E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori e një humbjeje energjetike.

Kush dëshiron të dijë sa peshon stili jonë i jetesës mbi resurset e tokës? Kush dëshiron të dijë cili është pritmi i jonë në tregun e energjisë ndërkombëtare? Bën mirë të këtë parasysh të lexojë sa më poshtë.
1. Si pikënisje duhet të dijë se çfarë janë shenjuesit akustikë “bip”. Një ditë të zakonshme shqiptari e nis gjithmonë me një “Bip”, të kuptohemi, është zilja për t’u zgjuar në mëngjes. Duke u lëkundur anash djathtas arrijmë derën e banjës për të larë sytë. Më pas një kafe alla turka, bashkë me një gotë raki, dikush ndez stufën elektrike për pak bukë të thekur ose një vezë të zier dhe pastaj jashtë në vorbullën e përditshme. Dritat e para të ndezura, e ndokush brenda në makinë ndez radion, një tjetër në shtëpi magnetofonin, pjesa më e madhe TV-në, me pa Bashkimin që lexon titujt e shtypit të përditshëm. Janë këto përgatitjet e zakonshme të një borgjezi përpara se të niset drejt vendit të punës. Kush ka ashensor zbret, nëse jo, e merr në këmbë.
Prapë “Bip”. Çelësi i makinës, ku me një gjysmë lëvizje ndizen katër komanda. Pastaj larg. Dikush tjetër preferon autobusin urban (janë të pakët ata që përdorin dy-rrotakshin, në qytet). Prapë “Bip”. Është kompjuteri që na pret te vendqendrimi i punës në administratës. Ehu bre prapë “Bip”. Telefoni kësaj here, zilja e një mesazhi, zilja e furrë-pjekjes, e mp3-shi bashkë me të gjithë kutinë e punës ose jashtë në kohën e lirë, për qejf. Pastaj në kinema, në diskotekë, në klub, kur fiken dritat e ditës ndizen dritat e natës. Metropoli nuk fiket kurrë. Gjithë këto Bip-e, e gjithë këto drita, e gjithë këto skenare urbane apo rurale kanë diçka të përbashkët. Kanë Energjinë. Janë “energji”, ose janë të bërë me “energji”, dhe konsumojmë energji. Zilja e telefonit, çelësi i dritës, uturima e kompjuterit, rraptima e makinës, tingëllima e radio, e televizorit, tri ngjyrëshi i
semaforit dhe dritëlëshuesit e ndryshëm, apo sendet e ndryshme që kemi në dorë, gjithçka është e bërë e energji. Dhe sa uri kemi për ta shpenzuar. Gllabërojmë kilovat shumë e më shumë. Në Shqipëri sipas statistikave është rritur nga viti 90 me 55 % çdo vit kërkesa për energji. Në Kinë, në të njëjtën periudhë, indeksi ka shpërthyer në 130 %. S’e them unë, e thonë statistikat e IEA-së, Agjencia Internacionale për Energjinë. Shterimi i karburante fosile në të ardhmen është një gjë e ditur, dhe diçka po lëviz. Po.
Diçka po lëviz. Ndër-aktualisht, në Oksident uria po shkon drejt ngopjes, në vendet me ekonomi emergjente (si kjo e jona), po rritet në mënyrë të vazhdueshme kërkesa për energji e karburante. Shikoni, Kina ka kaluar në vend të dytë, pas SHBA-së, në botë për konsumim energjie, ndonëse duke qenë disi skarco në motorizim: 19 automobila për 1000 banorë, kundër 780-t në SHBA. Nëse mund të bëjmë një pyetje: Çfarë do të ndodhi kur të gjitha familjet kineze do të kenë të paktën një makinë në garazh, një frigorifer ose një kondicioner? E merreni me mend vetë çfarë katastrofe energjetike do të ishte. Disa vende oksidentale duke pasur komitete për zbulimin e burimeve të reja energjetike po i paraprijnë rrezikut. Sidomos tani që parapritja është e domosdoshme kur akoma kriza ekonomike nuk është akute dhe çmimet e karburanteve janë të ulëta, por mos harroni se nuk do të vonojë rimarrja e marshit ekonomik në gjithë botën, pastaj uria për energji do të bëhet e padurueshme. Afërmendsh e kuptoni edhe vetë përse lindin luftërat.
***
2.  Sfidat Energjetike - Koha kalon. Efekti serrë kalëron nga më shumë se tre dekada, ekonomia botnore është nxi fund e krye, formulat e vjetra politike s’kanë dert. Jemi afër një gremine? Nuk është e thënë. Ndoshta është hera e parë që shumëzimi i këtyre tre faktorëve negativë mund të japi një rezultat pozitiv. Tejet pozitiv. Ka disa andej nga oksidenti që e quajnë “New Deal” (kupto: kurs i ri), duke kujtuar politikën ekonomike, të bërë me investime shtetërore në veprat e mëdha infrastrukturore, që ndërmori presidenti amerikan Franklin D. Roosvelt, për të dalë nga kriza (ajo e 1929), më e zezë se kjo. Por mund të jetë diçka më e madhe: një “ndryshim i gjelbër”, një revolucion tërësisht global që do të bëjë të mundur në një goditje të vetme të ri-vitalizojë ekonominë, dhe të na lirojë nga skllavërimi i karburantit arabik, duke kaluar në energjitë e pastra dhe ri-përtëritëse diellore, hidrike, erërore.
Ka disa muaj që strategë mjedisorë dhe ekonomistët të angazhuar po përveshin mëngët me ngut për t’i dalë zot kësaj krize të paparë ndonjëherë. Projekti “Neë deal i gjelbër” është diçka faktike. Ata janë të mendimit se e ardhmja e ekonomisë botnore do të jetë me më shumë mundësi “ekonomia të gjelbër”. Për ekonomi të gjelbër nënkuptojnë një ndërlidhje të shumëfishtë midis respektimit të ambientit dhe shfrytëzimit me karar të resurseve energjetike hibride. Ndërkohë po mendojnë për zhvillimin e resurseve e ripërtëritëse. Epiqendra e ndryshimit, të paktën nga ana skenografike, u pa me një 20 janar në Shtëpinë e Bardhë, Uashington. Në atë ditë, në një ditë të vetme, kombi më energji-ngrënës i botës shndërrohet: nga një përdorim masiv i karburantit fosil në atë të energjive të ripërtëritëse. “Kemi besim se do të shërohemi nga vartësia e petrolit” - tha Obama, duke prezantuar sekretarin për Energjinë, nobelistin Steven Chu « për një rrugë transitore drejt një ekonomie sa më hibride, që do të bëjë të mundur krijimin e milionave vende pune të reja». Nëse presidenti i ri do të mbajë fjalën, SHBA-ja do të angazhohet në një plan-ulje të dyoksidit të karbonit, rreth 80 % brenda gjysmës së shekullit. Obama ka premtuar 150 miliardë dollarë për të zhvilluar një ekonomi të bazuar në “energjinë e pastër”. Dollarë, që simbas Obamës, do t’i japin mundësi industrive private të krijojnë bash 5 milionë vende pune të “gjelbra”. Me një fjalë, një prapakthehu monumentale nga doktrina Bush për energjinë. Kjo vetëm në një ditë. Por do të duhet mijëra ditë të tjera për të vendosur në funksionim makinën e re energjetike, që shpresojmë të rrotullojë botën. Dihet, ekonomia është lokomotiva e vërtetë e shoqërisë, dhe ekonomistët e dinë mirë këtë, dhe po bëjnë të pamundurën për t’i shpëtuar krizës ekonomike që ka përfshirë botën nëpërmjet kursit të ri. Përpos ekonomistëve marksistë e leninistë shqiptarë.
***
3. Ekonomia shqiptare dhe alibia e korporatës energjetike - Sa i përket Shqipërisë  mund të themi se në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri ia kemi arritur qëllimi për diçka. Qëllimi ishte të kishe një pavetëdijes totale për gjërat që i interesojnë komunitetit. Kësaj i rri përballë, kuptohet, indiferenca e plotë e personave përgjegjës për problemet që ne trajtojmë në këto radhë shkrim. Dihet dhe duket qartazi se ka mungesë të theksuar teknokratësh a profesionistësh në administratën energjetike shqiptare. Profesionalizmi është kusht i domosdoshëm për një komb që ka dëshirë të behët modern e të integrohet në strukturat energjetike Euro-Atlantike. Ne, të gjithë bashkë, bëjmë gabim qesharak në vetvete kur mendojmë se po të hyjmë në BE (sot) do të kemi më drita njëzetekatër orë, do të jemi më të pasur,  më pak të korruptuar, më pak të gjezdisur. Madje edhe më të bukur. Nuk është e thënë. Aspak. Nuk mbahet fryma me ndihma FMN-je. Dinjiteti nuk na e lejon të shkojmë më larg seç jemi. Sepse pastaj bëhesh xhambaz me elektrik në dorë.  Për t’iu rikthyer trenit të humbur energjetik duhet thënë se ne tashmë e kemi pothuajse të humbur atë. Investimet kanë filluar vonë. Shumë vonë. Ritmi i kërkesave energjetike sa vjen e rritet. Është  e lartë kostoja  afërmendsh pastaj dhe nevoja bëhet përditë e më e ngutshme. Ngutja është fatalë për një shoqëri si e jona që nuk kemi akoma sheshuar problemin pronave. Ne kemi shumë potenciale energjetike, por s’kemi pasur  investime energjetike dhe ato që na ofrohen sot  janë të kurdisur që të jenë me një bilanc humbës për shtetin shqiptar, d.m.th qytetarin që paguan taksat. Sidomos marrëveshjet me kompanitë e huaja që duan të investojnë në Shqipëri janë të shumta dhe të lira të ndërmarrin çdo sipërmarrje nga ana legjislative. Nismat janë të shumta por fitimet reale  që mund të përkthehen në ulje taksash për qytetarët shqiptarë janë qesharake. Madje ndodh e kundërta. Ne vuajmë pasojat e paditurisë së madhe në çështjet e ri-organizimit ekonomik. S’kemi kujt ia kërkojmë ndihmën pa pasur një humbje masive të pasurisë energjetike. Nuk i kemi paraprirë gjendjes së sotme në asnjë mënyrë. Dhe sot vuajmë pasojat e shkakut tonë. Do planifikim kjo punë, dhe plan pune sot për nesër nuk shkon larg dhe ja ku jemi. Në qorrsokak. Nejse.
Sa probleme ekonomike kemi ne shqiptarët, mor zot. Hajde shok hajde. Nga ana ekonomike në përgjithësi jemi aty-aty si ajo energjetike. Do kisha qejf të flisja rreth bankës së Shqipërisë që është bërë shumë kodoshe, por s’kemi kohë. Vetëm një gjë mund të them shpejt e shpejt, sipër planifikimeve  të Bankës së Shqipërisë, i cili është bërë i vetmi institucion ku pa-përgjegjshmëria kronike vlon tej mase,  edhe përsa i përket gjendjes financiare të shtetit shqiptar. Nuk del e flet fare por rri strukur me lekët e bankës. Dhe kur flet Guv. Fullani bën edhe më keq, sepse një ditë del e thotë se kriza financiare e ajo ekonomike s’do të na prekë, se jemi të mbrojtur, më pas ditën tjetër del e thotë se do të na prekë pak, nuk vonon dhe del Ministri i Financave dhe lëshon bum alarmin. A ka apo s’ka një bashkëveprim ndërmjet këtyre institucioneve? - dëshiron me ditë një qytetar? Loja e fjalëve se ekonomia shqiptare po rritet është diçka që funksionon vetëm në statistika, që shumë pak vetë kuptojnë. Ekonomia reale shikohet në xhepat e Shqiptarve e jo në shifra pa shpirt.  Ekonomia është jashtëtokësore dhe vazhdon të ketë, sipas të dhënave të INSTAT, të njëjtin ritëm të rritjes ekonomike (madje edhe më të lartë sipas tij), çka do të thotë se biznesi vijon të ketë konsum të njëjtë ose edhe më të lartë. Por kjo nuk përkthehet në  një rritje reale ekonomike: si paga dinjitoze, investime me kallaballëk apo tjetër. Stop! Reflektoni.
Ti kthehemi alibisë energjetike. Në vitet e pritme bizneset shqiptare do të jenë më të uritura, në një Ballkan super të uritur për energji. Kriza po bën kasaphane në ato vende ku ekonomia është e qëndrueshme dhe mendoni se çfarë efekte do të kenë ekonomitë hibride si kjo e jona.
Ju kujtohet, jo shumë vite më parë u gëzuam një herë, si të paparë, kur na thanë se u bë elektrifikimi i Shqipërisë. Shyqyr zotit. Por s’ishte e vërtetë. Ne bëmë impiantin elektrik përpara burimit të energjisë. Por harruam se gjërat ndryshojnë, kërkesat për energji rritet, centralet hidrike nuk ka në kapacitetin e duhur me përmbush 27 milion kilovatorë. Korporata energjetike sot për sot s’garanton për më shumë se 13 kilovatorë, prodhim vendas. Pjesa tjetër blihet dyfish me kontrata tremujore. Kjo u kushton xhepave të arnuara të shqiptarve, një rritje me 10% në faturën e korentit. Sepse kemi një korporatë klizmë, ku parapritja është diçka e pamundur. Ka për na kushtuar kjo krizë ekonomike më shumë seç e kemi menduar. Gjithë bota po merr masa siç treguam lart, përpos Shqipërisë, sepse kriza është një handikap i shumëdashur dhe i përhershëm i joni. Kemi një flirt kushedi e sa kohë me të. Nga kriza në krizë, si me thënë. Ky shkrim në vetvete është një shkrim “alien” d.m.th që pak vetave u intereson. Sepse ndofta mendojnë se qeveria ka parà me bollëk me ble energjinë...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›