E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sulmet për mandatin e Seserit, qesharake - Rama të heqë dorë nga politika e bllokimit”

04-04-2012 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i drejtohet publikisht kreut të PS

“Sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste për marrje të mandatit të PS nga Kryetarja e Parlamentit janë qesharake. As nuk ka pasur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë tendencë për të ngadalësuar apo për të privuar PS nga mandati që i takon!”.
Kështu u shpreh dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli në një deklaratë për shtyp në emër të Kuvendit që ajo drejton, ndërsa i kujtoi kreut të PS-së Edi Rama, se, “në qoftë se i është mërzitur marrëveshja, duhet të mbajë parasysh se atë nuk e ka për hir të mazhorancës”.
Topalli thotë se, “akuza e zotit Rama është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka pasur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë”, shton Topalli.
Më tej kryeparlamentarja sqaron se, në mbledhjen e djeshme (pardjeshme) anëtaret e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve kanë diskutuar gjatë mbi vendimin e KQZ, duke shprehur disa mendime. Sipas Topalli, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, ka ngulur këmbë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, antikushtetues dhe se mandati është i pavlefshëm. Gjithashtu, ishte zoti Ruci ai që i kërkoi Kryetares së Parlamentit ta shpallë jokushtetues vendimin e KQZ, në një kohë kur këtë autoritet nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese.
“Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnjë institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Gjithashtu, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket  PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore”, thotë Topalli.
Sipas kryeparlamentares, duke qene se anëtarë të ndryshëm të të dy forcave politike kishin mendime të ndryshme, Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve të konsultohen dhe të kontribuojnë me vullnet të mirë dhe me maturi në gjetjen e modaliteteve ligjore për rastin në fjalë.
Kryetarja e Kuvendit vlerëson se anëtarët e Këshillit kanë bërë diskutime të përgjegjshme dhe se është e kënaqur që konsultimet për gjetjen e modaliteteve ligjore po vazhdojnë. “Nëse zotit Rama i është mërzitur marrëveshja dhe po kërcënon me rikthimin e politikës së bllokimit, që është dhe natyra e vetme e Edi Ramës, ai duhet të mbajë parasysh se marrëveshjen nuk e ka për hir të mazhorancës”, përfundon deklarata e zonjës Topalli.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh të hënën nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në mbledhjen e tij, ky këshilli diskutoi për verifikimin e mandatit të deputetit, Gjon Bardhi, të dhënë me vendimin nr. 2, datë 13. 01. 2012, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pasi dëgjoi mendimet dhe argumentet e të gjithë anëtarëve të tij, u shpreh për dërgimin në seancë plenare, të raportit me qëndrimet e të të dy palëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›