E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milionat e humbura të pasaportave

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Edhe kësaj radhe, në çështjen “historike” të prodhimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave të reja biometrike, Shqipëria është qasur në mënyrën e saj historike: me rrëmujë, amulli dhe sherr. Në datën 12 janar, kur do të niste aplikimi i marrjes së letërnjoftimit, publiku u dynd në zyrat postare, por diku afër mesditës, kuponët 1200 lekë për porositjen e tyre kishin mbaruar. Edhe vetë kryeministri Berisha e shprehu habinë e tij për atë fluks të pamasë njerëzish që “i ishin përgjigjur thirrjes së qeverisë”. Në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, institucioni i të cilit është përgjegjës për këtë proces, nuk nguroi ta quajë 12 janarin ditë historike për Shqipërinë. Po atë mbrëmje, qeveria pranoi se do të ndryshonte çmimi për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime: do të kishte ulje për shtresat në nevojë, pensionistët, studentët. Gjithashtu, në atë ditë, televizionet shqiptare nisën për herë të parë transmetimin e një spoti që tregonte se si duhej të vepronte qytetari për t´u pajisur me letërnjoftim. Një spot i gjatë, që normalisht duhet të kishte nisur prej kohësh që të shmangte së paku përplasjen e qytetarit me të papriturën dhe të panjohurën.

Më 12 janar kuponët kishin mbaruar, por rishtas u premtua prodhimi në masë i tyre. U premtua edhe orar i tejzgjatur i orarit zyrtar për sportelet e postës. Megjithatë, përsëri, përfituesit e “skontos” qeveritare, detyroheshin të paguanin nga 1200 lekë për letërnjoftim: do të kompensoheni më vonë, ju premtua atyre zyrtarisht. Po kështu, disa vendime të qeverisë kanë përjashtuar nga TVSH këtë produkt, duke e zbritur më tej koston e saj.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, falë Kodit Zgjedhor dhe sidomos presionit në rritje të opozitës, politika zyrtare vendosi të premtojë se do të zbatojë Kodin Zgjedhor: në fillim do të marrin letërnjoftime qytetarët që nuk kanë pasaportë ndërkombëtare duke pranuar kështu një kalendar veprimesh që ishte propozuar më parë nga opozita, por kishte mbetur në heshtje nga pozita. Duhej të ndodhte kështu, sepse me dokumentin e tyre të dytë, shqiptarët gjithashtu mund të shkojnë në votime. Dhe janë pikërisht votimet e pritshme brenda rreth 150 ditësh që e ngatërrojnë gjithë këtë histori me “mjetet e identifikimit” të shqiptarëve dhe që ofrojnë të gjithë elementët për të dyshuar për atë “çoroditje dhe çorganizim të organizuar” qeveritar të procesit. Siç është lehtësisht e dukshme, të paktën në formë, qeveria nuk pararendi procesin, por improvizoi rrugës duke aplikuar piruete të çuditshme të llojit: atë që thua sot, mohoje nesër. Insistimit të opozitës që të paktën letërnjoftimi të jepej në mos falas, t´i ulej çmimi, vetë kryeministri iu përgjigj me metaforat e tij të zakonshme: qytetarët ta paguajnë që të dinë që ka vlerë dhe të mos e humbasin. Fatmirësisht, pak më vonë ndryshoi qëndrim dhe vendosi uljen e çmimit të letërnjoftimit për disa kategori të caktuara të popullatës.

Por kjo është vetëm njëra anë e problemit, ajo më e dukshmja, më direktja dhe më e prekshmja. Ana tjetër e historisë së ditës historike ka të bëjë me procesin në vetvete, deri në momentin kur do të nisë prodhimi i letërnjoftimit dhe më pas, edhe të pasaportës së parë. Sa i hapur e transparent ka qenë ky proces? Sa i kushton shtetit dhe vetë qytetarit? Dhe mbi të gjitha, a ka pasur alternativa të ndryshme për t´u zgjedhur për realizimin e tij? Ka një mori pikëpyetjesh, të cilave revista “MAPO” hëpërhë nuk do t´u japë përgjigje. Revista, në këtë moment të parë, do të bëjë një vështrim krahasues me atë çfarë ka ndodhur në procese të ngjashme që janë realizuar në Shqipëri, përkatësisht në vitin 1994 dhe 2001, kur u realizuan pasaportat për jashtë me tender të hapur ndërkombëtar.

Histori dhe “traditë”

Ardhja në pushtet e socialistëve në 1997 i gjeti veç halleve të tjera, edhe me një hall të jashtëzakonshëm: shteti nuk dispononte asnjë pasaportë ndërkombëtare në rezervat e tij. Kontrata e lidhur me kompaninë kanadeze “B A Banknote”, me vlerë 0.98 dollarë për njësi ishte në gjysmën e saj. Ishin prodhuar dhe dërguar në Tiranë rreth një milion pasaporta, një pjesë e madhe e të cilave ishte vjedhur në trazirat e marsit 1997. Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe rinisën negociatat me firmën: fillimisht asaj iu kërkua dërgimi sa më shpejt në Tiranë i një kontingjenti pasaportash dhe mbi të gjitha, shtimi i katër elementëve të rinj të sigurisë, për të gjetur kështu një mënyrë për të nxjerrë nga qarkullimi pasaportat e vjedhura. Ajo çfarë ka ndodhur atëherë fqinjëron mes tragjedisë dhe komedisë, nuk kishte gjendje asnjë pasaportë fizike, qoftë dhe për të sëmurët që duhet të dilnin jashtë shtetit për kurim, qoftë për zyrtarët e rinj të administratës, kurse përfaqësuesi i firmës kanadeze, i kërkuar urgjentisht në Tiranë, kalonte natën si “mysafir” privat i shqiptarëve, sepse hotelet e kohës nuk i garantonin siguri. Mrekullia ndodhi, kanadezët e “B A Banknote” pranuan shtimin e katër elementëve të sigurisë, por shteti shqiptar nuk pagoi asnjë cent më shumë për to – vlera e vërtetë tashmë shkonte deri në 1.3 dollarë për njësi – dhe problemi u vu së paku në rrjedhën e normalitetit.

Në vitin 2001, sërish pati një tender të ri ndërkombëtar për pasaportat. Një proces i shumëdiskutuar që çoi mbas hekurave katër zyrtarë të lartë shqiptarë të Ministrisë së Rendit, të cilët tetë vjet më pas, ose kanë fituar pafajësinë, ose janë në hapin e fundit drejt saj. Ishte një proces që kaloi mes shumë paragjykimesh, kryesisht politike, por sot, mbas shtatë vjetësh, vrima e hapur e debatit të madh për korrupsion politik dhe ekonomik në proces, rezultoi një vrimë e gërmuar në ujë, kryesisht nga politika dhe për qëllime politike.

“Bundesdruckerei”, kompania gjermane që fitoi tenderin ndërkombëtar, ofronte një pasaportë me garanci të shumta kundër falsifikimit, dhe të standardit të pranueshëm ndërkombëtar me një çmim prej 2.35 dollarësh për njësi, që e shtuar me vlerën për infrastrukturën që duhej investuar, shkonte deri në 3.2 dollarë për njësi. Porosia arrinte në shifrën 3.5 milionë pasaporta.

Të dhënat financiare për gjithë atë proces janë të pasqyruara në tabelën numër një. Pasaporta tregtohej me çmimin 5 mijë lekë dhe si rezultat, në fund të operacionit shteti parashikohej të dilte me një të ardhur në buxhet prej 174 39 130 dollarësh, të ardhura nga ri-pajisja me pasaporta e shërbime të tjera dytësore 34 847 826 dollarë dhe shuma totale shkonte rreth 209 086 957 dollarë. Sipas ligjit, Ministria e Brendshme mbante 20% të të ardhurave nga procesi i pajisjes me pasaporta ndërkombëtare të qytetarëve, kurse buxheti i shtetit merrte pjesën e luanit me 80% e mbetur.

Risia e koncesionit

Demokratët e zotit Berisha u sollën ndryshe. Një nga premtimet e para publike të kryeministrit me ardhjen e tij në krye të qeverisë ishte reforma elektorale dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe pjesë e qenësishme e kësaj reforme, veç vlerës dhe nevojave të tjera që afrojnë letërnjoftimet dhe pasaportat e reja, ishte edhe prodhimi i mjeteve të identifikimit të shqiptarëve kur të shkonin përpara kutive të votimit. Deklaratat e korrikut të 2005 nisën të harrohen shpesh dhe qeveria shqiptare, sipas traditës, edhe kësaj radhe i ngjau atij studentit të keq, që kujtohet për t´u ulur për të studiuar ditën e fundit përpara provimit. Zgjedhjet lokale të 2007 ishin sërish kryefjalë e certifikatave. Më pas u dhanë njëri mbas tjetrit afate, të gjithë të shkelur, për të arritur në janarin e 2009, në vijën e startit për prodhimin e letërnjoftimit dhe pasaportës së re. Në vitin 2008, ndryshe nga tradita e këtij procesi, qeveria vendosi të japë me koncesion prodhimin e letërnjoftimeve dhe të pasaportave të reja biometrike. Edhe vetë ligji për koncesionin është ndryshuar. Por cili është thelbi i ligjit të koncesionit dhe parimet bazë e të pandryshueshme të tij? Dhe, a ishte koncesioni mënyra më e mirë për zgjidhjen me sukses të këtij operacioni historik që do të na standardizojë si evropianë, të paktën nga mjetet tona të identifikimit? Dhe një studenti që nesër do të bëhet një ekonomist i thjeshtë, i mësohet se jepen me koncesion ato punë publike, për të cilat shteti ka vështirësi t´i realizojë. Pra, që kushtojnë shumë pará, që kanë risk të lartë të kthimit të parave të shpenzuara, që kanë vetëshlyerje të largët në kohë dhe kërkojnë menaxhim në kohë dhe të specializuar. Me koncesion, si rregull, jepet ndërtimi i veprave të infrastrukturës, të hidrocentraleve, linja elektrike e komunikimi. Aeroporti i Rinasit, “Nënë Tereza” është një shembull klasik në këtë fushë. Në rastin konkret, për prodhimin e mjeteve të identifikimit të shqiptarëve, asnjë nga këto arsye nuk qëndron. I gjithë procesi nuk kushton pothuaj asgjë në buxhetin e shtetit. Për 3.5 milionë pasaporta – këtë shembull po marrim, por kontrata është për katër milionë të tilla – me një vlerë që duke përfshirë gjithë koston e prodhimit të tyre, shkon në 1.1 mijë lekë për njësi, ose rreth 4 miliardë lekë. Rikthimi i investimit është i garantuar në harkun e pak viteve, në rastin e pasaportës dhe brenda pak muajve në rastin e letërnjoftimit.

Të dhënat financiare janë pasqyruar në tabelën numër dy. Në të dallohet qartë se, konvertuar me kursin e sotëm të këmbimit në USD, shuma totale që përfitohet është 178.043.478 dollarë. Duke e marrë të mirëqenë se sasia e pasaportave do të tregtohet brenda tre vjetësh, del se shteti shqiptar nuk do të arkëtojë, siç është bërë më parë, një vlerë prej rreth disa dhjetëra milionë dollarë në vit. Kështu ka qenë deri më tani, por koncesioni i dhënë i ka ndryshuar drejtim këtij fluksi parash.

Dhe për të saktësuar më tej shifrat, ka një të tillë që mungon: sa është kostoja e prodhimit e një letërnjoftimi apo pasaporte dhe sa është diferenca, me të cilën e shet shërbimin e saj kompania fituese e koncesionit? Domethënë, nëse letërnjoftimi tregtohet me 10 euro për njësi, kurse pasaporta me 50 të tilla, cila është diferenca që shkon në dobi të koncesionarit?

Procesi mund të marrë dhe dyshime të tjera jo në fushën ekonomike – dhe gjithmonë në nivelin e dyshimeve – do të ndodhë që të dhënat personale të të gjithë shqiptarëve do të jenë në duart e një kompanie të huaj, e cila shfrytëzon edhe gjithë infrastrukturën e krijuar në vite në procese identike më parë, por që nuk shfrytëzon punonjësit dhe specialistët shqiptarë që janë marrë me vite me këto procese.

Specialistë të ndryshëm, të konsultuar nga “MAPO”, pohojnë se ende nuk është e qartë, nëse gjurmët e gishtërinjve të marra për letërnjoftimin, nëse bien në dorë të gabuar, mund të përdoren kundër individëve të caktuar. Për shembull, nëse ato mund të “transkriptohen” në një ambient krimi. Praktika ndërkombëtare dëshmon se shenjat e gishtërinjve, të vendosura në letërnjoftim, “përkthehen” në një sistem tjetër dixhital numerik që e bën të pamundur procesin e përkundërt: pra, nga shenjat e gishtërinjve mund të shkohet te sistemi numerik, ndërsa nga sistemi numerik nuk mund të riprodhohen më shenjat e gishtërinjve.

Në këtë mënyrë, i gjithë gjykimi për procesin, jo vetëm në plan politik e të sigurisë, por edhe në atë ekonomik, bashkohet me një pikëpyetje të madhe: a ishte koncesioni mënyra më e mirë për të realizuar këtë prioritet që nuk mund të jetë vetëm i qeverisë, por i gjithë shoqërisë shqiptare?

Edhe veprat më të mira në këtë vend helmohen nga dyshimet, në mungesë të reagimeve të përkundërta, ky i ka të gjitha gjasat që të shndërrohet, siç dhe nisi, në një proces të dyshuar që në zanafillë. Kësaj radhe “MAPO” hëpërhë, thjesht po ngre disa të tilla që duan përgjigje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›