OSBE: Numërimi elektronik funksionon, por duhet besimi i palëve

Në një deklaratë mediatike, Eugen Wolfarth, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri thekson se “janë bërë hapa të rëndësishëm për reformën zgjedhore” dhe se “Kushtetuta është e qartë për zgjedhjen e Presidentit”
Janë bërë hapa të rëndësishëm për reformën zgjedhore dhe koha e mbetur duhet të shfrytëzohet nga partitë politike.
Kjo ka qenë deklarata e ambasadorit te OSBE në Shqipëri lidhur me hapat që janë marrë për një ndër reformat më të rëndësishme në vend. Eugen Wolfarth tha se numërimi elektronik mund të funksionojë po duhet besimi i palëve.
Në përfundim të konferencës së mbajtur mbi nënshkrimin e marrëveshjes mes zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, Wollfarth u shpreh për mediat se, “janë bërë hapa të mëdha por mendoj se ka ende punë për të bërë por koha që ka mbetur nuk është shumë e gjatë deri në fund të prillit dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që koha të përdoret më së miri dhe të krijohet një klimë e mirë dhe konstruktive brenda komisionit parlamentar për reformën zgjedhore”.
Në këtë kuadër ambasadori Eugen Wollfarth shtoi se numërimi elektronik mund të funksionojë po duhet besimi i palëve. “Për sa i përket numërimit elektronik mendoj që mund të jetë efikas dhe kjo varet nga sistemi që do të zgjidhet. E rëndësishme dhe diçka që nuk mund të zëvendësohet është besimi që njerëzit duhet te kenë në këtë sistem”.
I pyetur nëse zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me konsensusin mes palëve përderisa me sistemin aktual mazhoranca mund ta zgjedhë vetëm me votat e saj, kreu i OSBE-së në Tiranë tha se Kushtetuta e ofron zgjidhjen.
“Kushtetuta aktualisht e lejon zgjedhjen e presidentit vetëm me votat e mazhorancës, por unë mendoj që është e rëndësishme që të përdoret sa me mirë koha që ka mbetur për të zgjedhur një kandidat ose kandidatët e përshtatshëm”, tha Wolfarth.
Wolfarth tha se është shumë i rëndësishëm miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, pasi është një institucion, i cili do të ndihmojë shumë bizneset dhe zgjidhjen e konflikteve administrative në vend.
Më tej ambasadori i OSBE-së tha se do ta përshëndeste me shumë kënaqësi arritjen e konsensusit nga pozita dhe opozita. “Është e rëndësishme që të ketë një miratim, por para se të arrihet në një konsensus është diskutimi dhe unë do të përshëndesja nëse në një të ardhme të afërt do të arrihet një konsensus sepse Gjykata Administrative është shumë e rëndësishme për investimet në vend për zhvillimin ekonomik, për hapjen e punëve që janë pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi”, deklaroi Wolfarth.