E Diel, 1 Nëntor 2026

Përçahet e djathta, PR kundër deklaratave të Topallit

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Thellohet krisja në koalicionin e djathtë "Aleanca për Ndryshim". Deklarata e nënkryetares së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, që i cilësoi republikanët dhe demokristianët si mafiozë e spiunë, ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të kryesisë së PR-së. Nga Shkodra, nënkryetari i saj, Neritan Alibali, e cilësoi si të paarsyeshme dhe qëndrim personal deklaratën e Topallit. Akuzat e numrit dy të Partisë Demokratike, sipas Alibalit, nuk do të merren në konsideratë për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy forcave politike. “Ne e konsiderojmë qëndrimin e zonjës Topalli, si kërcënim personal të paarsyeshëm, që bie ndesh me paktin e nënshkruar me Partinë Demokratike. Ne i hedhin prapa qëndrimet personale të mbajtura nga gjithsecili dhe shohim nga e ardhmja”,- u shpreh nënkryetari i PR-së, Alibali. Republikanët kërkojnë që të votohet për koalicionin e djathtë dhe përmendin faktin se kryeministri Berisha e ka vlerësuar Partinë Republikane si aleatin më të ngushtë dhe se republikanët do të jenë sërish në koalicionin qeverisës. Një ditë më parë, gjatë një takimi në Postribë të Shkodrës, Topalli u kërkoi banorëve të mos jepnin asnjë votë për partitë e vogla, duke cituar Partinë Demokristiane dhe atë Republikane. Demokratët janë në koalicion me 16 parti të tjera, ku aleatët kryesorë konsiderohen republikanët. Ndërsa dje, menjëherë pas deklaratave të Topallit, ka reaguar kryetari i PR-së së Shkodrës, Namik Kamberi. “Kam dy vjet që marrëdhëniet me Topallin i kam të ngrira. E respektoj dhe është një nder i Shkodrës, por deklarata e saj është e pavend. Nuk mund të vihet shenjë barazimi mes demokristianëve e republikanëve. Kjo është e pamoralshme. Ne kemi qenë krah PD-së në kohë të vështira. Nga ajo që dëgjohet në terren, është e qartë se PD-ja nuk arrin të marrë 50% të votave që të krijojë e vetme qeverinë”,- tha Kamberi.

Topalli
“Republikanët dhe demokristianët janë mafjozë dhe spiunë”

Kryetarja e Parlamentit dhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, u ka bërë thirrje demokratëve të Shkodrës në një nga takimet e saj elektorale që të mos votojnë Partinë Republikane dhe atë Demokristiane, pasi janë parti spiunësh dhe mafiozësh dhe se të votuarit për ta shkon në favor të Edi Ramës dhe jo të PD-së dhe kryeministrit Sali Berisha. Sipas Kryetares së Kuvendit, “ne do të këmbëngulim që të marrim aq deputetë sa të qeverisim të vetëm, pa ato partitë e vogla, demokristianë, republikanë etj. Këta janë o spiunë, o mafiozë, o kontrabandistë”,- tha Topalli.

Ky lajm është publikuar: 18/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›