E Diel, 1 Nëntor 2026

E djathtë PD?Nga Eduard ZaloshnjaKarl Marksi i përkufizonte partitë politike si grupime njerëzish me interesa të përbashkëta, të cilët përpiqeshin të merrnin pushtetin për t’i mbrojtur e avancuar ato. Dhe për kohën që jetoi ai, ky përkufizim nuk isht

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

E djathtë PD?Nga Eduard Zaloshnja

Karl Marksi i përkufizonte partitë politike si grupime njerëzish me interesa të përbashkëta, të cilët përpiqeshin të merrnin pushtetin për t’i mbrojtur e avancuar ato. Dhe për kohën që jetoi ai, ky përkufizim nuk ishte i gabuar.

Por shumë ujë ka rrjedhur nëpër lumenj që prej kohës së tij. Sot partitë në botën demokratike janë në përgjithësi grupime njerëzish që kanë, jo interesa, por disa ide e vlera themelore të përbashkëta, dhe që përpiqen të vijnë në pushtet për t’i mbrojtur e avancuar ato.

Kështu, në qoftë se përkufizimi i Marksit për partitë do ishte i vlefshëm sot, nuk do kishim një Rokfeler në majat e Partisë Demokrate amerikane, ose nuk do kishim një Soros e mijëra të tjerë si ai, të cilët financojnë miliarda dollarë për fushatat e kësaj partie.

Dhe për më tepër, nuk do kishim një kandidat demokrat për president të SHBA si Xhon Kerri, i cili është martuar me bijën e një prej 100 familjeve më të pasura të botës.

Kjo, sepse Partia Demokrate amerikane ka në themel të programit të saj rritjen e tatimit mbi të ardhurat e pjesëtarëve të shoqërisë që janë më të suksesshëm në ekonominë e tregut, për të rritur kështu fondet e asistencës sociale për më pak të suksesshmit.

Pavarësisht nga ndryshimi thelbësor në mënyrën se si sot ngjizen dhe e ruajnë kohezionin e tyre partitë politike të botës perëndimore, shumë shqiptarë akoma përdorin përkufizimin klasik të Marksit, kur klasifikojnë partitë në Shqipëri.

Kështu, jo rrallë qëllon të thuhet e shkruhet, madje edhe nga politikanë e analistë karriere, se PS është më e djathtë nga PD, meqë ajo mbron biznesin e madh dhe përkrahet fuqimisht nga ai.

Në fakt, testi që duhet përdorur në ditët e sotme nuk është ai klasor, por testi i ideve dhe vlerave të mishëruara në programet e partive respektive, si dhe i mbrojtjes e avancimit të tyre. Vetëm nisur nga ky test, mund të nxirret një konkluzion bashkëkohor rreth djathtësisë apo majtësisë së programit dhe aktivitetit të një partie.

Duke presupozuar se në Shqipëri kemi parti të mirëfillta politike, testi i mësipërm do të përdoret në rreshtat që vijojnë për të analizuar, nëse PD është një parti e djathtë apo e majtë.

Në programin e saj të para 4 viteve, PD përfshiu një paketë të gjerë fiskale, e cila, në përputhje me platformat e djathta perëndimore, parashikonte uljen e përgjithshme të taksave e tatimeve. Ideatori i kësaj pakete ishte zv/ministri aktual i Financave, z. Florion Mima, një ekspert i djathtë i sistemeve tatimore. Paketa fiskale e ideuar prej tij u mbështet në dy argumente, njëri ideologjik e tjetri teknik.

Së pari, ajo u mbështet në argumentin klasik të djathtë perëndimor se paratë që kursejnë bizneset dhe individët nga ulja e taksave dhe tatimeve, përdoren nga ata për investime dhe konsum, duke rritur kështu si ofertën e produkteve dhe shërbimeve, ashtu edhe kërkesën për to. Pra, sipas këtij argumenti, ulja e taksave e tatimeve sjell rritje të ekonomisë dhe punësimit, e për rrjedhojë, uljen e varfërisë.

Argumenti i dytë bazë i paketës fiskale të PD, ai teknik, mbështetej në një raport që Organizata Evropiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD) kishte përgatitur pas studimit të ekonomisë informale në Shqipëri. Në atë raport, OECD kishte argumentuar për një ulje të normës së tatimit dhe taksave, sepse, sipas saj, firmat private në Shqipëri shpesh i shmangeshin pagesës së tatimeve e taksave, pikërisht ngaqë ato ishin të larta. Prandaj, argumentonte OECD, zbatimi i parimit “Të paguajnë të gjithë, gjithsecili më pak”, përveçse do kanalizonte aktivitetin e firmave në rrugë ligjore, do ndikonte gjithashtu edhe në rritjen e të ardhurave për buxhetin.

Por, a i pati efektet e pritura paketa fiskale e PD pas ardhjes së saj në pushtet?

Në lidhje me rritjen e të ardhurave për buxhetin, mund të thuhet se suksesi ka qenë i dukshëm - rritja e tyre ka qenë e ndjeshme që prej zbatimit të paketës së re fiskale. Ndërsa rritja ekonomike akoma nuk është aty ku pritej. Dhe kjo ndoshta, jo ngaqë modeli i djathtë nuk ka funksionuar, por nga veçoritë specifike të ekonomisë dhe administratës shqiptare.

Kështu, nuk është sekret për asnjeri në Shqipëri se paratë e pista të trafiqeve ilegale kanë qenë një burim i rëndësishëm kapitali për ekonominë e vendit. Pothuaj çdo shqiptar është në gjendje të tregojë për aksh restorant, hotel, apartament apo pallat që është ndërtuar/blerë me pará të pista. Dhe mendja ta do se, edhe në qoftë se jo të gjithë e kanë të saktë informacionin, një pjesë e mirë e tyre nuk flasin kot. Në fakt, i së njëjtës mendje është edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i Komisionit për Luftën Kundër Pastrimit të Parave, si dhe një sërë specialistësh të Bankës Botërore dhe FMN.

Në kushtet kur pronat e blera/ndërtuara me pará të pista filluan të sekuestrohen, ishte më se e natyrshme që njerëzit me pará të tilla të mos i investonin më me po aq guxim sa deri dje. Por kjo do të thotë më pak vende pune për ndërtuesit, hidraulikët, elektricistët, punëtorët e materialeve të ndërtimit, kuzhinierët, kamerierët, etj., etj. Dhe në qoftë se ata ngelen pa punë, familjet e tyre e shtrëngojnë mirë grykën e qeses. Që do të thotë se shitësve të produkteve jo të domosdoshme për mbijetesë u mbetet një pjesë e mallrave pa shitur.

Njëfarë frenimi ekonomik ka ardhur gjithashtu edhe nga rinovimi themelor që iu bë administratës shtetërore pas ardhjes së PD në fuqi. Ndërkohë që një rinovim i saj ishte i domosdoshëm (të gjitha sondazhet linin të kuptohej se shumë zyrtarë të mëparshëm ishin të korruptuar), jo pak njerëz të aftë e relativisht të ndershëm mund të jenë larguar pa të drejtë nga administrata.

Dhe zyrtarët e rinj, ca nga mungesa e eksperiencës e ca nga mungesa e dijeve (zëra të shumtë thonë se jo pak emërime janë bërë thjesht në bazë të militantizmit politik), nuk arritën dot të realizojnë në vitet e para investimet e planifikuara publike. Që do të thotë se një komponent i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe i punësimit çaloi.

Kaq për politikën fiskale të PD dhe efektet e saj në buxhetin e shtetit dhe ekonominë në përgjithësi. Dhe tani le t’i hedhim një sy politikave të tjera të PD për të testuar, nëse ato e rreshtojnë djathtas apo majtas në sensin modern të fjalës.

Në lidhje me çështjen e pronës private, qëndrimi i PD ka anuar shumë majtas. Në traditën e së djathtës perëndimore, respekti për pronën private është i shenjtë. Sipas të djathtëve, interesat shoqërore asnjëherë nuk mund të hijezojnë interesat e pronarëve legjitimë privatë. Por PD i qëndroi larg këtij parimi. Ajo vendosi t’i japë zgjidhje problemit të mprehtë shoqëror të familjeve të varfra që zaptuan tokat përreth qendrave të mëdha urbane duke dëmtuar interesat e pronarëve legjitimë të tyre. Dhe për ta mbuluar me gjethen proverbiale të fikut këtë zhvendosje puro majtas, ajo premtoi t’u japë si shpërblim këtyre të fundit një shpërblim qesharak.

Edhe në lidhje me çështjen e antikomunistëve të përndjekur nga regjimi i kaluar, qëndrimi i PD ka anuar majtas. E djathta perëndimore është shquar për përkrahjen e fuqishme që i ka dhënë kundërshtarëve të komunizmit, armikut më të madh ideologjik të së

saj. Ndërsa PD, deri më sot, nuk ka dëshmuar ndonjë dëshirë të madhe për t’i përkrahur antikomunistët e përndjekur nga regjimi i kaluar.

Në lidhje me arsimin, shëndetin, dhe pensionet, shenjat kanë qenë shumë të vakëta se PD dëshiron të shkojë drejt privatizimit të tyre - një tendencë kjo e forcave të djathta sot në botë. Ndërkohë, për qëllime elektorale, qeveria e drejtuar prej saj rriti pagat e arsimtarëve dhe punonjësve shëndetësorë publikë, si dhe pensionet shoqërore, duke e forcuar kështu rolin e sektorit publik. Ndërsa në lidhje me politika shoqërore si ato rreth abortit, rolit të fesë, fuqizimit të familjes etj., PD nuk ka demonstruar as më të voglën dëshirë për të adoptuar vlerat tradicionale të së djathtës perëndimore.

Dhe në fund të kësaj liste të gjatë testesh, pyetjes nëse PD është parti e djathtë (gjithnjë në sensin modern të fjalës) është e lehtë t’i përgjigjesh: Me një lule nuk vjen pranvera!!!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›