E diela e zezë e Dushkut

Elbasani ishte përgatitur që ndaj Laçit të merrte pikë të plota. Edhe pse verdheblutë janë duke përjetuar një situatë kaotike: humbje të njëpasnjëshme dhe mosmarrje rrogash.
E dielë, 19 dhjetor. “Ruzhdi Bizhuta”. Shumë pak tifozë.
Luajnë Elbasani i vendit të fundit (3 pikë ia ka hequr FIFA) dhe Laçi, që në historinë e tij ka kapur vetëm një herë vendin e katërt – sezonin e kaluar.
Ndeshja nisi me shenjën e miqve. Minuta e 3-të: Hysa nxori të lirë Marashin, i cili përfitoi nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes dhe nga një dalje e pastudiuar e portierit Dushku – 0:1.
Minuta e 25-të: Idrizi asist për Sadikun. Ky i fundit finalizoi bukur në portën e Vashakut – 1:1. Goli i tij i pestë sezonal.
Spektakli flet për Laçin, por protagonist absolut është portieri 23-vjeçar Erjon Dushku.
Minuta e 41-të: Krosim nga e majta e Hysës, Buljan i lirë në zonë shmang daljen e gabuar të Dushkut dhe - 1:2! Goli i parë i kroatit Stipe Buljan dhe gafa e dytë e portierit elbasanas. Tërësisht i papërqendruar.
Minuta e 42-të: Një gjuajtje diagonale e Hysës. Topi ndalon fillimisht në duart e Dushkut, por më pas sfera çuditërisht i drejtohet rrjetës – 1:3. Goli i dytë sezonal i Hysës.
Gafë e pafalshme. Një portier tepër amator. Tifozët e fyejnë, Dushku heq dorezat dhe braktis fushën për disa çaste, por stafi e rikthen në lojë për të vazhduar tri minutat e fundit të pjesës së parë.
Reagimi i trajnerit të Elbasanit, Krenar Alimehmeti. Dushku ja lë vendin portierit me përvojë Ervin Llani.
Efekti: Elbasani nuk pëson më gola.
Minuta e 63-të: Verdheblutë shënojnë me anë të zëvendësuesit Endri Dalipi, vetëm tri minuta pasi ai ishte futur në lojë. Goli i gjashtë sezonal për të. Golashënuesi më i mirë i Elbasanit.
Kulmi i fundit i ndeshjes. Minuta e 79-të: sulmuesi Sadiku i Elbasanit proteston ashpër me fyerje asistentin Barushi dhe ndëshkohet me karton të kuq nga gjyqtari Mustafaraj.
Fërshëllima finale vulos humbjen e 9-të Elbasanit – më shumë se çdo ekip tjetër në 15 javët e para. Pikërisht me presidentin Arben Laze në tribunë.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 20 Dhjetor 2010