E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo votë për Edi Ramën, është burracak”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha pati një takim me banorë të rrethit të Matit, ku u kërkoi atyre, kryesisht socialistëve, që të mos i japin votën PS-së dhe kreut të saj, Edi Rama, pasi ai është burracak dhe ka frikë të dalë në kandidim për deputet. Në fjalën e tij drejtuar banorëve të kësaj zone Kryeministri nënvizoi: “Në 4 vite, ne së bashku dyfishuam rroga e pensione, nxorëm mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria, por në 4 vite ne kemi hedhur bazat e ndryshimeve 4 herë më të mëdha për vitet që vijnë. Unë jam sot këtu t u bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin për Matin evropian, për Shqipërinë evropiane, premtimet e mia për ju janë fillimi brenda këtyre dy javëve i rrugës së Urakës, Qafë Buallit, në të gjithë gjatësinë. Ju premtoj se të gjitha fshatrat e Matit do të lidhen me rrugë të asfaltuara, me qendrat e komunave, dhe të gjitha komunat do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare. Unë ju premtoj pensionistëve të Matit se në 4 vitet e ardhshme pensionet e tyre do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të BE-së. Ju premtoj fermerëve të Matit se toka e tyre do të vendoset e tëra nën ujë. Kam një thirrje vëllazërore për ju, këto dy ditë pyesni çdo mik, çdo shok, çdo familjar, çdo të afërm, nëse e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri. Në se jo, le të shkojë ta marrë. Ju bëj thirrje juve socialistëve të Matit, të gjithë matjanëve, të bashkohen me ne, në ëndrrën tonë më të bukur, në projektin tonë evropian. Socialistë të Matit, ju bëj thirrje që të mos jepni asnjë votë për Edi Ramën, sepse Edi Rama, ky burracak, nuk ia mbajti të dalë në shesh, nuk ia mbajti të dalë në krye të listës suaj dhe u fut nën tavolinën e Kryetarit të Bashkisë. Vota juaj për Sali Berishën, vota juaj për ndryshimin e Shqipërisë është votë për pensionet tuaja, për rrogat tuaja, për bizneset tuaja, për shkollat e fëmijëve tuaj, është votë për Matin evropian, është votë për Shqipërinë evropiane, është votë për ju, për fëmijët tuaj, për familjen tuaj, për të ardhmen. Më 28 qershor të gjithë votoni 10-ën”,- përfundoi Berisha.
Ky lajm është publikuar: 18/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›