Fantazma
William HERBERT (Angli)
(Variacion mbi një temë të Matthew Sweeney) Fantazma që nuk di rrugën e vet, por i duhet të kthehet në shtëpi
Ngec në shkretëtirë gjatë ditës
Dhe rreket mes shtigjeve në terr.
Ajo mbjell guralecë si harta për të kujtuar rrugëkalimin
E vet përmes stepës së madhe në dimër.
Ajo kridhet në liqene për të ndier
Atë çka ndiejnë rrënjët e mështeknës, struket
Në trupa delesh e dhish
Gjaku i të cilave nuk mund ta ndalë drithërimën.
Ajo udhëton nga mushkonja në mushkonjë
Në ajrin e trashë të verës,
Ajo mbështillet me lëvoren e pemëve të rëna
Si një tekst në një libër të dobët.
Ajo di vetëm Veriun dhe si rrjedhim
Mund të udhëtojë në drejtimin e gabuar për muaj të tërë.
Ndonjëherë ajo mendon se dallon
Ndonjë trajtë plepi
Dhe një frikë e tmerrshme e kaplon.
Ajo shtrihet me vemjet dhe jashtëqitjet përposh
Një radhe govatash tualeti në Qytetin Thikë.
Ajo kujton surrate pa asnjë mendim tjetër përveçse që kjo është
Hera e fundit. Kujtimet mpaken
Dhe duhet të përjashtohen si rruaza:
Çikriku në fytin e plakës,
Erëmimi i letrës së lirë të gazetës
Në një aeroport tani të paemër,
Dora që tërheq epshëm një perde,
Sumbulla e zezë e foshnjës vezullon.
Lopa e kufirit Një lopë pshurr në mugëtirë: një lopë e zezë, në një fushë motrash zeshkane e të bardha, duke kërkuar mes kodrave në kufi, edhe pse ajo nuk e di këtë. Ajo tërheq një litar prapa vetes të cilin diçka e ka kapur befas,
Duke brejtur bishtin e saj, duke i gërryer qafën.
Currili i saj feks trashë
Ndërsa ajri nxihet nga mbrëmja:
Litari e ngjit atë me barin
Në një kënd të prerë, shtrënguar,
Pikërisht lëngu që ajo nxjerr përkundër
Feksjes si një çatall balene, një pemë frashri.
Ndërsa rreket të çlirohet.
Përktheu Erion Kristo
29 Shtator 2008