E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta evropiane, dhuratë 40 kamionçina reklamuese për Berishën

Autori i Lajmit: red.
Partitë Popullore Evropiane i kanë dhuruar Partisë Demokratike simotër dhe liderit të saj, Sali Berisha, 40 kamionçina reklamuese për 10 ditët e mbetura të fushatës elektorale. Dhurata e së Djathtës Evropiane është marrë në dorëzim nga ministrja e Integrimit, njëkohësisht zëdhënësja e fushatës, Majlinda Bregu, dhe kandidati i PD-së për qarkun e Tiranës, Tritan Shehu, të cilët pritën në Durrës përfaqësuesin e së Djathtës Evropiane, Mirko Beloti, i cili, në emër të Partive Popullore Evropiane shprehu mbështetjen në këto zgjedhje ndaj PD-së dhe kreut të saj, Sali Berisha. 40 kamionçina të mbuluara me postera dhe logo të fushatës së PD zbritën dje nga trageti “Adriatika”, do të lëvizin nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë gjatë këtyre 10 ditëve, të shoqëruara edhe nga aktivistë të Partisë Demokratike dhe anëtarë të forumit rinor. Sipas Belotit, “kjo është një mbështetje për mikun tonë të PD-së, Berisha, me këtë tipologji komunikimi, sigurisht të veçantë të këtij lloji në Shqipëri. Është një mbështetje e rëndësishme, për një partner tonin të rëndësishëm që është Berisha dhe PD-ja”, tha ai për mediat, duke sqaruar se “e djathta evropiane është e njëjtë me atë shqiptare për sa i përket linjës dhe programit. Projekti për një Shqipëri evropiane e bën liderin e PD-së Berisha një partner të madh, për këtë arsye e kemi mbështetur në gjithçka dhe për gjithçka”, tha Beloti. E pyetur nga mediat se sa kohë do të duhet që shqiptarët të lëvizin pa viza në Evropë, ministrja e Integrimit, Bregu, tha se “kjo do të ndodhë brenda vitit 2010. Vizat me vendet e BE-së do të hiqen brenda vitit të parë të mandatit të dytë, premtim ky që besoj se nuk keni dyshim për ta diskutuar më, siç e shihni kanë mbërritur nga fondacioni pranë partive popullore europiane, Fondacioni i Studimeve Politike për Ballkanin dhe për Evropën Juglindore, jo pak, por 40 kamionçina, të cilat do të jenë gjatë këtyre 10 ditëve në gjithë Shqipërinë për të shprehur mbështetjen e së djathtës evropiane ndaj të djathtës shqiptare. Kjo është përgjigja më e mirë për të gjitha premtimet tona”,- tha Bregu duke shtuar se “partitë e djathta evropiane kanë fituar në 24 vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që një pjesë e madhe e vendeve të BE-së drejtohen nga kryeministra të qeverive të djathta. Besoj që vota djathtas në Evropë, është votë djathtas edhe në Shqipëri”,- përfundoi ministrja e Integrimit Evropian.

Ky lajm është publikuar: 18/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›