave. Gjithashtu, drejtuesit e policisë shqiptare u kanë kërkuar atyre të Janinës që të shtojnë numrin e kontrolleve në anën tjetër të kufirit. Por, sipas burimeve, vëmendja është përqendruar në territorin shqiptar, nga ku mendohet se vrasësi mund të përdorë një prej dy pikave doganore për të lënë Shqipërinë. Gjithashtu një shtim i madh i forcave të rendit vërehet edhe përgjatë akseve rrugore, kryesisht në jug të vendit. Tani ka më shumë postblloqe si dhe kontrolle. Sipas policisë, e gjithë është pjesë e masave të marra pas vrasjes së ndodhur të shtunën në mbrëmje.

Kunati: Fatmiri nuk kishte asnjë konflikt

Fatmiri nuk kishte konflikt me asnjë person. Kishte një familje solide dhe një vëllazëri për t’u pasur zili mbi mënyrën se si shkonin me njëri-tjetrin. Kështu deklaroi dje kunati i deputetit të vrarë, burri i motrës, mbi ndonjë konflikt të mundshëm të Fatmir Xhindit apo dhe probleme për pronësinë. Sipas tij, pronat, kunetërit e tij i kanë marrë jo vetën në bazë të ligjit, por edhe në bazë të akteve të pronësisë të të parëve, çka nuk shkaktonte probleme me banorët e tjerë në Kurjan. Sipas tij, i kërkojnë shtetit të zbardhë sa më parë ngjarjen dhe të vërë para drejtësisë autorët e këtij krimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›