E Shtunë, 31 Tetor 2026

E diela e madhe e Pashkës, festa e katolikëve e ortodoksëve

TIRANE- Besimtarët ortodoksë dhe katolikë do të kremtojnë nesër Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate fillon Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës.

Ky proçesion i besimtarëve ortodoksë dhe katolikë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.

Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t'i japë njerëzve përvojën e 'krijimit të ri' të botës dhe t'i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.
Këtë vit besimtarët ortodoksë dhe katolikë do ta kremtojnë këtë festë në të njëjtën ditë. Ata do të marrin mesazhe sot (e shtunë) në orën 23:00 dhe 24:00 të mbrëmjes, nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi në Katedralen e Ungjillizimit në Tiranë dhe nga Shkëlqesia e Tij, Monsinjor Rrok Mirdita në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.
(atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›