E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mandatet e deputetëve tanë nuk digjen"

Deputetët socialistë nuk do të hyjnë në Kuvend dhe nuk do t‘i humbasin mandatet e tyre. Kryetari i PS-së, Edi Rama, reagoi dje për herë të parë për debatin e humbjes së mandateve të deputetëve për shkak të mungesës së gjatë në Parlament. Në protestën e radhës në qytetin e Elbasanit, Rama tha se mazhoranca po kërkon me gjithfarë diversionesh që të thotë të pavërteta lidhur me mandatin e deputetëve socialistë. "Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme, e iu thonë të pavërteta nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS-së. Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t‘u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara së vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen, sepse i kanë ato mandate për t‘i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës", u shpreh Rama. Kryetari i Partisë Socialiste bëri thirrje për hapjen e kutive gjatë protestës, ndërsa deklaroi se Berisha ka frikë nga hapja e tyre. "Shteti ka dalë nga binarët e Kushtetutës dhe ligjit. Pushteti i Sali Berishës është kthyer me gjithë arrogancën e vet. Ai nuk do që të hapen kutitë, se aty gjendet fundi i pushtetit të familjes së tij. 20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike për t‘u ndarë nga një histori e shëmtuar që arriti kulmin në 28 qershor", theksoi Rama. Në fjalën e tij, kreu socialist përmendi çështje të tjera, si shembja e tunelit të rrugës Durrës-Kukës, problemet me pronat e tij. "Tuneli u shemb pa afat, ndërsa sot media lajmëroi shembjen e tij. Tani duhet nxjerrë qindra miliona euro të tjera për të riparuar atë tunel dhe për të mbuluar kështu krimin ekonomik që u ka shkaktuar shqiptarëve për shkak të korrupsionit në një vepër të domosdoshme", vijoi Rama. Ndërsa në lidhje me pronat, ai vuri në dukje se pronat e shqiptarëve bëhen kurban në tryezën e qeverisë dhe kthehen në prona të familjes së qeverisë. "Berisha nuk do që të hapen kutitë, sepse brenda në ato kuti është fundi i interesave të pushtetit të tij", tha ai. Rama dënoi dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, duke e lidhur atë me interesat e Kryeministrit Berisha. "Një gazetar i padëshirueshëm për pushtetin e Berishës u gjakos nga një biznesmen i familjes, i cili nuk paguan taksat dhe i përzë me policët e shtetit e me policët e tatimeve", është shprehur Rama. Ndërkohë, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e ka konsideruar kreun e qeverise si një të keqe të madhe të vendit. "Është një e keqe e madhe e këtij vendi, që duhet zhdukur sa më parë. Ka futur duart në vota dhe nuk i mjaftuan tokat, pronat dhe pasuritë për të vjedhur. Mori iniciativën për të manipuluar për herë të dytë zgjedhjet në Shqipëri dhe do ta paguajë rëndë", u shpreh Ngjela. Sipas tij, Berisha është pengesa kryesore që na mban larg Perëndimit. "20 nëntori do të na ndajë me të keqen. T‘i dalim përpara më 20 nëntor kësaj të keqeje dhe t‘i japim fund", tha Ngjela.
Ndërsa deputetja e PS-së në Qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj, foli për shqetësimet e banorëve të kësaj zone. "Ne duhet të jemi bashkë për t‘i dhënë fund abuzimit me pronat shtetërore, të krijuara me mundin e djersën tuaj, që shiten e përdoren për interesa të qeveritarëve. Ne duhet të luftojmë së bashku për metalurgët e Elbasanit, jeta mesatare e të cilëve është 16 vjet më e ulët se ajo e republikës dhe 23 vjet më e ulët se e vendeve të BE-së", tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›