Bie rrezikshmëria e gripit të derrit, ISHP: Situata, nën kontroll
Epidemia e gripit të derrave në botë nuk është me aq pasoja të rënda sa dhe pritej. Specialistët e shëndetësisë deklarojnë se ritmi i rritjes së rasteve të shënuara në Meksikë ka ardhur pas analizimit të mostrave të cilat ishin marrë më parë dhe nuk ishin ekzaminuar. Ndërkohë, për vendin tonë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, konfirmoi se deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar apo të dyshuar. Ndërsa specialistja e ISHP-së, Silva Bino, tha se me gjithë rënien e intensitetit të virusit A/H1N1, situata në Shqipëri është nën kontroll dhe se do të vazhdohet me strategjinë antiepidemike.
Vendimi
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, si dhe përfaqësues të Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë diskutuan dje lidhur me situatën e gripit të derrave në botë dhe në vend. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, bazuar në të dhënat e fundit në botë dhe rekomandimeve të OBSH-së, sqaroi se deri tani strategjia antiepidemike nuk do të ndryshojë, pasi lajmet tregojnë se ka vend për të vazhduar me këtë strategji. "Do të vazhdojmë të mbajmë vigjilencën dhe gatishmërinë", - konfirmoi ajo, duke garantuar se "çdo gjë është nën një kontroll të vazhdueshëm".
Ministrja e Shëndetësisë tha: “Në vend nuk ka asnjë rast të deklaruar dhe për momentin asnjë rast të dyshuar. Dy ditët e fundit, në datat 2-3 maj, në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur 3155 udhëtarë, 2198 shqiptarë dhe 957 të huaj nga Evropa, Amerika etj. 102 prej tyre janë nga Amerika dhe të gjithë janë marrë në inspektim, sikurse të gjithë ata që kanë mbërritur nga jashtë vendit. Asnjë prej tyre nuk është i dyshuar me virusin A/H1N1, sipas të dhënave nga Shërbimi Antiepidemik i Rinasit”. Në vend, sipas saj, situata vazhdon dhe të jetë e qetë dhe nën kontroll. “Në vlerësimin e situatës në botë ne do të rishikojmë strategjinë tonë nëse do të ripërshtatim diçka apo do të mbetemi në këto masa deri tani”, - tha ajo.
Të dhënat
Të dhënat e fundit në botë tregojnë se ka shtim rastesh në Evropë. Pacientët janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë mirë, ndërsa të dhënat tregojnë se nuk ka vdekje nga virusi A/H1N1. Specialistja e ISHP-së, Silva Bino, e cila prezantoi situatën në botë, tha se "epidemia e gripit të derrit në botë nuk është me aq pasoja të rënda sa dhe pritej, sidomos jashtë Meksikës". Sipas saj, aktualisht në Meksikë ka një rritje të rasteve, me konfirmimin e 590 rasteve dhe me 25 vdekje deri tani. Ritmi i rritjes së rasteve në Meksikë ka ardhur si procedim i mostrave, të cilat janë marrë më parë dhe nuk janë ekzaminuar. Të dhënat tregojnë se në të gjithë botën deri tani ka 991 raste me 26 vdekje. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka 226 raste dhe1 vdekje. "Në Meksikë ka një qarkullim komunitar aktiv, kurse në SHBA vihet re përhapje në shumë shtete, si dhe qarkullim midis grupeve të ndryshme të komuniteteve, sidomos në shtetin e Nju Jorkut, ndërsa në vendet e tjera në rastet më të mëdha janë raste të importuara nga Meksika", - tha znj. Bino. Në Kanada janë konfirmuar 86 raste, por ka raste dhe në Kolumbi, Kosta Rikë dhe Salvador. Përhapje ka dhe në vende të Amerikës Latine, me raste kryesisht të importuara nga Meksika. Ndërsa në Evropë, rastet më të shumta janë në Spanjë, që janë të importuara nga Meksika. Sipas znj. Bino, në Gjermani janë 8 raste, të importuara, por ajo çka vihet re, është se ka infeksion nga njeriu tek njeriu në 2 raste, të marra në spital. Rastet janë konfirmuar dhe në kontinentin e Azisë. Deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar në Ballkan dhe vetëm një të dyshuar në Novi Sad (Serbi). "Raste të dyshuara në botë ka shumë, por që nuk janë konfirmuar dhe deri tani janë negative. Kjo vjen nga rritja e survejanëcs dhe vigjilencës", - theksoi znj. Bino. Sipas saj, ISHP-ja çdo mëngjes do të paraqesë buletinin e situatës në vend për gripin e derrave. Ndër masat e deritanishme të marra për situatën e gripit të derrave janë përcaktimi i rastit dhe i mënyrës së hetimit të tij, përgatitja e udhëzimeve për punonjësit e kufirit, për specialistët, spitalet etj., si dhe takimet e vazhdueshme me ta. Procedurat e kontrollit dhe dezinfektimit, si dhe të masat higjeno-sanitare janë shtuar, gjithashtu theksohet se maskat nuk mbahen pa asnjë lloj indikacioni, por kur është e nevojshme.
OBSH
Konfirmon 985 raste të gripit të derrave, 26 të vdekur
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dha shifrën 985 për rastet e konfirmuara të gripit të derrave në 20 vende, duke përfshirë 590 raste në Meksikë, 25 prej të cilave fatale, si dhe 226 raste në Shtetet e Bashkuara, një prej të cilave rast vdekjeje, mësohet nga një bilanc i publikuar dje në faqen e saj të internetit. Bilanci i mëparshëm i dhënë dje në mbrëmje ishte 898 raste në 18 vende, 506 prej të cilave në Meksikë, mes të cilave 19 raste vdekjeje dhe 226 raste në Shtetet e Bashkuara, një prej të cilëve rast vdekjeje. OBSH-ja shton se "rritja e numrit të rasteve në Meksikë lidhet me testet që po kryen tek kampionët e marrë që më parë. Shifrat e OBSH-së shpesh janë më të vogla sesa ato të komunikuara nga vendet në fjalë, për shkak të procedurave të verifikimit të kryera nga organizata pas njoftimit të tyre.
Gripi i derrave
Pandemi e mundshme, vetëm në shtator
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pritet të rrisë nivelin e saj të alarmit për gripin e ri në nivelin maksimal dhe të shpallë një pandemi globale të gripit. Këtë la të kuptohej Drejtorja e Përgjithshme e agjencisë gjatë një interviste të publikuar. "Niveli gjashtë i alarmit nuk do të thotë në asnjë mënyrë se ne po përballemi me fundin e botës. Është e rëndësishme që kjo gjë të bëhet e qartë këtë, sepse kur të shpallim nivelin gjashtë, mund të krijohet panik i panevojshëm", - tha Drejtorja e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan, në një intervistë për gazetën spanjolle "El Pais". "Viruset e gripeve janë mjaft të paparashikueshme. Ne nuk duhet t'i nënvlerësojmë dhe nuk duhet t'i lejojmë virusit H1N1 mundësinë për t'u bashkuar me viruse të tjera. Për këtë arsye jemi në alarm", - tha ajo për gazetën. Chan paralajmëroi kundër besimit të tepruar pas një stabilizimi në regjistrimin e rasteve të reja të virusit të gripit H1N1, pasi hemisfera e jugut pritet të hyjë në stinën e dimrit kur epidemitë e gripit arrijnë kulmin e tyre. "Duhet të jemi mjaft të kujdesshëm. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë kur vendet në jug do të jenë në kulmin e gripit dhe kur të preken edhe nga virusi i ri i rrezikshëm, gjë që do të ndodhë pa dyshim", - theksoi ajo. Ajo tha se është ende shpejt për të parashikuar se sa do të jetë numri total i të infektuarve me virusin e ri H1N1 edhe pse Bashkimi Evropian ka parashikuar se 40 për qind e popullsisë do të infektohet.