E Diel, 1 Nëntor 2026

E PAMËSHIRSHME. Tirana shkërmoq ApoloninëAgustin Kola e nis me fitore aventurën në krye të bardhebluve. Ultrasit e 23-herë kampionëve fyejnë rëndë mesfushorin Devolli

“Faleminderit Baka!” “Agustin, largo klanet!” Me këto banderola e festuan ultrasit “Fanatics” fitoren e thellë 3-0 të Tiranës kundër Apolonisë në “Selman Stërmasi” në javën e 15-të të Kategorisë Superiore, që përkoi edhe me debutimin e trajnerit të ri të bardhebluve, Agustin Kola, tekniku i nëntë zëvendësues në 12 skuadrat e Superligës deri në këto javë kampionat.

XHAFAJ – Sulmuesi i vetëm i 23-herë kampionëve, Daniel Xhafaj, në sfidën kundër fierakëve (Migen Memelli mungoi për shkak të pezullimit), dëshmoi se ishte në ditën e tij më të mirë te Tirana, duke realizuar dy gola, nga një për çdo pjesë loje: në minutat 37 e 47, duke i dhuruar avantazhin e qetësinë Tiranës për të administruar takimin në një ndeshje të zhvilluar tërësisht në reshjet e shiut. Për vlonjatin Daniel Xhafaj ky ishte goli i tretë sezonal. E ardhmja e tij te Tirana mund të rishikohet pas performancës plot grintë, duke u hequr nga lista e merkatos dimërore.

MUZAKA – Ish-mesfushori i Partizanit, Gjergji Muzaka, ende nuk e ka dhënë më të mirën e tij te bardheblutë, madje duke krijuar dyshime të mëdha nëse blerja e tij në shifra marramendëse (90 mijë euro) ia ka vlejtur apo jo. Muzaka ia doli të fitojë një penallti të akorduar nga gjyqtari Mentor Sopjani në minutën e 39-të, por topi i goditur nga futbollisti tiranas goditi traversën.

LILA- Mbrojtësi kavajas i Tiranës, Andi Lila, po shndërrohet në një faktor goli te bardheblutë. Futbollisti i Kombëtares shqiptare, i cili kishte shënuar edhe në fitoren 2-0 të Tiranës në fazën e parë në “Loni Papuçiu” (golin tjetër e shënoi Memelli) realizoi të shtunën në “Selman Stërmasi” golin e tretë për 23-herë kampionët në minutën e 64-t.

ULTRASIT – Tifozët e Tiranës ende nuk janë “zbutur” në marrëdhëniet me mesfushorin Bledar Devolli. Madje kur gjirokastriti u zëvendësua në pjesën e dytë, edhe pse rezultati ishte 3-0 për bardheblutë, ultrasit e Tiranës nuk pushuan duke thirrur: “Ik, ik!”
Në një letër të publikuar në mediat sportive, tifozët e Tiranës kërkuan me forcë largimin e mercenarëve, duke iu referuar lojtarëve të blerë gjatë merkatos verore, e në mënyrë të veçantë atyre të ardhur nga “armiku i përjetshëm”, Partizani: Tefik Osmani, Gjergji Muzaka e Bledar Devolli.

STATISTIKA – Edhe pse mori fitoren e para pas tri javësh, tri pikët kundër Apolonisë, bardheblutë vazhdojnë të jenë në vendin e dytë, pas Vllaznisë, që nga ana e saj fitoi ngushtësisht me Flamurtarin (1-0) në “Loro Boriçi”. Për Tiranën, fitorja e 7-të sezonale kundër Apolonisë ishte e 49-ta historike në 67 përballje historike, kundrejt 13 fitoreve të fierakëve (10 barazime). Në javën e 16-të Tirana do të përballet me Flamurtarin në Vlorë. Në fazën e parë Tirana fitoi 3-1, falë tre golave të Migen Memellit, i cili do të jetë në dispozicion të trajnerit Agustin Kola. Apolonia do të presë në shtëpi Partizanin, duke parë dhe diferencën midis dy ekipeve. Apolonia fitoi në fazën e parë në kryeqytet 1-0 falë golit të Klodian Asllanit.

Tirana - Apolonia 3-0
Shënues: Danidel Xhafaj 35′, 47′, Andi Lila 64′

Tirana: Nallbani, A.Lila, Pezo, Dabulla, Abraham, Arapi (S.Lilaj 78′), Devolli (Deliallisi 73′), Agolli, Sefa (Sorra 82′), Muzaka, Xhafaj. Trajner: A.Kola

Apolonia: Dine, Shoshi (Mirçeta 66′), Spaho, Sreçkoviç (Dhrami 56′), Elmazi, Kelmendi, Haxhibuliç, Çerçizaj, Meto, Asllani (Rroshi 78′), Bërkiç. Trajner: E.Karishik

Gjyqtarë: M.Sopjani, I.Shima (Durrës), D.Salaj (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Spaho, Arapi, Shoshi, Dabulla

 
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15, 13.12.2008

Elbasani-Dinamo         2-2
Besa-Shkumbini         2-0
Lushnja-Bylisi        1-1
Tirana-Apolonia        3-0
Vllaznia-Flamurtari    1-0
Partizani-Teuta         0-0

RENDITJA PAS JAVËS 15
              PIKË     GSH     GP
1     Vllaznia     31     23     12
2     Tirana     27     19     10
3     Teuta     24     12     8
4     Dinamo     23     18    11
5     Besa         22     16     15
6     Shkumbini     20     16     13
7     Flamurtari 20     11     9
8     Elbasani     20    13     12
9     Bylisi     17     10     16
10     Apolonia     12     13     24
11     Lushnja     12     11     21
12     Partizani     10     9     17

E Diele, 14 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›