E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Beqirit, mes Vllaznisë dhe Turqisë

E ardhmja e Elvin Beqirit për pjesën e mbetur të sezonit ka shumë mundësi që të jetë sërish te Vllaznia. Një gjë e tillë është bërë e njohur nga burime të besueshme pranë lojtarit. Gjithsesi, gjithçka është për t‘u parë në ditën e sotme, kur edhe do të mësohen se cilat janë përfundimet e bisedimeve mes presidentit të kuqebluve, Valter Fushaj, dhe vetë lojtarit. Kontrata e Beqirit me Vllazninë ka skaduar në fund të dhjetorit të vitit 2008 dhe ai është një lojtar i lirë. Takimi mes palëve është zhvilluar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:30, dhe ka vazhduar deri vonë. Megjithatë, Vllaznia nuk është mundësia e vetme për të ardhmen e lojtarit. Është mësuar ditët e fundit se për të ka edhe një ofertë nga Turqia, por vetë lojtari ka preferuar të mos ta bëjë publik emrin e skuadrës. Vendimtare në zgjedhjen e tij do të jetë oferta më e mirë. Ndërkohë, shkodranët, të cilët kanë udhëtuar drejt Ulqinit, ku edhe do të zhvillojnë minifazën përgatitore deri më 24 janar, janë në pritje të mbërritjes së Xhevahir Sukajt nga Turqia. Vetëm dy ditë më parë u vendos që sulmuesi i talentuar, i cili 6 muajt e parë të këtij sezoni luajti te Haxhetepe në Turqi, të rikthehet te Vllaznia në formë huazimi. Ndërsa e ardhmja e Admir Telit është e ndarë mes Kroacisë dhe Vllaznisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›