E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dështon Tribunali

Propozimi i Serbisë që Këshilli i Sigurimit të themelojë një mekanizëm për hetimin e akuzave të Dick Martyt nuk gjeti përkrahjen e Këshillit të Sigurimit. Shtetet perëndimore thanë se EULEX’i është në gjendje të kryejë një hetim të tillë, derisa Rusia mbështeti pa rezervë këtë kërkesë të Ministrit serb Vuk Jeremic Nga Shpend Limoni & Faton Ismajli më 13 maj 2011 në ora 08:26

Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremic është përballur edhe me një dështim për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Kërkesa e tij, që për hetimin e raportit të Dick Martyt të themelohet një mekanizëm ad hoc ndërkombëtar, nuk ka gjetur mbështetjen e nevojshme në seancën e Këshillit të Sigurimit të enjten në New York.

Në një debat rreth dy orësh, vendet anëtare me të drejtë vetoje të këtij organi kanë shfaqur qëndrime të kundërta se kush duhet t’i bëjë hetimet rreth akuzave për trafikim të organeve nga ish –pjesëtarë të UÇK’së në vitin1999, të bëra nga ish -senatori zviceran.

Seanca e kryesuar nga Franca ka filluar me fjalimin e shefit të UNMIK’ut, Lamberto Zannier, i cili e ka vlerësuar pozitivisht fillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Çështja e dialogut është përmendur edhe nga përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë potencuar se dialogu është mënyrë e vetme për të zgjidhur problemet ndërmjet palëve.

Shefi i UNMIK’ut, po ashtu, e ka quajtur pozitiv faktin që qeveritarët e Kosovës kanë takuar kryenegociatorin serb Borko Stefanovic të enjten, në Prishtinë.

Por, italiani ka thënë se protesta për shkak të vizitës së zyrtarit serb nuk ka qenë aspak pozitive.

Përfaqësuesi i OKB’së ka folur edhe raportet ndëretnike në Kosovë dhe situatën në veri.
Por, vëmendje i ka kushtuar edhe raportit të Dick Martyt.

“Është thelbësore që këto pretendime t’i nënshtrohen një hetimi të paanshëm dhe neutral. UNMIK është i gatshëm të bashkëpunojë për një hetim të tillë dhe pa një hetim të tillë është e vështirë të imagjinohet pajtimi”, ka thënë Zannier.

Kërkesa për krijimin e një mekanizmi ad hoc për hetimen e akuzave të Martyt është deponuar rreth një muaj më parë në Kombet e Bashkuara nga Serbia.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, në fjalimin e tij ka këmbëngulur që krijimi i një mekanizmi të tillë është i domosdoshëm.

“Në emër të kombit tim thërras Këshillin e Sigurimit që të mbështesë kërkesën tonë që të bëjë hetime gjithëpërfshirëse për pretendimet e trafikimit të organeve të civilëve të pafajshëm serbë. Nuk do të ndalemi e as nuk do të tërhiqemi derisa e vërteta e plotë për atë që ka ndodhur të zbulohet plotësisht”, ka thënë Jeremic.

Kjo është kundërshtuar nga Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka folur në emër të Kosovës në këtë seancë.
“EULEX-i ka kapacitetet e nevojshme për të bërë ndryshime në Kosovë. Ai ka mundësi ta lartësojë sundimin e ligjit, forcojë luftën kundër korrupsionit, si dhe të hetojë akuzat e ish senatorit zviceran, Dick Marty, për krimet e luftës gjatë konfliktit.

Qeveria e Kosovës e pranon EULEX-in si një arbitër të pavarur të së drejtës, i cili është në gjendje ta përcaktojë legjitimitetin e akuzave të z. Marty. Ne apelojmë tek të gjitha palët të dorëzojnë tek prokurorët e EULEX-it informatat dhe provat të cilat mund t’i kenë” ka thënë Hoxhaj.

Fjalimi i Hoxhajt ka nxitur një reagim të ambasadorit të Rusisë, Vitalij Churkin, i cili është kujdesur të rikujtojë që Ministri i Jashtëm kosovar ka folur në kapacitet personal. Churkin ka adresuar një vërejtje edhe për sekretariatin e OKB’së, për shkak të shpërndarjes së fjalimit të diplomatit kosovar tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

“Shpresoj që të mos përsëritet më kjo”, ka thënë Churkin.

Përfaqësuesi rus ka përkrahur plotësisht propozimin serb që hetimet të mandatohen nga Këshilli i Sigurimit.

“Përshëndesim praninë e z. Jeremic dhe ndajmë mendimet e tij. Ne mbështesim këtë propozim që të bëhet me vendim të KS, që të krijohet një mekanizëm i OKB’së dhe të bashkëpunojë me UNMIK’un dhe EULEX’in...”, ka thënë ai.

Ky qëndrim është kundërshtuar nga përfaqësuesja e SHBA’ve, Rosemary Di Carlo, e cila ka thënë se hetimet duhet të kryhen nga EULEX’i.

“Ne presim vendimin e EULEX’it që të hetojnë aktivitete të tilla kriminale që përmenden në këtë raport. SHBA’ja e mbështet këtë mision me të gjitha mundësitë që ka. Asgjë nuk e parandalon EULEX’in që të ndërmarrë këto masa”, ka thënë Di Carlo.

Ajo ka përgënjeshtruar pohimet se të gjitha krimet e supozuara në Ballkan janë hetuar me mandat të Këshillit të Sigurimit.

“Nuk është dhe se të gjitha hetimet për krime të luftës janë bërë nën ombrellën e KS të OKB’së”, ka thënë Di Carlo. Ajo ka përmendur ku me këto çështje janë marrë gjykatat, duke e theksuar rastin e Kroacisë.

Ky konstatim ka nxitur reagimin e Jeremic, duke thënë se në Kosovë ka pasur raste kur janë hetuar figura të UÇK’së e për to është raportuar në OKB.

Diplomati serb ka reaguar edhe ndaj fjalimit të Ministrit të Jashtëm, duke thënë se realiteti në Kosovë është ndryshe nga përshkrimi që ka bërë Hoxhaj.

Ai sidomos ka folur për numrin e serbëve në Kosovë, duke thënë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës numri i atyre që janë kthyer në Kosovë ka qenë shumë i vogël.
Ndaj pohimeve të ministrit serb ka reaguar Hoxhaj, i cili ka thënë se Jeremic nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë.

“Ai asnjëherë nuk e ka vizituar këtë situatë dhe flet për situata që nuk kanë ngjarë”
Në fjalën e tij, Hoxhaj ka ritheksuar interesimin e palës kosovare që akuzat në raportin e Martyt të qartësohen sa më parë nëpërmjet hetimit. Ai, po ashtu, ka ritheksuar besimin e palës kosovare ndaj EULEX’it.

Qëndrim të ngjashëm për këtë çështje ka shprehur edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila po ashtu ka përkrahur idenë që EULEX’i të kryejë hetimet.

Përfaqësuesi i Gjermanisë, ndërkaq, ka potencuar se EULEX’i posedon të gjitha kompetencat dhe jurisdiksionin që të zhvillojë këto hetime.

Përfaqësuesi i Portugalisë ka përmendur faktin që EULEX ka filluar hetimet. Ai ka thënë se hetimet të zhvillohen ashtu siç duhet dhe të jenë të hapura.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›