E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende pa rezultat

Nga Express më 13 maj 2011 në ora 08:58

Edhe pse ishte premtuar se numërimi i votave në Shqipëri do të përfundojë të enjten, kjo nuk ka ndodhur. Përderisa Durrësin e ka fituar Partia Socialiste dhe në shumicën e vendeve janë shpallur fituesit, kjo nuk ka ndodhur me Tiranën, ku deri në orët e vona printe kandidati demokrat, Lulzim Basha.

Numërimi i votave për zgjedhjet lokale në Shqipëri ka përfunduar për shumicën e bashkive, por lufta më e madhe është duke u zhvilluar nga dy kandidatët për Tiranën, Edi Rama nga Partia Socialiste dhe Lulzim Basha nga Partia Demokratike.

Deri në orën tetë, Komisioni i Zgjedhjeve njoftoi se kanë mbetur vetëm edhe 39 kuti për t’u numëruar, përderisa gara për Bashkinë e Tiranës vazhdon të jetë e ngushtë, me një avantazh të vogël të kandidatit demokrat, Lulzim Basha.

Sipas KQZ-së së Shqipërisë, nga 446 kuti të numëruara, prej 485 sa ka gjithsejtë, në favor të Lulzim Bashës janë 50.2 për qind e votave, derisa për kandidatin socialist, Edi Rama, j49.8 për qind e votave të numëruara.

Basha ka prirë që në fillim të ditës së enjte, pavarësisht se njësia nr 5, por edhe njësia nr 8 mund të jenë definitive në përcaktimin e fituesit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi në orën 15 rezultatin që e kishin arritur nga pothuajse 80 për qind të kutive, ku Basha printe me 1153 vota në epërsi.
Deri në orët e vona kandidati demokrat për Tiranën, Lulzim Basha, kryesonte me 113.529 vota në total, kundrejt rivalit socialist Edi Rama, që ka grumbulluar 112.376 vota në total.

Zgjedhje të qeta

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka takuar dje edhe kryeministrin Sali Berisha.
Në këtë takim, ambasadori Arvizu ka qenë i shoqëruar nga vëzhguesit e OSBE-ODIHR, të cilët kanë ndjekur dhe ndjekin aktualisht nga afër ecurinë e procesit të numërimit të votave.
Kryeministria bën të ditur se në këtë takim, ambasadori Arvizu ka theksuar se janë 60 vëzhgues në total, si përfaqësues të qeverisë amerikane, të cilët kontribuojnë për transparencën e zgjedhjeve, duke ndjekur në çdo çast procesin e numërimit të votave.
Sipas ambasadorit amerikan, ky mision vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë Berisha ka falënderuar qeverinë amerikane për kontributin e dhënë si dhe të gjithë vëzhguesit e huaj, për prezencën e tyre konstante pranë qendrave të numërimit të votave.

Berisha ka konstatuar transparencën maksimale për votimin dhe numërimin e votave për çdo qendër, ndërsa ka kërkuar që çdo votë të numërohet e saktë.

Sipas kryeministrit, procesi po zhvillohet mbi bazë ligjore solide dhe konsensuale, duke vënë theksin në rëndësinë e teknologjisë së lartë të numërimit, si një garë për transparencën.

Për sa i përket zgjatjes së procesit të numërimit të votave, kreu i qeverisë u shpreh se e rëndësishme është që praktika e numërimit të jetë e saktë dhe transparente.
Ndër të tjera, kryeministri Berisha ka theksuar gjatë takimit me ambasadorin Arvizu se vota rikonfirmoi besimin e zgjedhësve dhe se mazhoranca do të pranojë çdo rezultat.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime edhe me kreun e Partisë Socialiste dhe kandidatin aktual për Bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama.

Partia Demokratike merr shumicën e votave

“Aleanca për Qytetarin” ka humbur bashkitë e mëdha, por fiton në proporcional dhe në shumicën e komunave duke pasur rreth 50 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë në gjithë vendin. Nga numërimet e deritanishme “Aleanca për Qytetarin” do të drejtojë në 167 njësi, ndërsa Aleanca për të Ardhmen në 117 njësi. Në garën për këshillat bashkiakë, demokratët deri në rezultatet më të fundit fitojnë në 24 bashki, ndërsa socialistët në 19 prej tyre.

Ndërkaq u mbyll numërimi për Bashkinë e Shkodrës me një fitore të thellë të kandidatit të PD-së, Lorenc Luka, me 9936 vota me tepër ndaj kandidatit të PS-së Genc Uruçi. Sikurse u mbyll edhe beteja për Durrësin, ku fitues doli Vangjush Dako me 33369 vota kundrejt rivalit të tij Ferdinand Xhaferri me 29785 vota. Gara është përqendruar në Tiranë dhe Elbasan. Betejë e fortë e numrave duket në Tiranë midis kandidatëve Lulzim Basha dhe Edi Rama, ndërkohë në Elbasan kryeson me një diferencë të madhe kandidati i PS-së, Qazim Sejdini ndaj kandidatit të LSI-së, Durim Hushi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›