E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama heq nga lista kryetaren e gruas socialiste



Edi Rama, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i PS-së, ka trumbetuar rolin e tij në promovimin e grave në politikë dhe në institucione, por përtej fasadës që duket, ai e bën këtë me preferenca personale. Kjo përzgjedhje mbi preferencat personale të Ramës dhe jo në bazë të meritave apo funksioneve dhe kontributeve partiake që kanë gratë në partinë më të madhe të opozitës, po përdoret në listat e kandidatëve për deputetë. Jashtë kësaj liste është Ermira Danaj, koordinatore e Forumit të Gruas Socialiste, e cila erdhi në krye të këtij forumi pikërisht pas ardhjes së Ramës në parti, si një prurje e re nga shoqëria civile. Por burime të besueshme pranë kryesisë socialiste pohojnë se Danaj nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që kjo listë kërkon minimalisht 30 për qind gra. Nuk di a e ka menduar kreu i PS-së se çfarë mesazhi dhe impakti ka tek gratë socialiste fakti që lihet jashtë listës kryetarja e forumit të tyre. Sigurisht nuk do jetë mesazhi i nxitjes për t’u aktivizuar dhe për të kontribuar në PS. Kjo tregon qartë se Danaj nuk është bërë pjesë e konjukturave të kryetarit të partisë dhe nuk i ka shërbyer atij duke humbur kështu mundësinë e kandidimit, ndërkohë që në këtë listë do jenë emra grash që nuk kanë funksione partiake apo janë krejt të panjohura për publikun dhe bazën socialiste. Ermira Danaj, vajza e publicistit Koço Danaj, u pa si një frymë e re në këtë forum në momentin kur kryetarja e forumit, Majlinda Keta, dha dorëheqjen për mungesë bashkëpunimi me Ramën dhe koordinatorja në detyrë, Natasha Paço, u largua nga vetë Rama. Kur u zgjodh drejtuese e gruas socialiste, Danaj, që vjen nga jeta akademike, u shpreh se “karriera është shumë e vështirë për t’u ndjekur nga shumë gra dhe vajza në Shqipëri” dhe duket se kjo shprehje është sot më e vërtetë se kurrë për vetë atë. Edhe pse hyri në majat e hierarkisë partiake, ajo nuk po mundet ta vazhdojë karrierën politike për shkak të klientelizmit në përzgjedhjen e emrave të kandidatëve për deputetë. Rama nuk humbet rast pa folur për angazhimin e grave në politikën e PS-së, por nuk angazhon ato gra që janë zyrtare të partisë. E njëjta gjë vlen dhe për kryetaren e forumit rinor, Megi Aytyresa, e cila gjithashtu u mbështet fort nga Rama dhe u cilësua një zgjedhje e tij për të rifreskuar këtë forum me emra të rinj pas ardhjes në krye të partisë. Megjithëse zyrtarisht Megi vazhdon të mbajë kryesimin e forumit, ajo prej kohësh nuk është aktivizuar më, duke e lënë rininë socialiste në heshtje të plotë politike. Emri i saj nuk figuron në listat e kandidatëve, ndërkohë që Rama tashmë ka ndryshuar preferenca për sa u përket të rinjve, duke vënë në krye të listës Ajola Xoxën, e cila pritet të marrë edhe drejtimin e forumit rinor socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›