E ardhmja e krishtërimit duket se po zbulohet në Kinë
Kur Ten Hsiao Pini zbuti shtypjen e Partisë Komunistr Kineze mbi praktikat fetare në fund të viteve ‘70, krishtërimi filloi të lulëzonte në Kinë. Ky ka qenë një fenomen i papritur, pasi si histori ka mbetur e paprekur nga mediat perëndimore. Ndërsa shifrat janë jo të plota, është llogaritur se misionarët e krishterë (ku të parët ishin Nestorianët, të ardhur gjatë Dinastisë Tang në shekullin e shtatë) u dëbuan nga Republika Popullore e Kinës në vitin 1949 dhe lanë pas rreth gjysëm milioni njerëz të pagëzuar - shumica e të cilëve katolike. Sot numërohen të jenë rreth 40 - 100 milionë të krishterë.
Revolucioni kulturor i Mao Ce Dunit ndaloi të gjitha format e shprehjes fetare, duke i detyruar të krishterët të praktikonin fenë e tyre nëpër kishat-shtëpi. Pas revolucionit kulturor dhe pasi kuptuan rrezikun e madh të këtyre praktikave të pakontrolluara, Partia Komuniste e riktheu lëvizjen patriotike dhe themeloi Këshillin Kristian të Kinës, si një organizatë formale e protestantëve të Kinës. Megjithëse është përdorur fjala Krishtërim në këtë organizatë, ajo nuk ka asnjë lidhje me Vatikanin, pasi Republika Popullore Kineze i druhej ndërhyrjes perëndimore. Gjatë kësaj periudhe kishat-shtëpi pësuan një boom në popullaritet, fillimisht nëpër fshatra e më pas u përhapen nëpër qytete. Arsyet për këtë bum janë të dyfishta. E para është se kinezet kanë parë tek krishtërimi një sistem besimi të qëndrueshëm dhe një ndryshim dramatik të jetës së tyre sociale, ekonomike të shtypura gjatë regjimit maoist. Së dyti me trashëgiminë e tij të qartë perëndimore, rritja e krishterimit mund të jetë e lidhur me një sulm të nënndërgjegjes mbi normat dhe vlerat shoqërore të mbështetura nga Republika Popullore Kineze - ashtu siç ndodhi në Korenë e Jugut në vitet 1980.
Megjithatë ajo çka është më e habitshme është politika aktive financuese dhe mbështetëse e Partisë Komuniste për të mbështetur besimin kristian në Kinë. Sipas drejtorit të përgjithshëm të administratës shtetërore për çështjet fetare, Uang Zuo An, kjo vjen si pasojë e besimit që ka Republika Popullore Kineze për të respektuar dhe mbrojtur besimin fetar. Investimet e sponsorizuara nga shteti përfshijnë ndërtimin e seminareve katolike dhe protestante, financimin e studimeve akademike për rolin e fesë në Kinë, si dhe dhurime të tokave për ndërtimin e kishës më të madhe të sanksionuar nga shteti kinez, e cila do të mbajë 5000 besimtarë. Sipas Uang, tani ka rreth 23 milionë protestantë në Kinë dhe se “Krishtërimi po përjeton periudhën e vet më të mirë të rritjes në Republikën Popullore Kineze”. Megjithatë shteti kinez nuk i lejon të krishterët të jenë anëtarë të Partisë Komuniste. Byroja e sigurimit publik jo rrallëherë po u jep fund takimeve në kishat-shtëpi. Sipas organizatës amerikane “China Aid Association” nga viti 2005 deri në vitin 2006 janë arrestuar nga shteti rreth 1958 kinezë të krishterë. Politikat kontrolluese mbi besimet fetare vijnë si pasojë e përvojave të kaluara të Partisë Komuniste me organizatat nëntokësore fetare, por nga ana tjetër shteti kinez e di shumë mirë çfarë prosperiteti ekonomik mund të sjellë Krishtërimi. Partia Komuniste Kineze beson se kërcënimet e krijuara nga kishat-shtëpi duhen asgjësuar duke e vendosur krishtërimin nën kujdesin e shtetit. Ndërsa shumica e kishave-shtëpi nuk duken të kenë axhenda politike (edhe pse një numër i vogël i kulteve revolucionare janë shfaqur në zonat rurale), çdo shtypje e dhunshme ndaj grupeve të krishtera kanë provokuar zemërim në radhët e shteteve perëndimore, sidomos nga SHBA-ja. Nga ana tjetër rekomandimet e ekonomistit të shquar kinez, Zhiao Xiao se ekonomia e tregut duhet të përfitojë nga grupet fetare, duket se janë miratura nga udhëheqja e Partia Komuniste. Mbase duke parë përfitimet e mëdha që sektori fetar po i sjell Kinës, e bëri Presidentin Hu Jintau që të deklaronte se “njohuria e njerëzve fetarë duhet shfrytëzuar për të krijuar një shoqëri të begatë”. Me trajektoren e tanishme dhe me mbështetjen e shtetit, brenda tre dekadave mund të numërohen rreth 400 milionë të krishterë në Kinë. E ardhmja e krishterimit mund të shtrihet në Lindje.