E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Çaj Ahmeti-Gruevski, në vend të uiskit

E po ashtu është kur ke punë me parti serioze. Ata mendojnë larg. Që tani bëjnë plane për presidentin e Maqedonisë, apo kush e di si do të quhet ky vend pas 5 viteve. S'ka problem. Mjafton që këtë e di lideri i shqiptarëve në këtë shtet. Ai prej tash ka nisur pazaret me liderin e partisë VMRO-DPMNE-së për t'ia dhënë përkrahjen Obamës shqiptar që do të na paraqitet pas 5 viteve. Nuk morëm vesh vetëm racën e tij. Gjykuar nga eksplorimet e Gruevskit gjithandej në rigjetjen e rrënjëve të vërteta të kombit më të lashtë maqedonas, duke arritur kështu deri në Afganistan, nuk është çudi që edhe lideri ynë të marrë mësim prej partnerit të vet, pse edhe të mos ia kalojë, dhe të na sjellë pas 5 viteve një Obama shqiptar të racës së verdhë. Këtë e bën të mundur jo vetëm inspirimi nga partneri qeveritar, por edhe lidhjet tradicionale që xhaxhi Enver dikur i kishte me Kinën. Jo vetëm ky, por edhe liderët e tjerë shqiptarë tek ne, çdoherë kur janë në pushtet popullit dinë t'i tregojnë vetëm përralla, të ngjashme me ato që për afër 50 vite e mbajtën në pushtet Enver Hoxhën.
Kështu e kanë politikanët seriozë. Janë dëshmuar edhe në të kaluarën. Ju kujtohet përralla e Ahmetit në kohën kur bashkëqeveriste me LSDM-në? Kishin qenë pikërisht të "huajt" që i kishin thënë të heqë dorë nga një pjesë e "vogël" e Marrëveshjes së Ohrit: gjuhën shqipe, ligjin për ish-luftëtarët e UÇK-së, përfaqësimin e drejtë, etj. Arsyetimi kishte qenë: "mjaft më, se ia rrënove rejtingun LSDM-së". Dhe lideri më i popullarizuar i shqiptarëve, për ta kursyer partnerin ideologjik, kishte rënë dakord që këto imtësira t'i bëjë, sërish me LSDM-në, por në mandatin tjetër. Kjo nuk ndodhi. Jo për fajin e Ahmetit, por ja që LSDM i humbi zgjedhjet. BDI fitoi, por Gruevski preferonte bashkëqeverisje me "partnerin strategjik" dhe deri atëherë tradicional. Ahmeti nuk u dorëzua. Duke qenë në opozitë, i tha qartë Gruevskit se i kishte hipur kalit shtrembër. Bëri- çbëri, e detyroi Gruevskin të bëjë Marrëveshjen e Majit. Sikur kjo marrëveshje të kishte mbetur edhe sot, shqiptarët do të kishin qenë shumë më të kënaqur. Por ja që edhe kësaj i skadoi afati. Pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar, Ahmeti e detyroi Gruevskin të bëjë një Marrëveshje edhe më të madhe. E ripagëzuan "Rimëkëmbja në 100 hapa - versioni i zgjeruar dhe i sendërtuar". Shqiptarët fituan atë që votuan. Kërçovarët do të presin edhe katër vite bashkimin me Zajazin dhe Osllomenë. Kohë më të mira do të presë edhe flamuri shqiptar. Gjuha shqipe është zyrtarizuar, pavarësisht se si të tillë tani më 6 muaj, nuk po e hasin askund as ata që e votuan-deputetët. Përfaqësimi shkon bukur. Punësohen aq sa përjashtohen. Në arsim, lulëzojnë punët. U dëshmua me rastin e Idrizovës dhe UT-së. Pjetër Bogdanin e kthyem aty ku edhe e kishte vendin, te të vdekurit. Nënën Terezë, së paku ende po e ndajmë fifti-fifti me maqedonasit, u dakorduam të mos jetë as shqiptare, as maqedonase, por shkupjane. Sa për Skënderbeun, aty s'ka kompromis. Ai ka qenë, është dhe do të mbetet ithtari më i flaktë i politikës së BDI-së.
Të kthehemi te Marrëveshja për zgjedhjen e Obamës shqiptar në vitin 2014. Ajo patjetër që do të ndodhë. S'ka lidhje që këtë e përgënjeshtron haptazi pala tjetër. Nuk është me rëndësi se si atëherë do të quhet edhe ky shtet. Siç po zhvillohen gjërat, nuk është çudi të jemi edhe pjesë e Serbisë së Madhe. Elitave politike shqiptare në Maqedoni nuk u interesojnë negociatat që bëjnë maqedonasit me Greqinë. Ua kanë dhënë besën se këtu nuk i rrasin hunët, le të bëjnë ata çka të duan vetë. Liderëve tanë nuk u bëhet vonë as për NATO-n dhe BE-në. Do të shqetësoheshin vetëm nëse Crvenkovski, apo tani Gruevski do t'ua kthente shpinën.
Në një situatë kur bisedimet për emrin mbeten të bllokuara për një kohë të gjatë, do të vijë dita që një ditë politikanët maqedonas të thonë se do ta aktivizojnë referendumin e vitit 1991 për pavarësi të Maqedonisë me mundësi lidhjeje me ish-Jugosllavinë. Por çka ka të keqe këtu? - do të thonë liderët tanë, dhe do të fillojnë të na tregojnë përralla të reja, se për dallim me qytetarët e vendeve të BE-së, komunikimi i shqiptarëve të këtushëm me vëllezërit e dikurshëm serbë është më i lehtë. Nëpër çajtoret tona shqiptarët do t'i ringjallin kujtimet për kohën e vëllazërim-bashkimit. Falë zotit edhe çaji është shumë më i lirë se uiski. Në vend të evropianëve, me serbët do të kalonim shumë më lirë. Besoj se do të pinin çaj, së paku për hir të së kaluarës së përbashkët 50-vjeçare.
Kështu do ta mbronim edhe fenë, siç po e mbrojmë nga "pjetër bogdanat" e "nënë terezat", si dhe me ndërtimin e kishave në sheshin e Shkupit dhe Tetovës.
Zoti i bekoftë liderët tanë!
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›