E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanun për Dajën

Familja Geci dhe katër tjera nga Drenica i kanë kërkuar Azem Sylës të dorëzohet vetë në EUELX. Ata thonë se Daja dhe shokët e tij vranë familjarët e tyre. Në rast se Syla nuk e bën këtë, këto familje publikisht deklarojnë se do të marrin hak sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit. Nga Nebih Maxhuni më 13 maj 2011 në ora 08:55

Azem Syla, i njohur si Komandat Daja, ka marrë të enjten një kërcënim publik nga gjashtë familje, në mesin e tyre edhe ajo e ish deputetit Gani Geci.

Familjet Geci, Imeri, Dajaku, Behrami dhe Kastrati i kanë kërkuar publikisht Azem Sylës që t’u dorëzohet organeve të drejtësisë, në të kundërtën mund të hyjë në veprim edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Kërkesa e këtyre familjeve, shpërndarë mediave, është bërë një ditë pasi Syla në një intervistë për televizionin Klan Kosova ka pranuar publikisht se kishte dhënë urdhër që të vritej Gani Geci.

“Ne kërkojmë nga EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare që të zbardhen vrasjet e djemve tanë, sepse ne familjarët do të kërkojmë pandërprerë dorasit e vrasjeve të djemve tonë. Ne, familjeve, përveç që na janë vrarë djemtë tanë, janë bërë përpjekje nga individë e struktura kriminale që të na etiketojnë edhe si ‘tradhtarë’ e ‘kriminelë”, thuhet në letrën publike.

Këto familje kanë shprehur bindjen se nëse drejtësia e shtetit nuk do të merret me këto raste, atëherë ata janë të detyruar që vetë ta kryejnë punën.

“Hetimet tona të vazhdueshme se kush mund të jenë vrasësit e djemve tonë na kanë çuar te Azem Syla me shokët e tij. Dyshimet tona po përputhen me vetë deklarimet e këtij të fundit, se ka dhënë urdhër për vrasjen e Gani Gecit”, thuhet në reagim.

Familjarët e këtyre të vrarëve kërkojnë që Syla t`i dorëzohet EULEX-it, përndryshe ata me Dajën do t`i qërojnë hesapet sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, për të marrë hak.

“A e di ti, o Azem Syliqi, se ne jemi shqiptarë. Ne do të flasim me ty edhe ndryshe! Ty, o Azem Syliqi, do ta varim Kanunin në qafë dhe të gjitha ato veprime tua që i ke bërë ti me argatët tu, që prej mbrëmë i ke varur në ‘baskinë’ tënde! Ndoshta ti, Azem Syliqi, mundesh me ikë prej drejtësisë, por Kanuni ka me të ndjekë ty, djemtë e ty, nipat e tu e stërnipat e tu! Azem, po ta bëjmë me dije se a ke dëgjuar ndonjëherë se te shqiptarët nuk ka mbetur hak pa u kthyer!”, thuhet ndër të tjera në letër.

Familjarët e të vrarëve kanë vazhduar letrën, duke thënë se Azem Syla u ka sjellë atyre shumë dhimbje, lot dhe mërzi

“Na i ke lënë nënat me duar në gji, dy nuse të reja na i ke kthye në gjini, Besimi ka pasur vetëm edhe një javë para martesës, Bekimit i kanë mbetur jetime dy vajzat në përkujdesje të nënës së Bekimit. Ne gjithmonë e kemi ditë se kush je ti”, thuhet më tej në këtë letër.

Gani Geci, në një intervistë për mediat në vend, ka thënë se Azem Syla kishte urdhëruar vrasjen e tij gjatë kohës së luftës.

Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë Azem Syla. Express ka bërë përpjekje gjatë tërë ditës së enjte të kontaktojë Sylën lidhur me këtë çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Nënshkruesit e kësaj letre janë: Fadil Geci, Imer Imeri, Nazmi Dajaku, Jetullah Behrami dhe Hajriz Kastrati.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›