E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohen varrezat e dëshmorëve, bashkia fajëson firmën e mirëmbajtjes

SHKRUAN: Irena Vreto 25-06-2011 10:52

Korçë- Erozioni dhe kushtet atmosferike dëmtojnë varrezat e dëshmorëve në Korçë. Ndonëse varreza e njohur në kodrat e qytetit ka 4 dekada jetë, asnjëherë nuk është investuar në to, ndërkohë që eshtrat e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore janë vendosur në disa arka të vogla direkt në tokë të mbuluar me një sipërfaqe mermeri. Arkat prej druri janë shpërbërë nga koha dhe eshtrat kanë mbetur në tokë shumë pranë pllakës së mermerit. Nisur nga mënyra sesi është kryer procesioni 40 vjet më parë, por dhe kushtet atmosferike si dhe gërryerja e tokës në këtë kodër, janë shfaqur shenjat e dukshme të erozionit. Vihen re dëmtime të varrezave në pjesën e sipërme të saj. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, por dhe të punonjësve të bashkisë së qytetit, dëmtimi më i madh është në tre varre, të cilët në sipërfaqen e tyre e kanë pllakën e mermerit të thyer.

Reagimi

Sipas Arben Sterjos, përgjegjës pranë zyrës së menaxhimi të kontratave në Bashkinë e Korçës, në këtë varrezë gjithçka ka ndodhur për shkak të kushteve klimaterike. “Nuk kemi të bëjmë me ndonjë akt të dhunimit të varreve. Kjo madje është një absurd i madh, që as nuk mund të imagjinohet nga qytetarët e Korçës. Kemi të bëjmë me një proces të ndodhur nga kushtet klimaterike në vite, të cilat kanë sjellë dhe prishjen apo dëmtimin në disa raste të strukturës së varreve. Gjithashtu, duhet shtuar se kjo varrezë është e vjetër dhe mënyra e ndërtimit të varreve ka qenë e tillë që ka shfaqur probleme të dukshme sot. Por ajo që theksoj me përgjegjësi është se nuk ka eshtra në sipërfaqet e tokës, apo më keq akoma dhunim të varreve”, ka bërë të ditur në një prononcim për gazetën, Arben Sterjo. Varreza e dëshmorëve të juglindjes ndodhet në pjesën më të bukur të qytetit, në një vend të dukshëm, teksa një shkallare bashkon atë me qytetin. Gjatë fushatës elektorale kandidati i PD-së e ka nisur fushatën pikërisht me rikonstruksionin e kësaj varreze, duke paraqitur dhe një projekt që, përveç ndërhyrjes në të, të shfrytëzohej për kthimin e saj në një zonë pedonale për banorët e Korçës, pasi dhe kushtet natyrore në këtë vend janë me të vërtetë të veçanta. Ky projekt, pjesë e fushatës elektorale, mbeti pas bashkë me të, ndërsa bashkia e qytetit ka një fond të përcaktuar për mirëmbajtjen e kësaj varreze.

Firma

Përfaqësuesit e bashkisë bëjnë të ditur gjithashtu se këtë varrezë e ka nën kujdes firma e pastrimit “Korsel”, nga Korça, e cila me punonjësit e saj mban në mbikëqyrje territorin dhe gjithçka që lidhet me varrezën e dëshmorëve. Sipas përfaqësuesit të kësaj firme, ka nisur puna për meremetimin e tre varreve të dëmtuar dhe ndërrimin e pllakës së tyre të mermerit. Varreza e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore në kryeqendrën e juglindjes kthehet në vëmendjen e të gjithëve çdo 5 Maj, kur kryhen dhe disa rrite të pandryshuar nga viti në vit, nga drejtues të ndryshëm të pushtetit vendor. Më pas gjithçka mbetet e harruar për t’u rikthyer në 5 majin e radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›