Spektakli Berisha-Rama si gjë e mirë politikisht
Belina BUDINI Asgjë nuk është politikisht korrekte në klimën aktuale të komunikimit dhe aksionit politik në Shqipëri. Një deformim gjithsesi tërheqës për spektaklin e personalizuar që prodhon... Megjithëse spektakli nuk është i vetmi efekt i kësaj situate, është ndoshta elementi me natyrën më ‘beninje’ në gjithë këtë histori, sepse zbulon më në fund hapur falsitetin e “moderimit” të pretenduar gjatë nga Edi Rama në opozitën e përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, si edhe të moderimit gradual të Sali Berishës që nga viti 2005 dhe në vijim. Polarizimi dhe antagonizmi ‘spektakolar’ i ditës ngjan padyshim më i natyrshëm sesa “harmonia” hipokrite dhe e mërzitshme në periudhën e aspirimit për pushtetin nga të dyja palët. Mjafton të kujtojmë që tonet përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore ishin një ‘pranverë’ e vërtetë në marrëdhëniet ndërmjet kundërshtarëve politikë Berisha-Rama, aq sa u aludua edhe për një marrëveshje të fshehtë dhe për një lloj bashkëqeverisje të tyre. Por momenti i polarizimit nuk vonoi të rishfaqej në verë, për të kulmuar në vjeshtë, duke paralajmëruar një dimërim të gjatë, që e ka fshirë tanimë kujtimin e pranverës së dashurisë Berisha-Rama. Konfliktualiteti mes tyre është rikthyer më i ashpër se kurrë, me akuza të ndërsjellta, me gjuhë dhe akte politike aspak korrekte ndaj njëri-tjetrit, por jo vetëm. Njëri nuk pranon humbjen, Tjetri bën qeveri me patericë të majtë; Njëri prish rotacionin demokratik brenda partisë së vet, Tjetri rikthen në qeveri ministrin e Gërdecit; Njëri kërkon me ngulm hapjen e kutive, Tjetri denoncon me forcë shthurjen dhe karakterin e keq të Njërit. Ky konfliktualitet nuk sjell ndonjë gjë të re për skenën politike shqiptare, si një riciklim i modelit Nano-Berisha, ku Nano i djeshëm është Berisha i sotëm dhe Rama i sotëm është Berisha i djeshëm. Në fakt, një model i polarizuar politik (dhe mediatik) është pikërisht kategoria ku bie Shqipëria sipas studiuesve të komunikimit politik. Mesa duket, ky kategorizim mbetet ende i vlefshëm, edhe pse i referohet një Shqipërie të 10 viteve më parë. Brenda kësaj kategorie, sjellja politikisht jokorrekte është traditë dhe normë. Konfliktualiteti jo normaliteti është praktika dominante. Ekzagjerimi jo moderimi është ligjësia e brendshme e këtij modeli. Debati jo dialogu është fryma që e përshkon. Në një klimë të tillë bëhet në të vërtetë e vështirë që ta lexosh anormalitetin si jo domosdoshmërisht negativ, madje si të dëshiruar dhe të nevojshëm. Në të kundërt, në mjediset ose sistemet politike të ekuilibruara, shmangiet nga sjelljet dhe gjuha politikisht korrekte janë shpesh të dëshiruara. Ajo që kritikohet dhe madje satirizohet nga mediat dhe kritikët bashkëkohorë është fiks e kundërta: pra maskimi dhe jo demaskimi. Kjo do të thotë që me dyshim nuk shihet momenti i denoncimit, i zbulimit apo akuzimit, por fshehja e të vërtetave, konsensusi i rremë, pra momenti i maskimit të interesave dhe qëllimeve të fshehta me paqe dhe harmoni të jashtme. Për më tepër, kritikët e gjykojnë shfaqjen “politikisht korrekt” si marksizëm kulturor, që buron prej një sistemi të ngurtë mendimi, i cili synon të stigmatizojë sot herezinë sociale, ashtu si Inkuizicioni i djeshëm ndëshkonte herezinë fetare. Qenka pra ende herezi sot të flasësh me “llafe turpi” nga njëra anë, apo të kryesh “akte turpi” nga ana tjetër, kur llafe turpi konsiderohen paradoksalisht “dhuna”, “tradhtia”, “sëmundja”, “korruptimi”, “homoseksualiteti” dhe akte turpi konsiderohen, sërish për paradoks, edhe “plazhi nudo”, “homoseksualiteti” apo “sëmundja”. Përtej të vërtetave ose të pavërtetave rreth tyre, shqetësues është përdorimi i gabuar i këtyre fjalëve si të këqija në vetvete, duke ngatërruar aktin me fjalën që e përshkruan. Megjithatë, e dominuar nga të menduarit ‘politikisht korrekt’ nuk është vetëm politika në Shqipëri, por edhe kultura e shkenca. Ortodoksi të tilla gjen me bollëk në mjediset universitare dhe akademike në Shqipëri. Por kjo është një temë tjetër, të cilën do të përpiqemi ta shtjellojmë në një artikull më vete. Duket se tjetërkund duhet kërkuar pra ‘e keqja’. Pa dyshim, jo tek gjuha dhe akuzat e ndërsjellta, as edhe domosdoshmërisht tek aksioni radikal në formë. Ato mund të vijnë dhe të shoqërohen edhe me anomali, por nuk janë ‘e keqja’ në vetvete. E pamoralshmja në gjithë histori nuk qëndron tek akti i demaskimit, pra as tek “herezitë” e Berishës në demaskimin që i bën kundërshtarit të tij në të drejtën e vet si politikan dhe kryeministër i vendit dhe as tek “tam-tamet” e Ramës për hapjen e kutive në të drejtën e vet si lider i opozitës. çështja qëndron tek përdorja e demaskimit ose formave demaskuese si maskim. Kjo do të thotë që demaskimi i kundërshtarit mund të jetë një formë maskimi për veten. Mes sjelljeve ‘politikisht jokorrekte’ të Berishës apo të Ramës mund të heqësh një paralele me dorë të sigurtë, sepse në thelb asnjëra palë nuk mund të pretendojë moralitet më të lartë se tjetra. Edhe pse qëllimet e kauzave të tyre na i paraqesin (lexo maskojnë) si akte morale, të drejta dhe si nevojë për transparencë, vetëm të tilla nuk besohet të jenë kur në themel të kauzës së kutive qëndron një humbje elektorale dhe një motiv personal mbijetese, ashtu si edhe në themel të kauzës së çmontimit të bandës ‘punisto-mafioze’ qëndron përgjigjja personale ndaj sulmeve dhe akuzave të opozitës ndaj kryeministrit dhe familjes së tij. Të paketuara si morale dhe etike, mosbesimi ndaj tyre qëndron pikërisht në faktin se ato janë të ngritura vetë mbi momente të pamoralshme. Së fundi, duke u dhënë zë ose duke kërkuar të zmadhojnë këto kauza të vogla nuk lindin ose nuk arrijnë të marrin jetë kauza të tjera, jo vetëm më të sinqerta dhe reale, por edhe më të qenësishme. Të gjitha sfumohen ose thërrmohen, të kompresuara nga kauza e vogël-e madhe.