Përmbytjet, banorët ankesa për ekspertët e vlerësimit
SHKODER/ RITVAN DIBRANisin problemet e para mes banorëve të përmbytur dhe grupeve të ekspertëve që po merren me verifikimin e dëmeve në terren. Banorët kanë aluduar në disa raste mbi mënyrën e saktë të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në terren. Përballë këtyre pretendimeve, të bëra gjatë punës së kryer nga ekspertët, Këshilli i Qarkut të Shkodrës ka kërkuar nga banorët t'i bëjnë zyrtare ato. Kreu i këtij Këshilli, Gjovalin Kolombi, u shpreh se janë vënë në dispozicion të qytetarëve 6 numra të telefonisë fikse, me qëllim për të marrë në konsideratë shqetësimet e secilit prej tyre në lidhje me punën e grupit të ekspertëve. Mësohet se një pjesë e banorëve kanë shprehur ankesa për mos ndarjen e saktë në terren të parcelave bujqësore të dëmtuara, sidomos në zonat kufi me fqinjët. Pikërisht parcelizimi i pronave bujqësore ka rezultuar proces i vështirë, duke sjellë dhe pengesa në mbledhjen e të dhënave. Sipas të dhënave të mbledhura deri tani mësohet se për dy ditët e para të punës së 9 grupeve të punës së vlerësimit janë verifikuar 277 objekte banimi si dhe janë verifikuar 300 prona të fermerëve. "Në të gjitha rastet, grupet e punës kanë marrë kontakt me drejtuesit e njësive vendore, janë njohur me të gjithë dokumentacionin që disponohet nga ana e tyre, me të dhënat përkatëse dhe kanë bërë vlerësimin direkt në terren, ku ka dëme: Shkodër, Dajç, Bushat, Bërdicë, Velipojë, Guri i Zi, Ana Malit, Rrethina, Qendër Koplik. Grupet e punës bëjnë dhe raportimet për punën e bërë. Por në të njëjtën kohë nuk përjashtohet mundësia e pretendimeve të banorëve të ndryshëm në lidhje me vlerësimet e bëra nga 9 grupet e qarkut Shkodër", u shpreh Kolombi. Ai shtoi se për t'u ardhur në ndihmë të gjithë personave që janë të pakënaqur me procesin e vlerësimit të dëmeve nga përmbytjet apo që kanë probleme në lidhje me përmbytjet e muajit janar mund të telefonojë në numrat e vënë në dispozicion nga Këshilli i Qarkut. Janë 6 numra të telefonisë fikse: 243857, 248409, 243156, 243158,248309, 242877, ku çdo qytetar mund të telefonojë për problemet që ka konstatuar gjatë punës së Komisioneve të Vlerësimit. Mundësi tjetër për të shprehur shqetësimet është dhe zyra e Informacionit, e cila qëndron e hapur për këtë qëllim.