E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inkurajohet dialogu

Nga Express më 12 maj 2011 në ora 23:33

(E plotësuar) Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka inkurajuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve praktike mes dy vendeve. SHBA-të, Britania, Gjermania mbështetën përparimet e bëra në Kosovë dhe inkurajuan dialogun, ndërsa Rusia përsëriti qëndrimin se statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara ka përshëndetur nisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike, duke thënë se dialogu është qenësor për të ardhmen e të dyja shteteve.

Në fjalën e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit, diplomati britanik ka deklaruar se tre muajt e fundit kanë dëshmuar se janë kohë e rëndësishme për Kosovën për të dëshmuar pavarësinë e këtij shteti, ndërsa ka lavdëruar zgjedhjen e institucioneve të reja në Kosovë, që kanë nisur të punojnë në çështje të rëndësishme për Kosovën, si dhe dialogun me Serbinë.

“Dialogu Kosovë-Serbi është qenësor për të ardhmen e të dyja shteteve. Dialogu duhet të rrjedhë në rezultate konkrete dhe përmirëson jetën e qytetarëve të dyja shteteve. Britania përshëndet qasjen pragmatike të dy shteteve gjatë takimeve të tyre që kanë mbajtur dhe duhet të vazhdojnë të marrin pjesë në mënyrë konstruktive”, ka thënë diplomati britanik.

Duke vlerësuar se situata në Kosovë është e qetë, përfshirë edhe veriun, ambasadori britanik ka thënë se mbeten sfida të tjera me të cilat qeveria e Kosovës duhet të përballet, sikurse është sundimi i ligjit dhe se duhet të jetë edhe më vendimtare në këtë rrugëtim, duhet punuar ngushtë me EULEX-in, si dhe për të tërhequr edhe investimet e huaja.

Lidhur me raportin e Dik Martit për kinse trafikim organesh, ai ka theksuar se EULEX-i i përmbush të gjitha kriteret për hetime të paanshme dhe të thukëta.

Edhe ambasadori i Gjermanisë ka thënë se vendi i tij e merr seriozisht raportin e Martit dhe se hetimet e plota mbi akuzat për kinse krime janë të nevojshme të zhvillohen. Sipas tij, EULEX-i posedon të gjitha kompetencat dhe autoritetin për të zhvilluar hetimet.

Rozmari Di Karlo, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, ka përgëzuar zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga, duke thënë se zgjedhja e një presidenteje femër është historike për Kosovën. Ajo ka thënë se Kosova ka dëshmuar se është një shoqëri multietnike, demokratike dhe ka një qeveri stabile.

Për më tepër, diplomatja amerikane ka theksuar se vendi i saj mbështet dialogun Kosovë-Serbi për çështje praktike.

Ambasadori i Rusisë ka theksuar se qëndrimi i Moskës zyrtare ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i njëjtë dhe se sipas tij Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet në fuqi, ndërkaq ka mirëpritur dialogun e nisur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, përfaqësuesi i Nigerisë, duke folur rreth pretendimeve për trafikim organesh, ka thënë se ata që kanë kryer krime lufte duhet të dalin para drejtësisë dhe se mendon se duhet të ketë hetim ndërkombëtar.

Përfaqësuesi i Gabonit ka thënë se zgjidhja e qëndrueshme paqësore në Kosovë kërkon dialog dhe se ai beson që Rezoluta 1244 është baza politike për zgjidhjen e negociuar.
Ai ka shprehur mbështetje ndaj dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së dhe ka inkurajuar palët të vazhdojnë në këtë drejtim. Duke folur rreth pretendimeve për trafikim organesh, ai tha se vendi i tij kërkon një hetim të pavarur dhe të paanshëm, me pjesëmarrjen e UNMIK-ut.

Ambasadori i Kinës ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por e brishtë, ndërsa ka mirëpritur rolin e BE-së në mundësimin e dialogut,. Sipas tij Rezoluta 1244 mbetet bazë ligjore për gjetjen e zgjidhjes për situatën në Kosovë. Ai ka thënë se Kina mbështet kërkesën e Serbisë që të bëhen hetime për kinse trafikimin e organeve.

Ndërsa, ambasadorja e Libanit ka mirëpritur dialogun e nisur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për një sërë çështjesh praktike, dhe beson se do të ketë efekt në pajtimin e komuniteteve në Kosovë. Ajo ka theksuar se duhet të ketë hetim i pavarur për kinse trafikimin e organeve në Kosovë.

Edhe përfaqësuesi i Indisë ka mirëpritur dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet paqësisht dhe se asnjëra palë nuk duhet të marrë veprime të njëanshme. Sipas tij, në Kosovë vazhdon të ketë incidente dhe procesi i kthimit po ngecën. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të cenojë rolin e UNMIK-ut.

Sa i përket pretendimeve për trafikim organesh, diplomati nga India ka theksuar se ka nevojë për hetime të detajuara dhe të paanshme, si dhe për krijimin e një mekanizmi hetues.

Ambasadori i Portugalisë ka thënë se duhet mbështetur populli i Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik, ndërsa ka përshëndetur zgjedhjen e presidentes Jahjaga dhe dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë të qetë, ndërsa ka mirëpritur bashkëpunimin Qeveri-EULEX për respektimin e standardeve të BE-së.

Sa i përket raportit të Dik Martit, diplomati portugez u shpreh i inkurajuar me gatishmërinë e Kosovës dhe Shqipërisë për të bashkëpunuar lidhur me akuzat që pretendohen në raport. Ai ka theksuar se hetimet duhet të jenë të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, dhe se ato duhet kryer nga EULEX-i.

Ambasadori i Afrikës Jugore ka shprehur bindjen se Rezoluta 1244 mbetet bazë qendrore për Kosovën. Ai ka thënë se vendi i tij mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe inkurajon palët të vazhdojnë me procesin e dialogut në frymë konstruktive.

Diplomati jugafrikan ka shprehur kënaqësinë lidhur me punën e bërë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, por jo edhe të rindërtimit të objekteve fetare. Ai kërkoi hetime të pavarura dhe të paanshëm lidhur me pretendimet për trafikim organesh.

Ndërsa, përfaqësuesi i Kolumbisë ka mirëpritur dialogun Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, si dhe përparimin në aspektin teknik në Bruksel.

Ai ka thënë se duhet të ndërmerret një hetim gjithëpërfshirës lidhur me akuzat për trafikim organesh dhe se fillimisht duhet të krijohet programi mbrojtës i dëshmitarëve.

Ambasadori i Francës, njëherësh kryesues i radhës së Këshillit të Sigurimit, ka thënë se duhet të bëhen përpjekje të veçanta për të forcuar institucionet, për të vazhduar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Qeveria e Kosovës duhet të përballet me këto sfida dhe duhet t’i ndihmojmë ata dhe në këtë kuptim Franca është duke punuar me të gjitha palët në rajon për të ndihmua përafrimin me standardet evropiane”, ka thënë ai, duke shprehur mbështetjen për misionin e EULEX-it dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Duke folur rreth akuzave të Dik Martit, ai ka theksuar se pretendimet për trafikim organesh duhet t’i nënshtrohen një hetimi, të cilin e ka nisur EULEX-i në janar.

“Hetimi ndërkombëtar është duke ndodhur dhe kërkojmë nga të gjitha shtetet që të bashkëpunojnë me misionin e EULEX-it. Franca do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen për procesin e afrimit evropian të Kosovës”, ka thënë ai.

Hoxhaj: Jeremiq nuk i njeh faktet në terren

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova është përkushtuar për të zhvilluar dialogun me Serbinë dhe se pala kosovare është fokusuar në të ardhmen, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE si dy shtete të pavarura.

Ai këto komente i bëri të enjten mbrëma në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku është prezantuar raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Mun për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë nga periudha e fundit e raportimit, ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova ka kaluar në një periudhë dinamike, dhe se vendi ka konsoliduar institucionet e saja.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe rreth çështjes së zgjidhjes së presidentit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Në asnjë moment asnjë parti nuk ka kontestuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai, duke shtuar se presidentja Atifete Jahjaga është gruaja e parë si presidente në gjithë Ballkanin.

Ai ka folur edhe rreth integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, duke përmendur se për herë të parë në historinë e Kosovës është emëruar një zëvendëskryeministër dhe tre ministra nga radhët e komunitetit serb.

“Komunitetet e Kosovës kanë kundërshtuar politikat ndarëse të Serbisë. Pjesëmarrja e tyre në institucione tregon se Kosova është e unifikuar.
Më shumë serbë kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, se sa në zgjedhjet ilegale të Serbisë të organizuara më herët në disa pjesë të Kosovës. Institucionet paralele të Serbisë që vazhdojnë aktivitetet e tyre janë ilegale”, ka thënë Hoxhaj.

Për më tepër, ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe, stabilitet dhe se sot Kosova po zë vendin e saj të merituar në botë.

Ai ka folur edhe rreth dialogut Kosovës-Serbi, ku po diskutohen disa tema të zgjidhura ndërmjet dy palëve. Ai ka folur edhe për vizitën e Stefanoviqit në Kosovë, duke thënë se shumë shpejt edhe zyrtarët nga Kosova do të vizitojnë Beogradin.

“Ne kemi pranuar ftesën e BE-së për t’u angazhuar në dialogun me Serbinë. GJND ka konfirmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kosova është përkushtuar për të zhvilluar dialogun me Serbinë dhe se fokusi ynë është në të ardhmen, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE si dy shtete të pavarura”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se Kosova dëshiron zgjidhjen praktike të çështjeve që janë pjesë e dialogut.

“Së pari, ne dëshirojmë zgjidhje kreative që respektojnë rendin tonë kushtetues vendosur sipas Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Presidentit Ahtisaari. Ne dëshirojmë të zgjidhim çështjet praktike: njohjen reciproke të dokumenteve, tabelave të automjeteve, hapësirës ajrore, diplomave të shkollave dhe universiteteve, komunikimit me telefon etj., “, ka thënë ai.

Ndërsa, ka ngritur shqetësimin se Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e dokumenteve të lëshuara në Kosovë, duke thënë se një kufizim i tillë politik për lirinë e lëvizjes në rajon nuk e ndihmon dialogun dhe se Serbia me këtë vë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet.

“Qeveria e Kosovës është e lodhur nga konfliktet dhe propaganda dhe dëshiron të ecën përpara”, ka thënë ai, duke shtuar se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt anëtarësimit në BE.

“Kosova dëshiron marrëdhënie miqësore me të gjithë fqinjët, si kusht për stabilitet dhe paqe në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.

Duke folur për gjendjen në veri, ai ka theksuar se situata atje është më pak pozitive.

“Megjithatë, organizimi i zgjedhjeve nacionale është penguar nga radikalët të cilët refuzojnë demokracinë dhe theksojnë se përfaqësojnë Qeverinë e Serbisë. Ata kanë përdorur frikësimin dhe dhunën për të penguar komunitetet lokale dhe qytetarët t’iu bashkohen institucioneve të Kosovës. Radikalët e tillë i kanë kundërshtuar përpjekjet e EULEX-it dhe KFOR-it për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovën Veriore; ata e kanë penguar rihapjen e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës; si dhe kanë penguar përpjekjet e liderëve politik të Kosovës për t’u takuar me qytetarët përmes vizitave personale komuniteteve. Pengesat e vazhdueshme të cilat e kanë zvarritur arritjen e objektivit kyç të EULEX-it, vendosjen e sundimit të ligjit në mënyrë të barabartë dhe unike në tërë Kosovën, ka rezultuar në shprehjen e disa pakënaqësive nga ana e shoqërisë civile, mediet dhe disa liderë politikë”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai ndërkaq ka thënë se Kosova e mbështet EULEX-it dhe e konsideron misionin si partner të saj.

Duke folur rreth pretendimeve për trafikim organesh, ministri Hoxhaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës e pranon EULEX-in si një arbitër të pavarur të së drejtës i cili është në gjendje ta përcaktojë legjitimitetin e akuzave të Dik Martit.

“Ne apelojmë tek të gjitha palët të dorëzojnë tek prokurorët e EULEX-it informatat dhe provat të cilat mund t’i kenë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka theksuar se Kosova ka ngritjen më të shpejtë ekonomike në Ballkan, ndërsa vlera e investimeve për tri vjetët e ardhshme pritet të rrisë bruto prodhimin vendor, ndërsa ka kërkuar nga Serbia të heqë bllokadën ndaj prodhuesve të Kosovës.

Duke folur rreth deklarimeve të Vuk Jeremiq, shef i diplomacisë serbe, ministri Hoxhaj ka theksuar se ai nuk i njeh faktet në terren, pasi që Kosova ka punuar për t’i përmbushur nevojat e komuniteteve pakicë.

“Kosova është një shtet i ri, stabil, dinamik, që ofron mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë shtetasit e vet”, ka thënë Hoxhaj.

Nis seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq i ka bërë thirrje të enjten Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbështesë me vendosmëri hetimet për kinse trafikim organesh dhe kërkoi “të vërtetën e plotë” lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës në vitin 1999.

“Nuk do të heqim dorë ose të tërhiqemi derisa e vërteta e plotë lidhur me atë se çka ka ndodhur të mos zbulohet”, ka thënë Jeremiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës.

Shefi i diplomacisë serbe ka nënvizuar se angazhohen për hetime të plota për “trafikim organesh”.

“Nëse ky është interesi ynë i përbashkët, atëherë ekziston vetëm një mënyrë që të niset përpara dhe kjo kërkon veprimin e Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Jeremiq.

Për shkak të kësaj, sipas Jeremiq, duhet shqyrtuar nëse EULEX-i ka kapacitete për të kryer hetimet. Ai ka theksuar se EULEX ka mandat që të veprojë vetëm në Kosovë, ndërsa “gjurmët e trafikimit të organeve çojnë edhe drejt pjesëve të Afrikës, disa vendeve evropiane, Azi dhe Lindjen e Afërt.

“Asnjë institucion tjetër nuk mund të kryejë hetime gjithëpërfshirëse ose të sigurojë bashkëpunimin e të gjitha palëve të interesuara. Vetëm mekanizmi të cilin do ta formonte Këshilli i Sigurimit mund ta bëjë këtë dhe pa këtë ata që janë përfshirë në tregtinë me organet njerëzore mund të mbeten të padënuar”, ka thënë Jeremiq.

Jeremiq ka theksuar se në të gjitha rastet e deritanishme Këshilli i Sigurimit ka kryer hetime për krime lufte në Ballkan dhe ka shtruar pyetjen se pse kësaj radhe do të mund të jetë ndryshe. Ai ka shtuar se më 3 maj sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në letrën e tij ka mbështetur hetime të pavarura lidhur me kinse trafikim organesh në Kosovë.

Jeremiq ka përsëritur se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe ka përkujtuar se shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit respektojnë sovranitetin e Serbisë. Sipas tij, kjo do to të kontribuojë në klimën e shëndoshë ndërkombëtare, në të cilën do të jetë i mundur vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka nënvizuar se prania e KB-ve në procesin negociator është i domosdoshëm, edhe pse disa mendojnë se Kombet e Bashkuara nuk duhet të jetë pjesë e procesit.

Ministri serb ka thënë se autoritetet në Kosovë “po tentojnë të vendosin pushtetin e tyre dhe institucionet edhe në veri të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e popullatës lokale”.

Jeremiq ka theksuar se UNMIK-u ka rol kryesor në ruajtjen e trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESKO-s në Kosovë.

Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën

Ka nisur seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do debatohet për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në seancë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në seancë do të prezantohet raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Mun.

Në raportin e Ban Ki-Mun për periudhën 16 janar deri më 15 prill të këtij viti, thuhet se UNMIK-u është i gatshëm ta zgjerojë bashkëpunimin e tij të plotë me çfarëdo hetimi, që mund të udhëhiqet.

Po ashtu, në raport shprehet kënaqësi për fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe vlerësohet se mbajtja e takimeve në baza të rregullta, me ndihmën e Bashkimit Evropian, është zhvillim inkurajues.

Serbia në këtë takim pritet ta përsërisë kërkesën për zhvillim të hetimeve për akuzat për trafikim të organeve në Kosovë, nën mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Në seancë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›