E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E ardhmja e Shqipërisë integrimit në BE, të fitojmë kohën e humbur për në Europë”

04-04-2012 / Gazeta 55

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në Konferencën e LRI-së në Elbasan

“E ardhmja e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me progresin e procesit të integrimit europian sepse kjo është e ardhmja për të gjithë, për rajonin tonë, për një rajon në paqe, për një rajon nuk harxhojnë të shumtën e kohës për tu marrë me të kaluarën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre por për një rajon dhe për një Shqipëri ku politikanët i përqendrojnë të gjitha energjitë e tyre dhe vizionin e tyre për të ardhmen e rinisë, për të ardhmen e këtij vendi dhe të këtij rajoni”.
Kështu ka deklaruar kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi me rininë elbasanase në Konferencën zgjedhore të LRI-së.
I shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Meta tha ne vazhdim se, “LRI ka qenë gjatë këtyre viteve shembulli më i mirë i angazhimit konkret plot pasion dhe plot dashuri për vendin në radhë të parë. Ka qenë shembulli më i mirë i investimit të gjithë energjive të të rinjve dhe të rejave, të ëndrrave të tyre për të ardhmen, për alternativën më të lidhur me proceset e integrimit europian në vend që është LSI. Nuk ka garanci më të madhe për një të ardhme e cila siguron perspektivën e gjeneratave të reja sesa vetë angazhimi i të rinjve në politikë”, u shpreh më tej Ilir Meta.
Duke u ndalur te program i LSI, Meta tha se një nga pikat më të rëndësishme të këtij program është për rininë. “Një rritje cilësore e rinisë, me politika më fleksible për punësimin e të rinjve, është prioriteti ynë për të ardhmen e të rinjve, pasi ne duam një rini aktive dhe të shëndetshme, larg alkoolit dhe drogës, larg fenomeneve të tilla që janë shqetësim për të gjithë”, vijoi fjalën e tij Meta.
Duke e cilësuar rininë si e ardhmja e vendit, nga Elbasani Meta u ka bërë apel politikanëve për të përshpejtuar përmbushjen e të gjitha prioriteteve të BE që vendi të marrë statusin. “Është koha për të fituar edhe atë kohë që është humbur me pa të drejtë sepse nuk mund të pranojmë që të mos respektojmë kohën, ajo është më e çmuar dhe më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër sepse çdo minutë e humbur është një cenim i të gjithë interesave tuaja dhe të të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga Elbasani ne i ftojmë të gjithë politikanët që të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive sepse vendi ka nevojë për vendime të të rëndësishme, ka nevojë për përgjegjësi të përbashkëta në këto moment kur bota, Europa dhe rajoni janë të tronditur nga një krizë mjaft serioze ekonomike dhe financiare. Në këto momente Shqipëria nuk duhet të penalizohet më tej për shkak të interesave të ngushta partiake të cilitdo. Ndaj LSI do të vazhdojë të përqendrojë të gjithë energjitë e saj në prioritetin madhor të përshpejtimit të integrimit europian të vendit sepse kjo është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë aspirata e brezit të ri, e gjeneratave të ardhshme”, vijoi Meta.
Për kreun e LSI-së, integrimi është jo qëllim, por detyrìm i politikanëve ndaj qytetarëve.
“Për ne integrimi nuk është thjesht një qëllim në vetvete por integrimi është e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë për të përshpejtuar reformat, për të zhvilluar shoqërinë tonë në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të barabarta me të gjithë ata të Europës. Nuk duhet më që të gjithë politikanët shqiptarë, për shkak të luftës politike, të hedhin baltë mbi njëri-tjetrin sepse në këtë mënyrë hedhin baltë edhe ndaj vendit, në këtë mënyrë nuk e rrisin besueshmërinë e vendit tonë dhe të vetës sonë në raport me partnerët ndërkombëtarë. Sa paragjykime na u desh të kapërcenim për të hequr për të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. Nuk ishin të paktë ata që jepnin alarmin, jashtë dhe brenda vendit, se po të hiqen vizat me Shqipërinë 1 milion shqiptarë nuk do të kthehen më në Shqipëri por do të kërkojnë azil në BE”, nuk la ai pa ironizuar qëndrimet e opozitës.
Rruga e reformave, është e vetmja rrugë e shqiptareve, theksoi më tej Meta. “E kundërta ndodhi. Shqiptarët si askush tjetër për gjatë të gjithë këtij viti treguan se janë qytetarë të denjë europianë, se janë qytetarë të cilët i përmbushin detyrimet si të gjithë të tjerët, madje edhe më mirë se shumë të tjerë”, përfundoi Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›