E dashura e Kelmendit: E shtoi shpejtësinë, kur vajza ishte varur në makinë
E dashura e re e Aziz Kelmendit. me emrin Persida. ka qenë një dëshmitare e rëndësishme në zbardhjen e rrethanave të vdekjes të Emit. Në dëshminë e saj për organin e akuzës, vajza me profesion farmaciste ka rrëfyer momentin e aksidentit, duke pohuar se i kishte kërkuar disa herë Kelmendit të ndalonte makinën. Megjithëse ka mohuar ta ketë parë 21-vjeçaren të shtrirë përtokë, e dashura e Kelmendit ka pohuar për hetuesit se kishte menduar se ajo ishte përplasur përtokë.
…Për të shkuar te pub “Venue” ishte dëshira ime, pasi atë natë ishte e ftuar këngëtarja Dafina Zeqiri. Atëherë ne kemi shkuar te ky pub rreth orës 23:00. Atje kemi qëndruar te banaku në këmbë, sepse nuk kishte as tavolina, as karrige të lira. Gjatë kohës që kemi qëndruar te pub “Venue” ka kënduar këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri. Unë me Azizin kemi biseduar mbi gjëra të përgjithshme. Azizi më premtoi se nëse shkoja në Kosovë, do ta ftonte këngëtaren Dafina Zeqiri te lokali i tij. Azizi mburrej se e njihnin të gjithë në Kosovë, pasi ishte biznesmen. Dua të theksoj se gjatë kohës që ishim tek pub “Venue” vura re se Azizit i binte shumë telefoni i tij celular si dhe i erdhën disa sms, ku unë vura re se telefonatat dhe sms-të i vinin nga një numër i një personi që Azizi e kishte regjistruar me emrin “EMI” në telefon. Dua të theksoj se Azizi para disa ditësh më kishte thënë se kishte patur një të dashur me emrin “EMI” por ishte ndarë me të. Azizi më tha disa herë se “Emi e kishte mërzitur shumë dhe nuk po e linte rehat”. Me sa pashë unë, Azizi nuk ia hapi asnjëherë telefonat Emit, por nuk e di nëse i ka kthyer sms, pasi ai e përdorte gjithë kohën celularin e tij. Gjatë kohës që kemi qëndruar te ky lokal, Azizi nuk ka takuar asnjë gocë, vetëm ka përshëndetur një burrë tullac. Rreth orës 01:45 të mëngjesit të datës 27.02.2011 ne kemi dalë nga pub “Venue”, Azizi te sedilja e shoferit, ndërsa unë në sediljen e përparme të pasagjerit. Pasi u nisëm me makinën e tij dhe ecëm për pak metra, pikërisht para hyrjes së pub “Venue”, Azizi e ndaloi makinën. Unë e pyeta pse e ndaloi, duke parë Azizin në fytyrë dhe pashë se në drejtimin tonë nga hyrja e pub “Venue” po afrohej një vajzë e re, e panjohur për mua. Në këtë çast Azizi më tha : “Rri e qetë”. Në këtë moment, te dera e shoferit u afrua goca e re, e cila tentoi të hapte derën e shoferit të makinës së Azizit, por Azizi i kishte siguruar dyert nga brenda. Goca e re po i thoshte Azizit, “Hape derën dhe tregohu burrë”. Unë i thashë Azizit që të zbriste dhe ta sqaronte atë gocën, por Azizi hapi vetëm xhamin e derës së shoferit vetëm gjysmën e hapësirës së xhamit. I tha: “Ik largohu nga makina”. Po kjo goca nuk u largua dhe m’u drejtua mua me fjalët: “Zbrit ti goce, se do vish një çikë me mua”. Unë i ktheva përgjigje asaj gocës: “S’kam punë me ty, unë nuk të njoh fare”. Atëherë, në atë moment Azizi nisi makinën drejt Profarmës në fillim ngadalë. Por kjo goca e re u kap me duart tek xhami i derës së shoferit dhe nuk shkëputej. Ndërsa Azizi vazhdoi ecjen me makinë. Unë i kërkova Azizit: “Ndalo, ndalo, të lutem”. Azizi nuk ndaloi, por vazhdoi ecjen me makinë duke shtuar shpejtësinë, ndërsa ajo goca mbahej ende me duart te xhami dhe shante Azizin. Rreth 50 metra pasi kishim ecur me makinë larg pub “Venue” në rrugën që të nxjerr te “Profarma”, në një moment unë e pashë se ajo goca u shkëput nga xhami i derës së shoferit dhe unë mendova se u rrëzua përtokë. Unë i thashë Azizit: “ktheje prapa makinën, ktheje prapa, të lutem”. Por Azizi më tha se do të më çonte mua në shtëpi pastaj do të kthehej prapa. Azizi më përcolli deri pranë shtëpisë sime dhe pranë Fakultetit të Mjekësisë, unë zbrita dhe u nisa drejt pallatit ku banoj. Ndërsa Azizi u nis me makinën e tij, nuk e di se ku konkretisht. Pas disa minutash unë i dërgova një sms Azizit, duke i shkruar: “A shkove aty, si është dhe si je ti?”. Por Azizi nuk më ktheu përgjigje. Rreth orës 05:00 më thirrën në telefon disa punonjës policie dhe unë u paraqita në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.