MTI, Jashtëligjshëm me licenca
Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, gjatë vitit 2010, ka pajisur jashtëligjshëm me licenca disa kompani ndërtimorë në Kosovë. Auditori Gjeneral, në auditimin e pasqyrave financiare për këtë ministri, ka gjetur së paku dy raste të këtij lloji, ku mungonin dëshmitë për pajisjet dhe përvojën e punës së stafit, ndërsa në një rast mungonin referencat për punët e kryera nga aplikuesit për licenca.
“Gjatë vitit 2010, MTI u kishte lëshuar licenca ndërtimi subjekteve ndërtimore që nuk kishin plotësuar kriteret e përcaktuara”, thuhet në raportin e Auditorit për MTI-në.
Saktësisht, licencat kanë qenë në kundërshtim me udhëzimin administrativ 10/2010 të MTI-së në sektorin e ndërtimtarisë. Me këtë udhëzim, për t’u pajisur me licencë paraprakisht duhet të dorëzohen dëshmitë në lidhje me përvojën përkatëse për punë të stafit teknik, pajisjet dhe preferencat për punë.
Shkelje tjera, Auditori ka gjetur edhe në prokurim. Madje, në një rast, MTI kishte bërë pagesën në shumë prej 1,448,000 euro ende pa filluar projekti. Fjala është për projektin lidhur me Parkun e Biznesit në Drenas.
“Afati për përmbushje të kontratës më datën 19.11.2009 për “Ndërtimin e Rrjetit për Furnizim Emergjent me Energji në Parkun e Biznesit në Drenas” ishte 250 ditë nga data e hyrjes në fuqi të kontratës”, konstaton raporti i ZAGJ.
Sipas raportit, punimet ende nuk kishin filluar për pjesën që përbente vlerën kryesore të kontratës. Arsyeja për këtë ishte problemi i pronave se ku do të vendosen shtyllat elektrike. Përkundër kësaj, pagesat për këtë kontratë në shumë prej 1,448,000 euro ishin bërë para fillimit të punimeve.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...