E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shijak aleatët e PD-së votojnë të majtët

21/07/2011  Del nga koalicioni, zgjidhet kryetar i këshillit bashkiak Gëzim Sinjari i Aleancës Demokratike

SHIJAK- Aleatët e Partisë Demokratike në Shijak kanë dalë në anë të PS-së, duke prishur kështu raportet në këshillin e bashkisë. Socialistët e kësaj njësie vendore, 10 km larg nga Durrësi, pasi kanë fituar mandatin e kryetarit të bashkisë me Indrit Bukën, kanë menduar gjatë për të marrë të gjitha karriget. I pari që ka dhënë sinjalet e prishjes së balancës politike të dy grupimeve të mëdha “Aleanca për Qytetarin” dhe “Aleanca për të Ardhmen” ka qenë Gëzim Sinjari i Aleancës Demokratike. Ai ka deklaruar se del nga koalicioni i djathtë, ndërsa socialistët e kanë votuar për kryetar të këshillit të bashkisë.

“Kapërcimet”

Bashkia ka 17 këshilltarë, prej të cilëve të djathtët deri para këtij takimi kishin 9 prej tyre, duke shpresuar në disa poste. Por Sinjari është lëkundur që në fillim, duke kaluar në anë të majtë dhe pas tij gjithçka ka ndryshuar në votimin e fshehtë. Pas kryetarit për këshillin e bashkisë të majtët kanë marrë nënkryetarin si dhe 2 anëtarët, që së bashku me kryetarin e bashkisë do të votojnë për kreun e ri të qarkut. PS-ja në Shijak është treguar dashamirëse, duke ua lënë 2 mandatet në këshillin e qarkut demokristianëve të Nard Ndokës dhe një mandat tjetër për mbështetësit e PDS së Milos. Të tria votat e bashkisë së Shijakut do të rreshtohen në anë të kandidatit të majtë për kreun e qarkut, ndërkohë që PD-ja tashmë është vënë në dyshime nëse do të mund të rimarrë mandatin e kreut të qarkut apo jo. Qarku ka dhjetë bashki e gjashtë komuna, të cilat janë ndarë në mënyrë të barabartë mes dy blloqeve politike. Në mandatin e kaluar PD-ja e kishte të lehtë, pasi kishte shumicën dërmuese në këshillin e qarkut, kurse ketë herë gjërat pritet të shkojnë ndryshe. Palët ende nuk kanë deklaruar se me cilin kandidat do të futen në zgjedhjet për kreun e qarkut, duke e lënë këtë pikë me shumë ndikim në votime vetëm për çastet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›