Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi do të forcohet edhe më tej në të ardhmen

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami priti ambasadorin e britanik, Nicholas Cannon OBE
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, priti dje në një takim të veçantë ambasadorin e Britanisë së Madhe të akredituar në Tiranë, Nicholas Cannon OBE. Pasi e uroi për detyrën e re të ambasadorit britanik në Tiranë, ministri Imami i shprehu Cannon besimin e plotë se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi dypalësh që ekziston midis dy vendeve dhe ushtrive tona do të forcohet edhe më tej në të ardhmen.
Ministri Imami vlerësoi ndihmën që Britania e Madhe ka dhënë për arsimimin dhe kualifikimin e ushtarakëve shqiptarë në Angli, trajnimet e përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake, duke theksuar se ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe më tej. Kështu, një vend të veçantë pati diskutimi mbi trajnimin e pilotëve shqiptarë që do të drejtojnë helikopterët e rinj francezë “Cougar”, që pritet të vijnë në vendin tonë.
Imami tha se së shpejti do të realizohet nënshkrimi i kontratës me kompaninë britanike që do të bëj trajnimin e pilotëve tanë. Me interes të veçantë u diskutua edhe mbi 2 stërvitjet që janë zhvilluar në vendin tonë gjatë vitit të shkuar midis Forcave Detare Shqiptare dhe atyre angleze, si dhe për dy stërvitje të tjera që janë parashikuar të zhvillohen në muajt e ardhshëm të këtij viti.
Ministri Imami foli edhe për procesin e demilitarizimit, një proces ky mjaft i vështirë, por tepër i suksesshëm, i cili do të përfundojë në vitin 2013.
Ambasadori Nicholas Cannon Obe falënderoi ministrin e Mbrojtjes Imami për pritjen që i rezervoi, si dhe për vlerësimet që ai bëri për marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, sidomos në fushën ushtarake, duke nënvizuar sidomos bashkëpunimin që FA Shqiptare dhe FA Angleze kanë pasur gjatë vitit të shkuar me dy stërvitjet e përbashkëta që u zhvilluan në ujrat e detit Adriatik dhe Jon. Gjithashtu ai vlerësoi angazhimin e FA Shqiptare në Afganistan, duke theksuar se paqeruajtësit shqiptarë po bëjnë një punë mjaft të vyer dhe të mirë në favor të paqes. Lidhur me këtë çështje ministri Imami u shpreh se FA Shqiptare do të vijojnë të kontribuojnë në favor të paqes, jo vetëm me misionet e luftimit, por edhe në misionet e tjera që lidhen me trajnimet që bën NATO.
Në takim dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për probleme të tjera që lidhen me bashkëpunimin midis dy vendeve tona, bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e anëtare të NATO-s dhe vende të tjera partnere, për sigurinë në rajon etj.
Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon Obe, ka zëvendësuar në këtë detyrë ambasadoren Fiona Mcllwham, e cila para pak kohësh përfundoi misionin e saj dhe u largua nga vendi ynë.