E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri, konsultë me Solisin kundër MediutNga Antena brenda familjesFlamuri më në fund e humbi durimin me Fatmir Mediun. Të vetmen herë që kishte qenë i gatshëm të bënte pazar me Edi Ramën, ishte për punën e posterave të Mediut në Tiranë. E nisi për

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Flamuri, konsultë me Solisin kundër MediutNga Antena brenda familjes

Flamuri më në fund e humbi durimin me Fatmir Mediun. Të vetmen herë që kishte qenë i gatshëm të bënte pazar me Edi Ramën, ishte për punën e posterave të Mediut në Tiranë.

E nisi përpjekjen për marrëveshje me kryetarin e Këshillit Bashkiak. I premtoi se grupi i tij i këshilltarëve do t’i miratonin ç’të donte ai për gjashtë muaj, mjaftonte që ai të hiqte posterat e Mediut nga sheshi “Skënderbej” dhe nga disa pallate në Tiranë.

- Besoj që bëhet, - i tha kryetari. - Ja do flas me Edi Ramën.

Të nesërmen e mori në telefon Flamurin.

- Nuk ta bëj dot, - tha. - E di që e ke hall, por zoti Rama nuk është dakord. “Le të votojnë përjetësisht kundër, - tha, - por posterat e Mediut nuk i lëviz nga Tirana.”

- Po pse, kur ka bërë marrëveshje me Mediun ai? - tha Flamuri.

- Nuk ka bërë marrëveshje, - i tha kryetari. - Ka bërë sondazhe dhe i del që posterat e Mediut i ulin pikë PD dhe forcojnë diferencën në favor të PS. “Nuk ia bëj dot këtë nder, - më tha. - Është çështje votash për parlament, ato na duhen më shumë se votat në Këshill Bashkiak, se ato i kemi.”

Flamuri u tërbua fare nga ky dështim. Porositi ca push nga ato që njollosin posterat për t’i qëlluar vetë dhe për të akuzuar Edi Ramën. Plani i tij ishte i thjeshtë. Dikush do merrte një push nga ato që gjuajnë me bojë të kuqe dhe do t’i gjuante gjithë posterat dhe pastaj do akuzonte Ramën se prish fushatën.

- Të paktën t’ia kthej me të njëjtën monedhë mungesën e bashkëpunimit, tha.

Por as kjo s’po funksiononte. I vetmi që i dha një shpjegim kësaj pune ishte Leonard Solis. Në një emision televiziv në mëngjes, Solis tregoi ç’i kishte ngjarë gjatë fushatës.

- M’u afrua një djalë, - tha, - të më ndihmonte të ndizja cigaren. Kur ndezi çakmakun, plasi një flakë e madhe që për pak më dogji vetullat. I tmerruar nga flaka hapa sytë nga çakmaku, i cili lexonte “Votoni Partinë Republikane”. Po ç’bëni mor, i thashë. Prapë me flakë vazhdoni ju? Ju duhet ta shkruani në bidonë uji: “Votoni Partinë Republikane”, jo në çakmak, se na e vutë zjarrin një herë. Po djali s’e kishte vrarë shumë mendjen, duke vazhduar lojën me çakmak.

Flamuri, sapo e dëgjoi historinë, e mori në telefon.

- Leonard, të përshëndes për atë që ke thënë për republikanët, - i tha. - Po na prishin shumë punë dhe i meritojnë ato që u ke thënë. Po s’kemi ç’i bëjmë këtij Edi Ramës që nuk na i heq posterat e atij trafikantit nga qendra e Tiranës, - tha. - Kërkon të na ulë votat me Fatmir Mediun. Ma jep ndonjë ide, çfarë të bëjmë?

- Po ç’të të them unë, - i tha Solisi. - Bëni dhe ju ca postera sikur i ka bërë PR, dhe ngjitini përfund billboard-erave të Mediut, ku të shkruhet: “PD po ndryshon Shqipërinë” dhe më poshtë “Partia Republikane ju ndryshon jetën”.

- E bukur qenka, - tha Flamuri. - Po kjo e republikanëve është pak e paqartë?

- S’ka asgjë të paqartë, - tha Solis. - Më gjej një parti që u ndryshoi jetën aq shumë njerëzve për 5 minuta. Me një shpërthim në Gërdec, 26 vetë i bëri nga të gjallë të vdekur, 300 vetë nga normalë, invalidë, kurse 2 mijë shtëpi, nga të rregullta në karakatinë. Kjo do të thotë të të ndryshojë jetën një parti.

- E kuptova, - tha Flamuri. - Po kam frikë se mos duket sikur PR u ka ndryshuar jetën njerëzve të Gërdecit, kurse PD po i ndryshon jetën për keq Shqipërisë.

- Mos ki merak, - i tha Solis. - Të vdekurit s’kanë ku të ankohen, ti e di mirë. PR e ka keq, se nuk i vdes të gjithë, kurse PD, siç e ka nisur, s’ka kush ta gjykojë, se s’mbetet njeri në këmbë më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›