Kryebashkiakët e PS: Arsyet pse kërcënojmë me grevë
Një ditë pasi deputeti socialist, Eduart Shalsi, paralajmëroi grevën e bashkive socialiste për shkak të cenimit të autonomisë lokale vijnë edhe reagimet e kryebashkiakëve. Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë së Vlorës thotë se "i kemi bërë thirrje Kryeministrit që të zhbllokojë situatën dhe normalisht ka ngelur që ne të bëjmë një protestë të tillë për bojkotimin e bashkive dhe që në përfundim të marrim një përgjigje". Sipas tij, ky është një vendim kolegjial i të gjitha bashkive, qendrave të qarkut që përfaqësohen nga të majtët. "Ne jemi të shqetësuar për cenimin e pavarësisë së pushtetit vendor, për ndërhyrjet në planifikimet e buxhetit, për selektimin e ndarjes së grandeve konkurruese, sigurisht dhe në ndërhyrjen e qeverisë për buxhetet e bashkive që do të thotë se na pengojnë për hartimin e planeve të buxheteve ashtu siç i kemi ne", u shpreh Gjika. Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo, tha se hapi paraprak që do të regjistrojë Bashkia e Fierit, përballë cenimit të autonomisë së pushtetit vendor nga ana e qeverisë, do të jetë ndërprerja për pak ditë e disa shërbimeve për komunitetin. Zeqo është shprehur se ndërprerja e shërbimeve si dhënia e certifikatave, dhe vërtetimeve të ndryshme do të realizohet brenda një afati kohor mjaft të shkurtër, ndoshta javën e ardhshme. "Unë personalisht shprehem se dorëheqja do të ishte një element shumë i rëndësishëm, nëse qeveria shqiptare do të vijojë të zbatojë vendimet e marra", u shpreh Zeqo. I kontaktuar nga gazeta, kryetari socialist i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, thotë se është dakord me bojkotin e shërbimeve, si formë e parë reagimi ndaj cenimit të autonomisë lokale nga pushteti qendror. Reagimi ndaj qeverisë me bojkot të shërbimeve është i pranueshëm edhe për kryetarin e Komunës së Niklës në rrethin e Krujës që i përket Qarkut Durrës. Rrahman Rrenja thotë se pushteti vendor nuk duhet të cenohet në kompetencat, hapësirat e tij dhe se ai do të mbështesë çfarëdo lloj vendimi që do të marrë Partia Socialiste. Niko Peleshi kryebashkiaku i Korçës deklaroi se vendimet e qeverisë kanë ndikim direkt në shërbimet ndaj komunitetit dhe qytetarëve. Peleshi e konsideron një hap mbrapa këtë lëvizje të qeverisë për sa i përket procesit të decentralizimit duke vënë në krizë dhe në dilemë pavarësinë e këtyre pushteteve me "futjen e duarve" në këto njësi, ndërsa qëndrimet kundër dhe format e reagimit sipas tij do të jenë të rënda jo vetëm në bashkitë e mëdha. "Vendimet e qeverisë janë një hap mbrapa në procesin e decentralizimit. Të futësh duart në pushtetet lokale do të thotë t‘i vesh në krizë, ndërsa reagimi do të jetë jo vetëm politik, por edhe qytetar nga cenimi në mënyrë direkte i autonomisë administrative dhe fiskale", deklaroi Peleshi. Për sa i përket bojkotit ndaj shërbimeve si formë reagimi kundër qeverisë dhe si një shenjë proteste kundër cenimit të autonomisë lokale, Niko Peleshi, del kundër Berishës kur thotë se qëndrimi do të jetë aq i ashpër sa dhe vetë qëndrimi që do të mbajë qeveria për këtë çështje. "Ne do të bashkërendojmë qëndrimin tonë me bashkitë e tjera në mbrojtje të interesave të qyteteve tona. Deri ku do të shkojë ky qëndrim kjo do të varet nga vullneti i qeverisë për të reflektuar", nënvizoi Peleshi. "Jemi në sinkron me deklaratën për përshkallëzimin e protestave tona ndaj fushatës që ka ndërmarrë Kryeministri për cenimin e kompetencave të të zgjedhurve vendorë sikurse po bën edhe me Bashkinë e Tiranës", pohoi kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani. Edhe për kryetarin e Komunës së Shushicës, Lutfi Lala, dhe atë të Shirgjanit, Mustafa Shehu, mbetet i njëjti qëndrim. Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrustem Struga, që përfaqëson të majtën, i pyetur në lidhje me idenë e hedhur nga Shalsi për bojkotin e punës së njësive vendore të majta për shkak të ndërhyrjes nga pushteti qendror tha se "ne si bashki jemi lënë në harresë nga pushteti qendror, më shumë fonde ka një komunë e Pukës që drejtohet nga e djathta se ne si bashki që përfaqësojmë një qytet", u shpreh ai. Më tutje kryebashkiaku shton se "nëse pushteti qendror fillon dhe të ndërhyjë pastaj në kompetencat e bashkisë nuk mbetet veç ta lënë krejtësisht detyrën".