E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshojnë në polici

Policët e EULEX’it po kujdesen që gjithçka të shkojë mirë në procesin ndaj pesë serbëve të arrestuar më 28 qershor në Gazimestan. Ata janë duke monitoruar procedurën juridike lidhur me këtë rast, si dhe kanë deklaruar se kanë qenë prezentë ditën e arrestimit të tyre nga Policia e Kosovës. Nga Nexhmije Ahmeti më 06 korrik 2011 në ora 08:30

Arrestimi i pesë serbëve ditën e Vidovdanit nga ana e policisë së Kosovës, ka shkaktuar jo pak zhurmë në Serbi. Mediat atje raportojnë se njëri nga të arrestuarit është rrahur egërsisht nga policia ditën e arrestimit. Ato i referohen avokatit të tij, Lubomir Pantovic.

Në bazë të deklaratave të avokatit Pantovic, në këtë proces është përfshirë edhe EULEX-i. Prokurorë të këtij misioni janë duke e mbikëqyrur procedurën në rastin e serbëve. Për të gjithë, gjykata ka caktuar nga një muaj paraburgim. Ndërkohë, burime të Expresist sqarojnë se EULEX-i ëhstë duke e shqyrtuar mundësinë që këta serbë të lirohen para afatit të dhënë nga gjykata. Sipas këtyre burimeve, kjo pritet të ndodh shumë shpejt.

Se edhe prokurorët e EULEX-it janë duke i monitoruar procedurat juridike, e konfirmon edhe zëdhënësja e këtij misioni, Irina Gudulevic. Ajo ka konfirmuar se policët e EULEX-it kanë dëshmitarë me rastin e arrestimit të serbëve në Gazimestan.

Pesë serbëve të arrestuar gjykata ua ka caktuar nga një muaj paraburgim. Njëri prej tyre është në Prishtinë, e katër të tjerë në Gjilan.

Avokati i Slavko Djordanit nga Kragujevci, ka deklaruar se klienti i tij ishte rrahur egërsisht nga policia. “Me rastin e arrestimit në Gazimestan nga intervenimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, atij i janë shkaktuar plagë të rënda trupore”, ka thënë Ljubomir Pantovic.

Megjithatë, ai nuk ka informata se në çfarë gjendje janë katër të arrestuarit e tjerë. Ai ka thënë se do të insistojë që të gjithë rastin ta marrin prokurorë dhe gjykatës të EULEX-it, meqë dyshon në objektivitetin e organeve gjyqësore të Kosovës. Hetimet kundër pesë serbëve po i zhvillon prokurori publik i Komunës së Prishtinës, me kërkesën e të cilit është caktuar paraburgimi prej një muaji. Sipas akuzave, të arrestuarit ngarkohen se kanë sulmuar policinë e Kosovës dhe se policia ishte detyruar të mbrohej. Një ditë pas arrestimit, serbët e arrestuar i ka vizituar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me ç’rast nga ta ka marrë ankesa se janë maltretuar nga policia, e veçanërisht, sipas Këshillit, në fytyrën e njërit prej tyre janë vërejtur edhe shenjat në fytyrë. Ata nuk kanë pasur vërejte në sjelljen e policisë në Qendrën e ndalimit si dhe kanë mohuar ta kenë sulmuar policinë.

Por policia e Kosovës rikonfirmon se ditën e Vidovdanit në Gazimestan, ata kanë arrestuar pesë persona, shtetas të Serbisë, për sulm ndaj personave zyrtarë.

“Ata kanë gjuajtur me gurë policinë”, tha për Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu. Ai sqaron se rasti tashmë i ka kaluar Prokurorisë dhe ky organ vendos për vendimet e mëtutjeshme.

Serbët që gjenden në paraburgim, para disa ditësh, janë vizituar edhe nga liderët e Partisë së Pavarur Liberale, kryetari Sllobodan Petrovic, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasha Rasic. Petrovic dhe Rasic kanë biseduar me të arrestuarit, të cilët kanë thënë se autoritetet në burg ndaj tyre sillen sipas rregullave të institucionit, përkatësisht në mënyrë korrekte.

Zëvendëskryeministri Petrovic ka shprehur keqardhje për incidentin në Gazimestan, por i ka hedhur poshtë raportet në disa media, sidomos të atyre nga Serbia, për gjendjen e keqe shëndetësore të serbëve të paraburgosur dhe se ndaj tyre po bëhet torturë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, ka shfaqur shpresën se organet e drejtësisë në Kosovë do të jenë efikase dhe të drejta në këtë rast dhe tha se respektimi i të drejtave të njeriut është qëllim kryesor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›