E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E djathta” si koncept e praktikë në Europën moderne


Cikli historiko-politik mbi të djathtën europiane

Cila ka qenë udha që ka përshkuar me kalimin e kohës pikëpamja politike konservatore dhe si është relativizuar ajo në teori e praktikë. Çfarë paraqet “e djathta” në kohët e sotme dhe cilat janë ndryshimet që hasim në vende të ndryshme të Europës
 
Në politikë, e djathta, përdoret siç e theksuam edhe në fillim të këtij cikli, si një term i aplikuar për një sërë pozicionimesh me qasje konservatore, por kjo nuk mund të merret më në epokën që jetojmë, si e mirëqenë, pasi një sërë iniciativash me kahje e orientim të djathtë, tentojnë shpesh pozicione më qendrore, duke e relativizuar në praktikë e teori këtë term. Po kështu, termi në fjalë, ka kuptime të ndryshme në vende e kohë të ndryshme. Origjinën, ashtusikurse edhe termi “e majtë”, ai e regjistron paralelisht në kohë e hapësirë me të. Pra pika e referimit mbetet periudha e Revolucionit Francez. Kishte të bënte me vendet që zinin në Sallën e Madhe të Asamblesë Franceze (parlamentit) përfaqësuesit e krahut politik me pikëpamje konservatore, pra krahu i djathtë; ata mbështesnin monarkinë dhe privilegjet aristokratike. Në ditët e sotme, ky term përdoret për të përshkruar grupimet politike, të cilat theksojnë rëndësinë e nacionalizmit, traditave dhe besimit fetar (por kjo e fundit është relativizuar shumë në kohët e sotme, ku shteti dhe feja prej kohësh kanë njohur një ndarje të qartë ) dhe të cilat i bëjnë opozitë socializmit, komunizmit dhe internacionalizmit, pra ideve me frymëzim të kundërt, dmth të majta. Paradoksi është se globalizmi (që perceptohet si një trend i djathtë)  është një kundërvënie ndaj internacionalizmit, ndërkohë që në shumë pikëpamje,  shkojnë në të njejtën kahje, por sigurisht se nuk janë e njejta gjë.
* * *
Në fund të shekullit të 19, spektri politik francez tentonte të kishte një shtrirje më të gjerë si majtas, ashtu dhe djathtas, duke sjellë më shumë ngjyra: kështu, nga e majta tashmë kishim, socialistë e radikalë, në qendrën e majtë ishin republikanët liberalë, në qendër ishin pozicionuar të moderuarit dhe republikanët konservatorë, në qendrën e djathtë monarkistët konstitucionalistë , orleanistët dhe Boanapartistët, ndërsa nga e djathta ekstreme, zinin vend ultra-rojalistët ose mbështetësit e skajshëm të mbretërorëve dhe legjitimsitët. Qysh atëherë, krahu I djathtë shihej si i lidhur me ruajtjen e status kuo-së në formën e institucioneve e të traditave; që favorizon hierarkinë dhe që preferon tregtinë e lirë si dhe normat e ekonomisë së decentralizuar, me të drejta të forta e të mirëpërcaktuara mbi pronën private. Konservatorizmi modern perëndimor është influencuar nga vepra dhe mendimet e personaliteteve të tilla si Edmund Burke. Burke në thelb argumentonte se ishte kundër idesë së të drejtave abstrakte, metafizike të njerëzve, dhe në vend të tyre avokonte traditat kombëtare: ai theksonte ndër të tjera se "Ne ia kemi frikën Zotit, ne i përkulemi me respekt mbretërve; parlamenteve; i bindemi gjykatave; shfaqim bindje ndaj priftërinjve; dhe respektojmë gjakun  fisnik… ".
Nëse do tentonim të ecnim para në kohë (për t’iu rikthyer sërish ndonjë etape apo stacioni me vlera historike e studimore më pas)  e të sillnim shembuj të evolimit të mendimit e praktikave politike me kahje të djathtë në kontinentin tonë, na duhet të ndalemi tek rasti i Francës.  Në Francë, Golistët e qendrës së djathtë, në periudhën e Pasluftës së Dytë, avokonin në mënyrë të konsiderushme shpenzimet publike për arsimin dhe zhvillimin e infrastrukturës,  rregullimin ekonomik gjithpërfshirës dhe një masë të reduktuar të rishpërndarjes së pasurisë;, një karakteristikë kjo më shumë e partive apo qeverisjeve socialdemokrate. Është proverbiale thënia se "politika të bën të zësh shokë të këqinj". Për këtë arsye, "e djathta" ashtu sikurse përdoret kjo frazë aktualisht, mund të ketë kuptime të ndryshme. Një nga përdorimet që ky term ndesh, është në diskutimet e politikave ekonomike, por ajo përdoret shpesh edhe në përqasje e sfera  të ndryshme që kanë lidhje me politikën.  Për një libertarian, "e djathta" mbështet një ekonomi të decentralizuar të bazuar në lirinë ekonomike dhe avokon politika të tilla si; e drejta e pronës, tregu i lirë etj. Shumëkush sot pretendon se liria ekonomike lidhet ekskluzivisht me qeverisjet e së djathtës. Në shumë pikëpamje ata kanë të drejtë. Ata akuzojnë "të majtën" se mbështet ekonomitë rregullatore ekonomike dhe egalitarizmin, gjë e cila të paktën në teori qëndron. Ndërkohë, për një liberal "e djathta " shihet si mbështetëse e autoritaritarizmit konservator ndërsa "e djathta radikale" si mbështetëse e korporatizmit. “Libertarianizmi i djathtë”, një derivat logjik i së djathtës në përgjithësi, si mendim politik, është fokusuar në sigurimin e të drejtave individuale nëpërmjet  masave qeveritare. Konservatorizmi libertarian , mbart në vetvete identifikimin me disa lëvizje. Ronald Reagan thoshte dikur në një intervistë: "Unë besoj se zemra dhe shpirti i vërtetë i konservatorizmit është libertarianizmi".  Përsa i përket fashizmit, sipas disa mendimtarëve libertarianë, aty hasen dukshëm disa elementë si të së djathtës, ashtu edhe të së majtës. Fashizmi e ka sulmujar për këtë arsye vazhdimisht, si komunizmin, ashtu dhe liberalizmin dhe konservatorizmin. Por shumë politologë argumentojnë me këtë rast se fashizmi ka qenë një përpjekje për të gjetur një rrugë të tretë mes këtyre pikëpamjeve, pra përjashtojnë kategorikisht cilësimin e fashizmit si mendim e praktikë politike e djathtë (dmth e djathtë ekstreme).  Kjo vërtetohet në shumë raste, përveç arsyeve të sipërpëendura, sipas tyre, edhe me prejardhjen e majtë apo socialiste të shumë krerëve fashistë e nazistë, ku më i spikaturi sigurisht se është Mussolini në Itali.
“E djathta” në vende të ndryshme të Europës
Sigurisht se shembujt më të mirë në këtë cikël që po trajtojmë duhet të na vinin nga vende të tilla si: Italia, Gjermania, Britania e Madhe dhe Spanja.  Duke u nisur, pikërisht, nga rëndësia që ato paraqesin për trajtimin e vlerave të së djathtës e evolucionit të saj, ato do trajtohen numrin e ardhshëm në mënyrë më specifike, duke iu bashkangjitur edhe trajtimit të figurave politike më të famshme e më të suksesshme të së djathtës europiane të pasluftës. Gjithsesi po e nisim me tiparet e së djathtës franceze. Partia më e madhe në Francë, Unioni për Lëvizjen Popullore e qendrës së djathtë– dhe sidomos Nicolas Sarkozy – ashtusikurse dhe më parë,  kanë bërë thirrje për reformim të sistemit të vjetër francez, çlirimin nga interesat e vjetra “të veçanta”, dhe kanë vënë si synim kryesor bërjen e Francës më kompetitive. Sarkozy mbështet lidhje më të ngushta me SHBA-në, fqinjët europianë të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme për shembull, që lidhen me kontinentin tonë nëpërmjet Mesdheut.  Por paraardhësi i tij në këtë parti, Zhak Shirak, provokoi reaksione të skajshme në SHBA për një farë kohe, kur shprehej vazhdimisht skeptik ndaj planeve të ish-presidentit  Bush ndaj Irakut të Sadam Huseinit.  Partia e Frontit Nacional në Francë lufton ndërkohë për: një rikthim në vlerat tradicionale frënge: këtu përfshihen reduktim mbi aplikimin e asaj që konceptohet në disa vende të BE-së si e drejta e abortit, apo cilësimin e saj si vepër ilegale,  përkrahja më e madhe për nënat që rrisin fëmijë e nuk shkojnë në punë; promovimi më i madh i traditave lokale kulturore me taban kombëtar; më shumë pavarësi ndaj BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare;  vendosja e masave më të mëdha proteksioniste kundër importeve të lira; rivendosja e dënimit me vdekje si dhe fundin e emigracionit me bazë vendet ekstrakomunitare etj.  Për deklarat e tij shpesh të forta, kreu i saj, Jean-Marie Le Pen, është shigjetuar vazhdimisht nga mediat, të cilat padyshim se e trajtojnë atë dhe  pikëpamjet e partisë së tij, si ekstremisht të djathta. Nga ana tjetër, në Holandë për shembull, Partia Popullore për Liri e Demokraci, përfaqëson liberalizmin konservator.  Kështu, Manifesti Liberal i partisë në fjalë, që atje njihet me inicialet VVD, në vitin 2005 përfshinte: qëndrimin mbështetës ndaj katër shtyllave të BE-së; por e zgjeruar edhe me të drejtën e njeriut për të ushtruar eutanazinë; reformën në sistemin e përkrahjes sociale dhe aplikimin e taksave më të ulëta,  ndërsa ishte për mbajtjen e disa politikave të mëparshme; dhe për shkak të specifikës së mentalitetit holandez, madje edhe për një politikë liberale ndaj drogës e përdorimit të kanabisit, gjë që në vende të tjera shihet si tejet e ekzagjeruar. Në Suedi, Partia e Moderuar ( e krahut të djathtë) ngre lart vlerat e ekonomisë së tregut, privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore në një vend që tradicionalisht ka pasur një formë të kapitalizmit shtetëror, liri personale dhe reduktim të normave të rritjes në sektorin publik, ndërkohë që mbështet shumicën e benefiteve sociale që në Suedi kanë një traditë të fortë qysh prej vitit 1930. Partia në fjalë, politikave të tjera, synon një sistem mbrotjeje më të fortë si dhe një kualitet më të lartë në arsim. Partia e Moderuar gjithashtu mbështet anëtarësimin e Suedisë në BE. Madje ata në vitin 2003 bënë fushatë të fuqishme në një referendum popullor për futjen e Suedisë në Zonën Euro. Ajo është sigurisht, njëra nga anëtaret e EPP-së (Partive Popullore të Europës) dhe Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU). Në ndryshim me ta, edhe në këtë rast hasim një parti tjetër me kahje më të skajshme (duhet thënë se shpesh ky pranohet si termi i duhur, pasi “ekstrem” kuptohet shpeshherë si paragjykues e një cilësim tejet pezhorativ) . Ata janë Nacionaldemokratët (Nationaldemokraterna, ND), parti e cila u formua nga një fraksion i Demokratëve suedezë në vitin 2001. Ajo e përshkruan veten si parti demokratike nacionaliste dhe etnopluraliste. Por mediat në disa raste ekanë përshkruar atë dhe veprimtarinë e saj si ksenofobe apo raciste, madje edhe si neonaziste, ndërsa vetë anëtarët e saj i kanë refuzuar këto cilësime. Në Portugali është Partia Demokratike dhe e Qendrës Sociale që përfaqëson ideologjinë politike të djathtë në vend. Në gjenezën e saj, themeluesi Diogo de Freitas do Amaral, kishte parasysh ngritjen e një partie centriste, e cila do të mund të injektonte një besim politik që gjeneronte nga i ashtuquajturi “Revolucioni i karafilave “ i vitit 1974, një pozicion komod, i moderuar mes të majtës e së djathtës, në fakt, asokohe aktorët kryesorë të problemeve politike në vend. Kësisoj, nisur nga një eksperiencë lokale ekskluzive portugeze, themeluesi i saj ia doli të moderonte me sukses elementë të caktuar të së djathtës, duke promovuar dialogun dhe pragmatizimin politik e sjellë edhe një risi në terrenin politik, jo vetëm kombëtar të kohës. Por tashmë , me kalimin e kohës dhe me kapërcimin e sfidave të shumta politike, kjo parti ka lëvizur në poziconet e saj origjinale, duke tentuar të shkojë më djathtas e të tentojë deri në qëndrime euroskeptike pjesërisht, duke rrahur nga vlerat kombëtare e ato kristiane. Lideri i saj është Paulo Portas. Kjo parti përkrahu fuqimisht ndërhyrjen amerikane në Irak në vitin 2003 dhe i bën sigurisht një oponencë të fortë ndryshimeve në ligjin për abortin. Gjithsesi aktualisht ajo gjendet në ditë jo të mira.
(vijon në numrin e ardhshëm)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›