E Diel, 1 Nëntor 2026

SHKRIMTARI NË MËRGIM



Ky mërgim më duket të jetë kushti sine qua non i të qenit shkrimtar, artist i mirëfilltë. Më duket i tillë sepse shkrimtari është pashmangësisht një vatër konfliktesh (tërheqje dhe shtytje, afrim dhe largim, ngritje dhe rënie, siguri të sipërfaqshme dhe dyshime të thella, pohim dhe mohim) me botën që e rrethon dhe me idetë që përplasen brenda tij, ai, si përkufizim, nuk mund të jetojë veçse në mërgim, kurse vepra e tij, qoftë e përkthyer ose jo në ndonjë gjuhë tjetër, qoftë e ndërkaluar ose jo në një gjini tjetër artistike (kinema, p.sh.), është përherë në vendin e vet, te lexuesi. Në këtë pikë, një mendje më thotë se shkrimtari i vërtetë pushon së jetuari në mërgim vetëm kur shkruan, për aq kohë sa shkruan; me ta mbaruar së shkruari librin që ka në dhe nën dorë, atëherë rinis mërgimi i tij, që zgjat deri në çastin kur ai i vihet punës për të shkruar një libër tjetër.

E vetmja pikëpyetje që kam lidhur me mërgimin e detyruar, të pashmangshëm të shkrimtarëve të vërtetë, që kushtëzon, pra, krijimtarinë e tyre, është kjo: Duke qenë me dhe pa atdhe, vetvetja dhe tjetri, të dyzuar apo edhe të trizuar, duke i përkitur kësaj bote dhe një tjetre, duke jetuar midis reales dhe imagjinares, në mëdyshje midis këtij apo atij angazhimi kulturor, social apo politik, mos vallë ata kanë prirje, nuk po them skizofrenike, por të paktën skizoide? Rrjedhimisht, mos vallë vepra letrare – dhe, në përgjithësi, vepra artistike – është fryt i një skizoidie të një lloji krejt të veçantë? Shembuj të shumtë, në epoka dhe vende të ndryshme, duket se e dëshmojnë një tezë të tillë. Gjithsesi, për të mos i trembur e as skandalizuar shkrimtarët e mirëfilltë, do të thosha se ky problem shtrohet për vetë qenien njerëzore: A nuk pohon me të drejtë francezi Pierre Assouline, në romanin “Jetë e dyfishtë” se “... sidoqoftë, përderisa njeriu ka një jetë të brendshme, ai bën tashmë një jetë të dyfishtë...”?!

Edmond TUPJA

Në vështrim të parë, duket sikur mua sot më shqetëson fati i shkrimtarit në mërgim, domethënë që shkon e jeton në dhe të huaj. Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që është diçka e dhimbshme kur një njeri, qoftë ky edhe i rëndomtë, i paemër, detyrohet, për arsye të ndryshme – ekonomike, politike apo atipike – të lërë atdheun e të mërgojë. Ai shtrëngohet kështu të heqë dorë nga një mjedis i caktuar shoqëror e familjar, nga disa marrëdhënie, shprehi, tradita, doke e zakone pjesë përbërëse të kulturës e të jetës së përditshme, por deri diku edhe të personalitetit të tij, të heqë dorë nga komunikimi i rregullt në gjuhën amtare, jo rrallë nga të menduarit në këtë gjuhë dhe, së fundi, por jo më së paku, nga një peizazh jo vetëm gjeografik por edhe shpirtëror; përfytyroni një shqiptar që lë vendin e vet mesdhetar – me det, diell, grurë, verë e vaj ulliri – dhe mërgon, për shembull, në Groenlandë. Kjo zhvendosje, figurativisht, është e barasvlershme jo vetëm me një krasitje, por edhe me një shkulje nga rrënjët. Edhe më e dhimbshme më duket të jetë kjo dukuri, kur bëhet fjalë për një artist në përgjithësi dhe një shkrimtar në veçanti. Artisti, shkrimtari është dikush që frymëzohet nga jeta përreth, por, siç shton Pol Eluari, ai është edhe dikush që frymëzon të tjerët. Shkrimtarit që shtrëngohet të mërgojë, pavarësisht nga arsyet që e shtyjnë të veprojë kështu, do t’i duhet detyrimisht ta gjejë frymëzimin e tij në vendin pritës, ndryshe, pa frymëzim, ai shter; sigurisht, ai do të këmbëngulë t’i ruajë lidhjet me vendlindjen dhe gjuhën amtare që ia ka kushtëzuar tashmë fuqishëm këndvështrimin e realitetit jashtëgjuhësor, por, objektivisht, duke jetuar në një mjedis të ri, duke u përplasur me një gjuhë tjetër, me fakte kulturore, tradita, doke e zakone deri diku mjaft të ndryshme nga ato të bashkatdhetarëve, ai do të fillojë të ridimensionojë këndvështrimin e tij të realitetit, të jetës, çka do të nisë të lërë gjurmë edhe në frymëzimin e, rrjedhimisht, në krijimtarinë e tij. Dhe këtu kam parasysh atë shkrimtar, që vazhdon të shkruajë në gjuhën amtare për lexuesin në këtë gjuhë pikërisht. Për të arritur te lexuesi i huaj, atij do t’i duhet të kalojë përmes përkthimit të veprës së vet. Raste të tilla janë të shumta dhe unë do të mjaftohem me dy shembuj: Solzhenicini dhe Kadareja. Që të dy mërguan për arsye politike; që të dy, gjatë mërgimit, shkruan në gjuhën amtare dhe veprat e tyre u përkthyen për lexuesit e vendit pritës; që të dy ditën ta pasuronin këndështrimin e tyre të realitetit jashtëgjuhësor; që të dy përfituan nga mërgimi për të marrë përmasa edhe më universale jo vetëm nëpërmjet përmbajtjes së veprës së tyre, por edhe falë stilit, të cilit, me sa di, përkthyesit ditën t’i qëndronin besnikë.
Interesant, ndonëse paksa i ndryshëm, më ngjan të jetë rasti i Kunderës. Në fillim të mërgimit të tij në Francë, ai vazhdoi të shkruante në çekishte, gjuhën e nënës, dhe të përkthehej në frëngjishte; pastaj erdhi një çast kur ai nisi të shkruante drejtpërdrejt në frëngjishte, çka do të ishte për të një mërgim i dytë, i brendshëm, kësaj radhe, jo më në hapësirën gjeografike, por në atë gjuhësore, pra, shpirtërore.

* * *
Nga ana tjetër, po t’i referohesh historisë, do të vëresh, dhe këtu shembujt janë të shumtë, se ka pasur e me siguri ka shkrimtarë që gjenden në mërgim brenda vendlindjes; shembulli më tipik për shekullin XX në këtë drejtim, janë ndoshta disidentët sovietikë, të cilët, edhe pse jetonin brenda atdheut të tyre, ndiheshin të mërguar si ndërgjegje shoqërore, politike e kulturore në marrëdhënien e tyre me shtetin dhe partinë e vetme në pushtet. Këtë mund ta pohojmë edhe për disa shkrimtarë shqiptarë të njohur të kohës së diktaturës si Kasem Trebeshina e Petro Marko, dhe, deri diku, Dhimitër Xhuvani, Ismail Kadareja, Fatos Arapi, Koço Kosta, ndër të tjerë. Një pjesë e mirë e kësaj kategorie shkrimtarësh shkruan dhe u persekutuan për mënyrën e tyre të të përjetuarit estetik të realitetit shqiptar, të tjerë gjetën një mënyrë të tërthortë, alegorike gati, për të thënë gjëra të ndaluara në një stil gjithsesi jo fort të rekomandueshëm nga diktatura partiako-shtetërore. Të tjerë shkrimtarë, për të mos humbur të drejtën për të mërguar brenda vetes, shkruan pak, gati heshtën. Sigurisht që nuk duhet anashkaluar edhe ajo kategori shkrimtarësh shqiptarë që, duke qënë tashmë të mërguar shpirtërisht ndonëse brenda atdheut, kapërcyen kufirin dhe nisën të shkruanin në vendet pritëse, por ajo bën pjesë në grupin e shkrimtarëve në mërgim trajtuar në krye të kësaj kumtese.

* * *
Meqë sapo përdora shprehjet “për të mërguar brenda vetes” dhe “të mërguar shpirtërisht”, jam i bindur që ekziston, së fundi, edhe një lloj i treti shkrimtari në mërgim, ai që unë do ta quaja “shkrimtari në mërgim brenda vetes”, qoftë edhe sikur të jetojë në vendin më të përkryer të rruzullit tokësor, në një regjim tejet demokratik që ia plotëson atij të gjitha kushtet dhe dëshirat për të menduar, shkruar e botuar. Përse ndodh kështu? Psikologët, sociologët dhe psikanalistët e kanë shpjeguar këtë prej kohësh, por mendimi im është se çdo shkrimtar i mirëfilltë i denjë për këtë emër, është dikush që, për arsye që njihen qartë ose turbullazi, pandehen që dihen ose thjesht nuk dihen, por mund të parandihen, është dikush që ka përherë e më shumë, dora-dorës që shkruan, një mall shpesh të pashpjegueshëm për një parajsë të humbur ose ende të pazbuluar; është dikush që ndodhet këtu dhe atje, në botën reale dhe në atë irreale, në të shkuarën dhe në të ardhmen, në një hapësirë-kohë të cilën e krijon si demiurg që është, dikush që është vetvetja dhe tjetri, që dyzohet, trizohet, është pak te çdo personazh, te çdo marrëdhënie personazhesh, te çdo kredhje në botën e tyre të brendshme, te çdo përsiatje, te çdo përshkrim, te çdo ngjarje, te çdo peizazh që krijon duke u frymëzuar nga realja apo nga imagjinarja e tij.
Ky mërgim më duket të jetë kushti sine qua non i të qenit shkrimtar, artist i mirëfilltë. Më duket i tillë sepse shkrimtari është pashmangësisht një vatër konfliktesh (tërheqje dhe shtytje, afrim dhe largim, ngritje dhe rënie, siguri të sipërfaqshme dhe dyshime të thella, pohim dhe mohim) me botën që e rrethon dhe me idetë që përplasen brenda tij, ai, si përkufizim, nuk mund të jetojë veçse në mërgim, kurse vepra e tij, qoftë e përkthyer ose jo në ndonjë gjuhë tjetër, qoftë e ndërkaluar ose jo në një gjini tjetër artistike (kinema, p.sh.), është përherë në vendin e vet, te lexuesi. Në këtë pikë, një mendje më thotë se shkrimtari i vërtetë pushon së jetuari në mërgim vetëm kur shkruan, për aq kohë sa shkruan; me ta mbaruar së shkruari librin që ka në dhe nën dorë, atëherë rinis mërgimi i tij, që zgjat deri në çastin kur ai i vihet punës për të shkruar një libër tjetër.
Në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, deri në momentin e shembjes së saj, diktatura u përpoq që t’i jepte forcërisht shkrimtarit një atdhe, atë të vendit e të rendit konkret, ta mbyllte në kafazin e një ideologjie të vetme, të pandryshueshme, në mënyrë që të mos e lejonte atë të mërgonte as brenda vetes; mirëpo ajo harronte më kryesoren: pa mërgim të brendshëm nuk ka e nuk mund të ketë krijimtari letrare, madje as një lloj krijimtarie artistike. Ose, çka është edhe më e tmerrshme, ajo e dinte ose e parandiente këtë dhe bënte çmos, me të gjitha mjetet e mënyrat nga më dinaket deri te më çnjerëzoret, për ta detyruar shkrimtarin të mos mërgonte, çka mund ta shpinte këtë vetëm drejt vdekjes shpirtërore. E vetmja pikëpyetje që kam lidhur me mërgimin e detyruar, të pashmangshëm të shkrimtarëve të vërtetë, që kushtëzon, pra, krijimtarinë e tyre, është kjo: Duke qenë me dhe pa atdhe, vetvetja dhe tjetri, të dyzuar apo edhe të trizuar, duke i përkitur kësaj bote dhe një tjetre, duke jetuar midis reales dhe imagjinares, në mëdyshje midis këtij apo atij angazhimi kulturor, social apo politik, mos vallë ata kanë prirje, nuk po them skizofrenike, por të paktën skizoide? Rrjedhimisht, mos vallë vepra letrare – dhe, në përgjithësi, vepra artistike – është fryt i një skizoidie të një lloji krejt të veçantë? Shembuj të shumtë, në epoka dhe vende të ndryshme, duket se e dëshmojnë një tezë të tillë. Gjithsesi, për të mos i trembur e as skandalizuar shkrimtarët e mirëfilltë, do të thosha se ky problem shtrohet për vetë qenien njerëzore: A nuk pohon me të drejtë francezi Pierre Assouline, në romanin “Double vie” (Jetë e dyfishtë) se “... sidoqoftë, përderisa njeriu ka një jetë të brendshme, ai bën tashmë një jetë të dyfishtë...”?!

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›