E bujshme, Partizani shlyen rrogat
Fakti që lojtarët marrin rrogat në një klub është mëse normal, por kur kjo gjë ndodh te Partizani, atëherë padiskutim që kjo përbën lajm. Pas 19 muajsh krize, futbollistët e klubit kryeqytetas janë paguar në bazë të kontratave që kanë me këtë klub. Lajmin e ka konfirmuar administratori i përgjithshëm i Partizanit, Paro Laçi, i cili është gjithashtu edhe aksioner te ky klub. Dje pasdite drejtues të ekipit të "demave" kanë mbledhur futbollistët dhe u kanë komunikuar se do t'iu shpërndaheshin lekët. Pas një bisede të shkurtës, secili prej lojtarëve ka marrë paratë për muajt që kanë kaluar që nga fillimi i kampionatit. Padyshim që atmosfera e djeshme ka qenë mëse festive në kampin e kuq, pasi jo vetëm që lojtarët kanë marrë paratë, por edhe besimi se klubi do të kthehet në normalitet është më i madh. Administratori i përgjithshëm i Partizanit, Paro Laçi, ka konfirmuar dje për mediat se u janë shpërndarë rrogat e prapambetura futbollistëve për këtë sezon. "Kemi shlyer rrogat e lojtarëve të Partizanit - ka konfirmuar Laçi - Lojtarët janë paguar për periudhën nga fillimi i këtij sezoni deri tani. Mendojmë se ky është vetëm hapi i parë dhe shpresoj që kjo t'i motivojë lojtarët në të ardhmen. Gjithçka është bërë në mënyrë korrekte dhe besoj se tani e tutje në këtë skuadër gjërat do të funksionojë si duhet".