PS nxjerr në rrugë të përndjekurit
Lushnjë, kryetari i bashkisë urdhëron dorëzimin e zyrës
Demaskohet shumë shpejt loja joshëse e Edi Ramës ndaj të përndjekurve politikë. Ndërsa ai përditë çirret, për “zgjidhjen” e të drejtave të tyre, vartësit e tij në parti, të zgjedhur vendorë, vazhdojnë ende përndjekjen e kësaj shtrese të shoqërisë.
Shoqata e të përndjekurve politikë në rrethin e Lushnjës me urdhër të bashkisë së këtij rrethi është nxjerrë jashtë nga zyrat e saj. Prej disa ditësh kësaj zyre i është vënë një tjetër çelës nga bashkia e Lushnjës, ndërsa të gjitha materialet e punës së shoqatës janë kyçur brenda.
Kryetari i bashkisë Fatos Tushe ka nxjerrë urdhër për largimin e kësaj shoqatë nga ambientet ku për 12 vjet ka kryer veprimtarinë si shoqatë, me pretendimin se këto ambiente do t’i kthehen pushtetit lokal.
Ndërkaq 4700 anëtarë të kësaj shoqate janë tepër të shqetësuar dhe të irrituar.