E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta fiton kreun e këshillit bashkiak dhe 5 anëtarët e qarkut

21/07/2011  Këshilltarët e majtë bojkotojnë votimin

ELBASAN- Blendi Himçi i Partisë Demokratike është zgjedhur kryetar i ri i këshillit bashkiak të Elbasanit. Himçi grumbulloi 24 vota, kundrejt 21 që mori rivali i tij i PS-së Arben Kamami. Këto shifra ishin fiksuar pas rezultatit të shpallur më 8 maj për të dy koalicionet dhe tregon se nuk ka firuar asnjë votë gjatë votimit. Konstituimi është hapur nga sekretari i këshillit Reshit Haxhihyseni dhe nga këshilltari më i vjetër Selman Çomo. Të pranishëm në konstituim kanë qenë deputetë të Elbasanit, qytetarë, përfaqësues të shoqatave dhe komuniteteve fetare. Fillimisht ka përshëndetur prefekti i Elbasanit Shefqet Deliallisi, më pas deputetja dhe koordinatorja e PS-së për qarkun e Elbasanit Valentina Leskaj. Në fjalën e saj Leskaj shprehu bindjen se këshilltarët e Elbasanit do të manifestojnë qytetarinë dhe kulturën e Elbasanit. Kryetari i PD-së dhe deputet i Elbasanit Luçiano Boçi ka sulmuar Sejdinin, duke u shprehur se edhe pas katër vjetve të drejtimit të bashkisë nga ana e tij qyteti i Elbasanit ka më shumë ndotje, trafik e kaos ndërtimor. Deputeti Aurel Bylykbashi ka sulmuar ashpër kryetarin e bashkisë, duke e cilësuar atë “padrino”, që bleu votat për t’u bërë kryetar. Ai e ka cilësuar Sejdinin si kundërshtarin më të egër të PD-së në Elbasan, si njeriun që organizoi socialistët për të rrëzuar Sali Berishën më 21 janar. Por ka replikuar menjëherë Sejdini, i cili është shprehur se Aurel Bylykbashi nuk ka për të qenë asnjëherë fitues para tij. Këshilltarët e majtë nuk kanë marrë pjesë në votim për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të qarkut. Kreu i grupit të këshilltarëve të PS-së ka deklaruar se e djathta nuk kishte besim te votat e saj dhe vendosi të votojë me shenja e shkronja. Për këtë arsye nuk u bëmë pjesë e kësaj farse. Bazuar në një marrëveshje të mëparshme PD-në dhe koalicionin, ranë dakord që të përfaqësoheshin me nga një këshilltar. Emri i vetëm i propozuar nga PD-ja ishte ai i Eugen Isait, i cili do të propozohet për kryetar i këshillit të qarkut. Ndërsa 5 emrat e tjerë ishin Bujar Kllogjeri i LSI-së, Ilir Sadiku i PDIU-së, Adi Madhi i PR-së dhe Shkëlqim Elezi i PAA-së. Këshilli bashkiak i Elbasanit ka 45 këshilltarë, ku mazhorancën me 3 këshilltarë më shumë e ka e djathta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›