E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton ligjin “Antimafia”, Berisha: Reformë edhe në SHISH

 Presidenti Bamir Topi dekretoi dje ligjin “antimafia”, i votuar pak ditë më parë në parlament. Opozita e ka kontestuar këtë ligj, për të cilin thotë se shkel të drejtat e njeriut. Zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur dje në mesditë se kreu i shtetit ka hedhur firmën mbi aktin e miratuar vetëm me votat e maxhorancës. “Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10 192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë””, thuhet në dekretin nr. 6362 që mban datën 22 dhjetor 2009. Ndërkohë kryeministri Sali Berisha propozoi dje ndryshimin e ligjit për SHIK-un në kuadër të luftës kundër mafies. “Ligji për Shërbimin Informativ do të amendohet, në mënyrë që të përshtatet plotësisht me kushtet e reja të luftës kundër mafies. Duhet mbështetje më e fuqishme e policisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, në mënyrë që të mund ta përballojmë më me sukses këtë betejë. Agjencia e Luftës Kundër Larjes së Parave, do të marrë disa atribute të tjera që kanë vendet demokratike të Evropës. Edhe kësaj agjencie do t’i amendohet ligji përkatës dhe ajo do të ketë ato atribute që ka në Austri, në Holandë, në Belgjikë e vende të tjera, të cilat kanë disa kompetenca më të zgjeruara”, tha Berisha. Kreu i maxhorancës theksoi gjithashtu se moratoriumi për skafet do të jetë në fuqi pa afat. “Ky moratorium, mendoj se është  e panevojshme të zgjatet vetëm 3 vjet, por duhet të vendoset për një kohë të pacaktuar. Kjo nuk ka lidhje me jahtet, turizmi është i lejuar. Por skafet nuk kemi përse t’i lejojmë dhe nuk kemi përse të shpenzojmë paratë e taksapaguesve për të vrapuar pas tyre nëpër det, apo të angazhojmë shpenzime shumë të mëdha, qoftë nga Roja Bregdetare, qoftë me mjete të tjera. Nga ana tjetër, përmes tyre kanë humbur qindra jetë, në ujërat e Otrantos e të Adriatikut. Ne duhet t’i ndalojmë ato”, theksoi kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›