Komisioni i diskriminimit
Komisioni i Pavarur për Media po bën hile. Kështu të paktën deklarojnë disa nga pronarët e televizioneve kabllore në Kosovë. Katër pronarë të televizioneve që transmetojnë në rrjete të tilla, Migjen Kelmendi (Rrokum TV), Baton Haxhiu (Klan Kosova), Ramadan Berisha (Business Channel) dhe Rexhep Hoti (Top Kosova) iu ankuan institucioneve vendëse e ndërkombëtare se KPM është duke u shmangur nga misioni i tij.
Ata ndër të tjera shprehen nëpërmjet një letre publike se KPM po i dëmton rëndë dhe po shmanget nga misioni i vet, që është promovimi i zhvillimit të një tregu të shëndoshë medial, që u shërben të gjithë njerëzve në Kosovë.
Themeluesit e televizioneve që transmetojnë në rrjete kabllore kërkojnë që të gjitha televizionet e licencuara nga KPM, qofshin ato me licencë nacionale apo kabllore, të kenë trajtim të barabartë, ashtu si parashihet me Ligjin mbi KPM-në.
“Ne mendojmë se Komisioni i Pavarur për Media, duke ndjekur një mendësi të trashëguar nga UNMIK, po dëmton rëndë dhe po shmanget nga ajo që ky organ e ka karakterizuar si një mision të vetin: ‘Të promovojë zhvillimin e një tregu të shëndoshë medial që u shërben të gjithë njerëzve të Kosovës”, thuhet në reagim. “Veprimet e KPM-së na bëjnë me dije se nuk janë në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të tregut të lirë medial në Kosovë, por përkundrazi (KPM) paraqitet si avokat dhe gati hisenik i monopolit flagrant medial, që është ndërtuar pas luftës në Kosovë, në rrethana të mungesës së ligjeve dhe tregut normal medial.
Komisioni i Pavarur i Mediave, në vend se të mobilizohet dhe të krijojë kondita dhe rrethana të barabarta për të gjithë akterët e rinj në këtë treg dhe të strukturojë dhe rregullojë tregun e lirë të medias elektronike, po vazhdon me inercionin dhe mendësinë e situatës së jashtëzakonshme të Kosovës së pasluftës, duke përkundur dhe kultivuar monopolin që u krijua gjatë asaj kohe të RTK, RTV21 dhe KTV”, thuhet në reagim.
Ramadan Berisha, pronar i televizionit “Business Chanel”, thotë se janë të indinjuar nga KPM-ja për shkak të pabarazisë për të gjithë operatorët që ky institucion u ka dhënë licencë.
“Jo vetëm se nuk jemi ftuar në takimin e Ohrit, ku është biseduar për emrat që do ta përbënin Bordin e ri të KPM-së, por edhe për një varg arsyesh tjera”, thotë Berisha për Express.
Sipas tij, KPM nuk respekton parimin e drejtësisë dhe bën dallime në media të ”bardha” që, sipas tij, janë RTK, KTV dhe RTV21 dhe të “zeza”, në grupin e të cilave hyjnë televizionet tjera që nuk kanë frekuenca nacionale.
Në prill të këtij viti, në Ohër të Maqedonisë, KPM, sipas reaguesve të katër televizioneve nga 70 të tilla që veprojnë në Kosovë, ka ftuar vetëm përfaqësuesit e KTV-së dhe RTV21 për të biseduar për emrat e rinj që do ta përbënin bordin.
“Pasi që bëhej fjalë për bordin e ri, atëherë për këtë çështje duhet të kërkohet edhe propozimi i akterëve tjerë të tregut medial. Se kush do jetë në bord, i intereson edhe TV Prizrenit, TV Mitrovicës, edhe Televizionit Rrokum, Klan Kosovës, Business Channel, edhe gjithë tjerëve”, thekson Berisha për Express.
Sipas tij, reagimeve të katër pronarëve të televizioneve pritet t’u bashkohen edhe pronarë të televizioneve të tjera të licencuara.
Mirëpo, në KPM nuk pajtohen me konstatimin e katër themeluesve të televizioneve kabllore. Liridon Dalipi, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, tha për Express se takimi në Ohër nuk ka pasur lidhje me propozimet për emra të anëtarëve të bordit, por për krejt diçka tjetër. Madje, sipas tij, emrat e nominuar për anëtarë të Bordit të KPM-së janë dërguar në Kuvendin e Kosovës qysh në nëntor të vitit të kaluar, ndërkaq takimi është mbajtur në prill të këtij viti.
“Takimi në Ohër ka qenë informues dhe ka pasur të bëjë me digjitalizimin e mediave. E në takim janë ftuar vetëm mediat që digjitalizohen, kurse këto që kanë reaguar janë të licencuar si ofrues të shërbimeve programore”, theksoi Dalipi.
Po ashtu, ai sqaroi se takimi ka qenë informues dhe në takimet ku nuk merren vendime, nuk ka nevojë të marrin pjesë ofruesit e shërbimeve programore, e të tilla janë televizionet, pronarët e të cilave kanë reaguar.
Themeluesit e televizioneve kabllore kërkojnë, po ashtu, që të gjitha televizionet e licencuara nga KPM, qofshin ato me licencë tokësore apo kabllore, të kenë trajtim të barabartë, ashtu si parashihet me Ligjin mbi KPM.