Berisha: PS, vlerë kombëtare
ADI SHKEMBI Kryeministri Sali Berisha fton sërish opozitën në Parlament, duke i garantuar asaj se do t’i plotësojë çdo kërkesë legjitime që ka. Duke folur me tone mjaft të zbutura në seancën e fundit të Kuvendit, kreu i maxhorancës u shpreh se Partia Socialiste është një vlerë e padiskutueshme e vendit, teksa shtoi se kjo forcë ka kontribuar në ndërtimin e shtetit ligjor. “Nga data 1 shtator Kuvendi funksionon pa opozitën. PS është një vlerë e padiskutueshme kombëtare. Të tilla janë partitë e angazhuara në ndërtimin e shtetit ligjor dhe integrimin e vendit në BE. Ajo ka bërë hapa të mëdha në reformimin e trashëgimisë së saj, së fundi u anëtarësua edhe në Partinë Socialiste Evropiane”, u shpreh kryeministri. Por në të njëjtën kohë ai reagoi ndaj deklaratave të kreut të opozitës, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama lidhur me lejet e ndërtimit dhe përcaktimin e çmimeve të trojeve. Berisha i quajti barsaleta pretendimet e Ramës se ai nuk ndikon në vendimmarrjen e KRT-së për lejet e ndërtimit. “Unë duke formuluar urimet më të mira për opozitën shqiptare, i bëj thirrje zotit Rama të lërë mënjanë barsaletat se kryetari i bashkisë s’ka lidhje me lejet e ndërtimit, apo se nuk është ai që ka përcaktuar çmimin e trojeve, të mos pengojë partinë e tij për t’u kthyer në Parlament”, theksoi më tej kryeministri. Por teksa përsëriti ftesën, e fundit për vitin 2009 nga foltorja e Kuvendit, kryeministri u shpreh i vendosur në qëndrimin e maxhorancës për të mos hapur kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai theksoi se Parlamenti nuk mund të marrë atributet e pushtetit gjyqësor. “Të bllokosh hyrjen e opozitës në parlament duke kërkuar që ky tempull të shqyrtojë një vendim gjykate, është absolutisht gjëja më e pamundur. Do t’i kishim hapur jo njëherë, por 100 herë dhe 1 mijë herë për opozitën, në respekt dhe në vlerësim të saj. Por procedurat juridike, ligjet, nuk lejojnë që tempulli që ka gjithë sovranitetin e vendit të marrë pushtetin gjyqësor, ato nuk lejojnë që Parlamenti të shndërrohet në gjykatë, sepse që në momentin e parë që ky Parlament të marrë në dorë një vendim gjykate ai rrezikon, nga tempull demokracie, të shndërrohet në institucion demokrature”, theksoi më tej kreu i ekzekutivit, i cili uroi që vitin e ardhshëm deputetët socialistë të rikthehen në Kuvend.