E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranasve po u shkurtohet jeta, që të jetojë politikisht Edi Rama

Për të mbijetuar politikisht, Edi Rama po u referohet praktikave të diktatorit, i cili u kërkonte llogari shqiptarëve se sa vjet jetë do t’i dhuronin, në mënyrë që pushteti i tij të ishte i përjetshëm. Shqiptarët s’janë të gatshëm të sakrifikojnë për betonizimin e kryeqytetit, i cili i shërben veç xhepit të korrupsionit të kryebashkiakut

Partia Demokratike e ka konsideruar fatale procesin e betonizimit të kryeqytetit, nga kartelet e ndërtimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Edi Rama. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, u shpreh dje se kryetari i Bashkisë ka 3 javë që hesht përballë një prej aferave më korruptive që është njohur ndonjëherë, në një kohë kur OBSH jep alarmin për nivelin stratosferik të ndotjes në Tiranë, e cila i merr 2 vite jetë çdo qytetari.
“Ka tre javë që Edvin Rama, strumbullari kryesor i korrupsionit në Shqipëri e Ballkan hesht për vendin e tij në ndërtimin e 12 kullave 30 katëshe në të vetmen mushkëri të mbetur në Tiranë, ndërkohë që OBSH-ja ka dhënë alarmin se jeta e çdo qytetari të Tiranës shkurtohet me dy vjet prej kësaj. Edvin Kristaq Rama ka hyrë vetë në kutinë e Leprit dhe nuk lejon që ajo të hapet për askënd dhe për asnjë arsye” - u shpreh deputeti Alibeaj.
Deputeti demokrat, kujtoi se kryetari i Bashkisë është i zhytur kokë e këmbë në afera që shkelin ligjin, ndërsa e konsideroi atë si gjobvënës, duke përdorur sekserë të rëndomtë si Tan Lepri. Ai i bëri thirrje Ramës të dalë nga strofkulla e Leprit dhe të mbajë përgjegjësi për akuzat që rëndojnë mbi të.
“Ka tre javë që çdo shqiptar ka mësuar, se nëpërmjet sekserit të tij Dritan Avllaj ose Tan Lepri, Edvin Rama, vetëm njërit prej zhvilluesve të qytezës Rama-Lepuri i ka prerë gjobën 100 milon euro në 20%-shin e firmosur. Me zhvilluesit e tjerë ekziston po e njëjta marrëveshje. Kjo trefishon shumën marramendëse të fitimit që zoti Rama merr nga qyteza e partnerit të tij Lepri. Ka tre javë që Mr. 20% hesht dhe nuk del nga strofkulla e Leprit, i tmerruar nga dokumentet autentike të botuara në media e të bëra publike nga deputetja Vokshi” - deklaroi Alibeaj.
Ai deklaroi gjithashtu se PD do mbështesë nismën e deputetes Vokshi për hetimin e partnerëve të Ramës. “Si deputet i Kuvendit do mbështes iniciativën e deputetes Vokshi për hetimin e partnerëve dhe ftoj zotin Rama të prononcohet për këtë iniciativë. Mr. 20%-shi që hesht, duhet të dalë nga foleja e Leprit”- tha më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›