E bën hallakamë
Vizita e përfaqësuesit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic, u përcoll me protesta të dhunshme në Prishtinë, gjatë të cilave u lënduan pesëmbëdhjetë policë dhe gjashtë protestues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Policia ka njoftuar se dy policë janë lënduar rëndë, ndërsa Vetëvendosje ka njoftuar se gjatë protestës janë lënduar edhe liderët e saj, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Vetëvendosje, e cila kundërshton dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka organizuar dy protesta, njërën para objektit qeveritar te ish-Rilindja, ku Stefanovic është pritur nga Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe tjetrën para ndërtesës kryesore të Qeverisë, ku zyrtari serb është takuar me shefen e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri.
Dhuna më e madhe ka shpërthyer para ndërtesës së ish-Rilindjes, ku aktivistë të Vetëvendosjes hodhën gurë dhe shishe të mbushura me ngjyrë të kuqe në automjetet e policisë që u përkujdes për sigurinë e zyrtarit serb.
Protestuesit gjatë gjithë kohës kanë brohoritur “Marre, marre, UÇK, Vetëvendosje....etj”
Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë aktivistët e Vetëvendosjes.
“Rreth 50-60 persona kanë qenë të dhunshëm dhe të njëjtit kanë përdorë mjete të forta, ngjyrë, gurë dhe të cilat i kanë hedhur në drejtim të objektit të qeverisë dhe veturave zyrtare, me ç’ rast në masë të konsiderueshme është shkaktuar dëmtim i pasurisë publike.
Si pasojë e këtyre veprimeve, 15 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore, prej tyre dy janë lënduar rëndë dhe janë nën kujdesin mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në anën tjetër, sipas QKUK’së, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore, pesë nga ta janë liruar pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, ndërsa një është ende duke u trajtuar.
Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se “Policia ka goditur edhe autoambulancën me gaz lotsjellës dhe po pengon evakuimin e të lënduarve”.
Qeveria e Kosovës ka dënuar manifestimin e dhunës ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Shprehja paqësore e pakënaqësisë dhe protestës është e drejtë demokratike dhe kushtetuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ushtrimi i dhunës ndaj organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës, ku pati të lënduar, dhe vandalizmi ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm. Aktet e tilla tregojnë që ky grupim politik, ashtu si në të kaluarën, nuk heq dorë nga dhuna për realizimin e qëllimeve të ngushta politike”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Shefi i delegacionit serb ka hyrë të enjten në Kosovë rreth orës 10 e 30 minuta në pikën kufitare në Merdare, afër Podujevës.
Ai është përcjellë nga Policia e Kosovës për në lagjen Dragodan, ku është pritur nga Ambasadori amerikan, Christopher Dell.
Pastaj Stefanovic ka vizituar banorët serbë të Llapnasellës.
“Kam pasur takime me përfaqësues të serbëve në qendër të Kosovës. Jam në Prishtinë për t’u takuar me zyrtarë të Kosovës dhe për arsye të njohura, për ta konkretizuar ofertën tonë për dialog. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi komunikim mes veti, që është shumë i dobishëm edhe për Brukselin”, ka thënë Stefanovic.
Rreth orës 14:00 është nisur për të takuar zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës.
Siç ka njoftuar Zyra e Ministrit Kuçi, në takimin me Stefanovicin u bisedua për tema, të cilat rrjedhin nga takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen në Bruksel, ku të dy palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar takimet e karakterit teknik dhe për të kërkuar zgjidhje që i preokupojnë qytetarët e të dyja palëve, në interes të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimeve evropiane.
Sipas komunikatës, Ministri Kuçi ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të kontribuar në mbarëvajtjen e këtij procesi, për të krijuar klimë pozitive, që palët të gjejnë interesin reciprok.
“Nga ana e tij, kryenegociatori i Serbisë, Stefanovic, ka falënderuar Kuçin për pritjen dhe ka premtuar që do të kontribuojë pozitivisht në dinamiken e bisedave të karakterit teknik”, thuhet në komunikatë.
Pas takimit me Kuçin, Stefanovic ka dalë nga ndërtesa e ish-Rilindjes nën masa të forta sigurie për të shkuar në takim me homologen e tij Edita Tahiri.
“Është biseduar për rrjedhat e dialogut teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, me ç’rast të dy palët vlerësuan rëndësinë e angazhimit konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve praktike në interes të qytetarëve, të bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
“Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka një filozofi moderne për shtetin, angazhohet për një Kosovë euro-atlantike dhe se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është garant i vlerave demokratike, të ekonomisë së tregut dhe mundësive të barabarta për gjithë qytetarët dhe komunitetet. Ne angazhohemi për fqinjësi të mirë midis shteteve dhe stabilitetin rajonal, dhe në këtë kuadër kemi pranuar dialogun teknik me Serbinë”, thuhet tutje në kumtesë.
Ndërsa Stefanoviç, nga ana e tij, sipas komunikatës së Qeverisë, falënderoi zëvendëskryeministren e Kosovës për këtë takim dhe konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Serbisë për të kontribuar pozitivisht në mbarëvajtjen e dialogut teknik.
Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi të enjten se vizita e udhëheqësit të ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic, është një hap drejt krijimit të marrëdhënieve të mira me Serbinë dhe de jure njohje e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb.
Thaçi nuk e përjashtoi mundësinë që një ditë edhe zyrtarët kosovarë të vizitojnë Beogradin.
Kryeministri Thaçi tha me këtë rast se Kosova e konsideron si vlerë debatin që zhvillohet ndërmjet dy vendeve, prandaj tha se e ka mirëpritur vizitën e Stefanovicit në Kosovë.
Opozita ka kritikuar Qeverinë për vizitën e përfaqësuesit të Beogradit.
“Kjo është një lloj marketingu politik që Serbia e bënë dhe nuk do të dëshironim që te bie në grackën e këtij marketingu edhe vetë qeveria e Kosovës dhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës”, ka thënë Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK’së.
Për emisarin e Serbisë, kjo vizitë nuk ndryshon qëndrimin e Beogradit ndaj statusit të Kosovës.
“Natyrisht se në këto bisedime nuk asnjë shenjë të vizitës shtetërore dhe nuk paraqesin kurrfarë ndryshimi në qëndrimin tonë rreth statusit të Kosovës. Këtë ua kemi thënë edhe bashkëbiseduesve tanë”, ka thënë Stefanovic për mediat serbe.
Borko Stefanovic ka vazhduar qëndrimin në selinë e Qeverisë edhe pas takimit me Edita Tahirin. Aty ka biseduar me Përfaqësuesin e BE’së, Fernando Gentilini.
Ai u largua në mbrëmje nga Kosova përmes pikës kufitare në Merdar.
Foto të censuruara
Përveç që mediat nuk u ftuan për të përcjellë vizitën e zyrtarit serb, Zyra për Komunikim e Kryeministrit dhe Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Drejtësisë kanë dërguar dy foto të censuruara nga takimet e Edita Tahirit dhe Hajredin Kuçit me Borko Stefanovicin. Nuk është dhënë asnjë sqarim për këto ndërhyrje në formatin e fotove.