E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama jo me standarde të dyfishta

 Zëvendëskryeministri Ilir Meta gjatë diskutimit të tij në Parlament i kërkoi liderit të PS-së Edi Rama, që të mos përdorë standarde të dyfishta në lidhje me respektimin e vendimeve të gjykatave. “Do ta ftoja kreun e PS-së që të heqë dorë nga standardet e dyfishta, sepse nuk janë serioze për një kryetar opozite. Dëgjojmë se hodhi këtë vendim, e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, ka hedhur një vendim tjetër e kështu me radhë dhe bën shumë mirë, sepse të gjithë palët kur nuk bien dakord duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Por unë nuk e kuptoj se kur e respekton kaq shumë Gjykatën Kushtetuese dhe Kushtetutën përse e mban jashtë Parlamentit forcën politike, që drejton pikërisht mbi bazën e një kërkese antikushtetuese. Që është kërkesa për gjoja hapjen e kutive, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me interpretimet e Gjykatës në të kaluarën, kur është bërë e qartë se komisionet hetimore parlamentare nuk mund të hetojnë dhe të vendosin mbi vendimet e Gjykatave”, tha Meta. Ai theksoi se: “Jam bindur se në rast se 2009, ishte viti i NATO-s, 2010 do të jetë viti i liberalizimit të vizave. Dhe kjo do t’i gëzojë të gjithë shqiptarët dhe ata që pa dëshirë dalin në disa protesta false, ku derdhin lot krokodili, për mosmarrjen e liberalizimit të vizave së bashku me tre shtetet e tjera”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›