Kelmendi siguron një vend mes 8 më të mirave në Londër
Vazhdojnë momentet magjike për Majlinda Kelmendin. Xhudistja pejane ka shkëlqyer në Kupën Botërore të Abu Dhabit, duke e fituar medaljen e artë. Për 20-vjeçaren, kjo ishte medalja e tretë e artë. Ajo shtoi në konton e saj edhe 200 pikë, të cilat pothuajse ia siguruan një vend në Top 8, në Olimpiadën e Londrës. Për të tretën herë rresht, Majlinda Kelmendi ka fituar Kupën e Botës, kategoria A. Xhudistja kosovare ka triumfuar në evenimentin ‘Abu Dhabi Grand Prix’, i cili u mbajt në Abu Dhabi, pasi në finale e mposhti kinezen Hongmei HE. 20-vjeçarja ka qenë e papërmbajtshme dhe larg më e mirë se kundërshtaret. Në gjysmëfinale, sportistja më e suksesshme kosovare pas luftës, pa problem ka ngadhënjyer ndaj xhudistes nga Mongolia, Bundma Munkhbatar.
Ndërsa, edhe në finale nuk hasi në ndonjë rezistencë të fortë të xhudistes kineze, e cila është e 13-ta në botë. Për Majlindën, ky ishte suksesi i tretë rresht, pas atyre në Kupën e Botës së Romës në Itali dhe në atë të Minskut në Bjellorusi. “Është një kënaqësi shumë e madhe për ne, ndihemi krenarë që e kemi një sportiste të tillë. Majlinda e konfirmoi formën e mirë edhe në Abu Dhabi, ku morën pjesë xhudiste të njohura botërore. Ky eveniment ishte më i rëndësishëm se ai i Romës dhe Minskut, kështu që Majlinda fitoi 200 pikë olimpike”, deklaroi trajneri i Majlindës, Driton Kuka. Sukseset e njëpasnjëshme të fundit të xhudistes kosovare e afrojnë atë me objektivin që e kishte që nga fillimi - të përfundojë mes 8 të parave, që përkthehet short i favorshëm në Olimpiadën e Londrës. “Me këtë sukses, Majlinda duhet të jetë në Top 8, që do të thotë se do të jetë kokë grupi në Olimpiadë dhe do t’u shmanget kundërshtareve të forta, së paku deri në çerekfinale”, përfundon trajneri Kuka.